Fermere, filloni me pergatitjet per mbjelljet pranverore
Tani është koha të filloni me parapërgatitjet për mbjelljet pranverore dhe të ndërmerrni hapat konkret për parapërgatitjet e mbjelljeve pranverore të bimëve të arave. Afati optimal i të cilave në mënyrë të drejtpërdrejt varet sa nga kushtet klimatiko – tokësore, aq edhe nga datat e caktuara kalendarike për llojet e veçanta të kulturave pranverore.
Afati i para përgatitjes së tokës për mbjelljet pranverore, është i një rëndësie të veçantë, sepse nga ky operacion agroteknik varet realizimi i prodhimeve që ju planifikoni t’i realizoni. Para përgatitjeve të duhura të tokës për mbjelljet e kulturave pranverore, pa mëdyshje u ka parapri punimi themelor i tokës i zbatuar në vjeshtë, përkatësisht në fillim të dimrit, me kusht që temperaturat gjatë këtij operacioni të rëndësishëm agroteknik të punimit themelor (lavrimit bazë) të mos kenë qenë nën minus 5 gradë celsius.
Avantazhi i lavrimit themelor që ju e keni zbatuar në vjeshtë, do t’u krijojë shtresë kultivuese të shkriftë për mbjelljet pranverore, me strukturë më të mirë të pjesës sipërfaqësore, shtresë tokësore të shkriftë dhe homogjene të pjesës së rizosferës, si rezultat i ngricave dimërore dhe oscilimeve të shpejta e të shpeshta temperaturale që mbretëruan deri me tani.
Punimi themelor i zbatuar në vjeshtë, do t’u akumulojë sasi më të madhe të lagështisë në pjesën e profilit fiziologjik aktiv, si rezultat i reshjeve dimërore, me ç’rast në ngastrat tuaja do t’u krijohen kushte më të favorshme për përvetësimin e materieve ushqyese të tretura në lagështi efektive, gjatë kësaj periudhe vegjetative, karakteristikë kjo shumë e rëndësishme në shfrytëzimin e pjellorisë së tokës. Me punimet e duhura para përgatitore të tokës për mbjelljet pranverore, përkatësisht punimet parambjellore në ngastrat tuaja kultivuese, ju mund t’i realizoni këto qëllime:
-Ruajtjen e lagështisë së grumbulluar në tokë nga reshjet dimërore, kontakte me të suksesshme të farërave me tokën me lagështi të mjaftueshme.
-Përmirësimin e regjimit ujor, ajror dhe temperatural.
-Stimulimin indirekt të aktiviteteve mikrobiologjike.
-Inicimin e mbirjes së barërave të këqija.
-Homogjenizimin e pjesës sipërfaqësore të tokës për mbjellje.
Përgatitjet parambjellore (diskimet, cilindrimet, kultivimet, trinimet, rrafshimet), duhet të zbatohen 7-10 ditë para mbjelljeve të kulturave pranverore. Thellësitë e punimeve par mbjellore, varësisht nga tipi i tokës, prania e lagështisë dhe lloji i kulturave që planifikohen të mbillen, zbatoni në thellësi prej 10 – 15 cm.