Reklame:

Produktet e skaduara – Rriten ankesat e qytetareve, 169 denoncime prane AKU

Siguria ushqimore në vend vijon të mbetet një problem për qytetarët, por ajo që vihet re është ndërgjegjësimi në rritje për të denoncuar rastet e kontatuara. Për vitin 2018, pranë Autoritetit Kombëtar i Ushqimit janë depozituar 169 ankesa apo denoncime lidhur me mungesën e sigurisë ushqimore në të gjithë vendin, një numër ky pothuajse tre herë më i lartë se në vitin 2017, ku janë depozituar 61 ankesa apo denoncime në total.

AKU ka publikuar të dhënat dhe vihet re se shqetësimet e qytetarëve kanë të bëjnë kryesisht me subjekte shërbimesh që abuzojnë duke servirur produkte ushqimore të skeduara, me tregtinë e peshkut jashtë standardeve higjeno-sanitare, denoncime për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit në kushte të papërshtatshme,  tregtim të produkteve  bujqësore dhe bulmetit në kushtet jo të duhura.

Po ashtu një sërë denoncimesh lidhen me supermarkete të mëdha apo dyqane lagjesh, ku konsumatorët kanë evidentuar produkte jashtë afatit të skadencës, produkte ku u fshihet lehtësisht data e skadencës apo që nuk kanë përshkrimet në shqip. Në raportime nuk mungojnë as rastet kur qytetarët denoncojnë raste helmimi. Për të gjitha ankesë-denoncimet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektimet e nevojshme dhe ka marrë masat përkatëse për secilin rast,  që nga gjoba, paralajmërime dhe bllokime aktivitetesh.