Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj se dinë të presin mjaft mirë mikun, duke e bërë tipar të dallueshëm mikpritjen e tyre në mbarë botën. Por vitet e fundit Shqipëria është kthyer edhe në vendin ‘mikpritës’ të kultivimit të kulturave të reja e të veçanta bujqësore.
Paulonia, shafrani i Indisë dhe së fundmi aloe vera kanë gjetur terrenin e përshtatshëm të kultivimit edhe në tokat shqiptare, si një tregues i qartë mbi mundësitë që ofron vendi ynë për zhvillimin e tyre. Aloe vera, këtë bimë jo të panjohur në Shqipëri, e gjejmë së fundmi në një tjetër formë kultivimi, ndryshe nga ajo e zakonshmja, në një serë të mirëfilltë.
Ai ka ndërtuar serën e parë me aloe, bimë e cila deri para pak kohësh është kultivuar në mënyrën rastësore, e përdorur kryesisht për përdorimeve vetjake. Një iniciativë e nxitur fillimisht nga një eksperiencë personale, e përforcuar nga ndjekja e studimeve për politika bujqësore dhe në fund e vulosur nga një fitore në konkursin e biznesit ‘Green Ideas’ të organizuar nga organizata “Partners Albania”.
Mundësitë e kultivimit
Pavarësisht rezistencës, kultivimi i bimëve të ndryshme varet shumë nga disa faktorë. Pozita gjeografike është një element shumë i rëndësishëm për ‘mbijetesën’ dhe zhvillimin e kulturave bujqësore, përfshirë edhe aloe verën.
Albi Sulo tregon se, krahas pozitës gjeografike mjaft të favorshme, një faktor mjaft i rëndësishëm është edhe shumëllojshmëria e kushteve klimatike, një prej potencialeve më të mëdha të vendit. Por klima e butë me ndikim të masave mesdhetare në perëndim të vendit, sipas Albit, nuk është gjithnjë e mundur që të lehtësojë procesin e mbjelljes dhe kultivimit të kësaj bime në natyrë. Kjo, pasi temperaturat e ulta edhe pse për një periudhë të shkurtër kohe, mjaftojnë për ta dëmtuar bimën.
“Duke ditur që sasia e rrezatimit diellor është e mjaftueshme dhe të gjithë elementët e tjerë natyrorë janë të mjaftueshëm, i vetmi risk ishte temperatura. Këtë risk ne arritëm ta minimizonim nëpërmjet shfrytëzimit të mikroklimës së klimës mesdhetare. Duke patur njohuritë e duhura për të krijuar një zonë mikro klimaterike shfrytëzuam një “xhep” natyror me drejtim nga jugu, i rrethuar në tre anët nga pemë të larta dhe i hapur drejt drejtimit të jugut. Aloe vera është rezistente ndaj periudhave të thata, relativisht rezistente ndaj periudhave me lagështi dhe pak rezistente përsa i përket ngricave. Pra, nëse do të kishim më shumë ngrica (të cilat zgjasin), bima do ta kishte të vështirë mbijetesën”, shpjegon për SCAN Magazine, Albi.
Aloe vera është një bimë mjaft rezistente e cila rritet mjaft mirë në rajonet e thata dhe me reshje minimale që variojnë nga 1000-1200 mm. Për rritjen më të mirë të bimëve, e përshtatshme do të ishte një lloj toke pjellore e drenazhuar.
Dhe janë pikërisht të gjithë këto elementë të cilët mundësojnë kultivimin natyror të kësaj bime në mënyrë efektive dhe të shëndetshme, pasi toka i ofron mundësinë e përthithjes së të gjitha elementëve të nevojshme për rritjen e saj.
Aloe vera, mundësitë për tregti
Krahas të qenit një produkt super i ngarkuar me minerale dhe vitamina, aloe vera është një mundësi e madhe për ta shndërruar në një biznes fitimprurës. Kjo është potencialisht më e vlefshme, veçanërisht në ditët e sotme kur bota është bërë më ‘organike’ në kërkim të produkteve bio. Varitetet e aloe verës janë të pafundme, por sipërmarrës Albi tregon se në serën e tij aktualisht gjenden 30 lloje të ndryshme, dhe numëron në total 4 000 rrënjë.
Nga këto, vetëm dy prej tyre përdoren për tregti për shkak të vetive mjekësore që kanë. Por, sipas tij, një pjesë e tyre do të përdoren për qëllime studimore dhe koleksioni. Sa i takon mënyrës së gjetjes së kësaj bime, një pjesë e tyre janë mbjellë prej kohësh, ndërkohë pjesa tjetër janë siguruar përmes importit. “Sot janë rreth 4000 bimë që kultivohen për qëllime tregtare, ndërsa kapaciteti i tokës ka ende potencial për zhvillime më të gjera.
Një pjesë e konsiderueshme e Aloeve janë mbjellë me vite ndërsa një pjesë tjetër e konsiderueshme janë zgjedhur bazuar në parametrat dhe kërkesat e standardeve tona dhe janë marrë nga jashtë nëpërmjet firmave të import – eksportit.” Aloe Vera është një lloj bime mjaft rezistente, e cila mund të mbillet në çdo kohë të vitit. Me rëndësi është marrja e masave të nevojshme për çdo sezon për të bërë përshtatjen e duhur edhe klimën. Por, në vendin tonë bazuar sigurisht edhe me kushtet klimatike, muaji Mars shihet edhe si periudha ideale për ta mbjellë atë.
Sa i takon përdorimit të kimikateve për rritjen e tyre, Albi thekson se ndalohet në mënyrë kategorike rritja artificiale përmes tyre, pasi kjo mund të shoqërohet me pasoja shumë të rënda jo vetëm për bimët, por edhe për përdoruesit e tyre. Pesticidet, toka me mungesë të lëndëve organike dhe me ngarkesë metalesh nuk janë aspak të përshtatshme për Aloe Verën të cilat rrezikojnë në çdo kohë të kontaminohen si rrjedhojë e pranisë së një prej këtyre elementëve.
Aloe vera në Shqipëri
Kultivuesit e Aloe Verës kanë padyshim një treg mjaft të gjerë për shitjen e saj. Kompanitë farmaceutike, kozmetike apo produkteve bimore janë padyshim blerësit më të mëdhenj të këtij produkti, të cilët janë lehtësisht ‘të kapshëm’ nëpërmjet strategjive të marketingut.
Por, në të njëjtën kohë, teknologjia e ka bërë akoma më dinamik tregun, pasi shitjet online tashmë janë një mundësi e artë për biznesmenët. Sipërmarrës të ndryshëm në të gjithë botën përdorin Amazon, Flipkart apo platforma të tjera të ngjashme për promovimin dhe shitjen online të kësaj bime. Nga ana tjetër, krijimi i një faqeje online të dedikuar për të arritur direkt te konsumatori, pa pasur nevojë për një ndërmjetës, është një tjetër mundësi e jashtëzakonshme për tregtimin e Aloes.
Aloe vera nuk është një bimë e panjohur për Shqipërinë. Nuk janë të paktë ata të cilët e kanë kultivuar dhe vazhdojnë ta kultivojnë atë në formën klasike, në vazo, për qëllime personale. Por, kjo bëhet më e vështirë kur bëhet fjalë për përdorimin e saj për qëllime tregtare, pasi hyjnë në lojë shumë elementë.
Megjithatë, target grupi i interesuar për këtë produkt ashtu si në botë, është mjaft i përcaktuar edhe në vendin tonë, i kryesuar nga kompanitë farmaceutike për shkak të vetive kuruese të Aloes. Interesi për këto lloj bime shumë të përdorur është mjaft i lartë sipas Albit. Ai shton se kanë nisur ndërkohë edhe marrëveshjet e para me sipërmarrjet farmaceutike bimore.
“Mund të them që është pritur me goxha interes. Kemi marrëveshje me disa sipërmarrje farmaceutike bimore dhe gjithashtu kemi realizuar shitje te publiku i gjerë, madje edhe jashtë Shqipërisë. Kërkesat kanë nisur dhe deri tani për një kohë shumë të shkurtër janë mbi pritshmëritë tona”, ndërsa shton më tej se krahas atyre vendas, po synon njëkohësisht edhe tregjet ndërkombëtare.
E për realizimin e kësaj të fundit, ai thotë se po punon për certifikimin me standardet ‘Bio’ të Komisionit Europian, në mënyrë që të mund të ketë mundësi të eksportojë në masë të madhe me vendet e BE.
Kërkesa për produktin
E njohur edhe si ‘bima e përjetësisë’ e cila u shërben padyshim të gjithë individëve, Aloe Vera gjen një përdorim mjaft të gjerë në shumë fusha. Ashtu si në botë, edhe në vendin tonë kjo bimë përdoret kryesisht për qëllime mjekësore, kryesisht si ilaç për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.
Rritja në një mjedis natyror me elementë organikë dhe pa asnjë lloj kimikati e bën këtë një bimë shumë më efektive në përdorim, në krahasim me ato që rriten në vazo sipas Albit. Aloe Vera shitet në forma të ndryshme, si xhel apo gjethe. Sa i takon kësaj të fundit, Albi sqaron edhe procedurën që ndjek në mënyrë që bima të mos dëmtohet pas këputjes së gjethes, por të vazhdojë të rritet dhe të jetë ende ‘frytdhënëse.’
“Ruajtja e kësaj qëndrueshmërie është edhe vetë fakti që në i tregtojmë si gjethe. Kësisoj, edhe vete gjethen nuk e presim (që të mos jetë “viktimë” e agjentëve atmosferikë), por e këpusim atë bashkë me një pjesë të kërcellit duke mos dëmtuar bimën në mënyrë që edhe vetë gjethja të jetë si rezervuar natyror i xhelit dhe të bëjë të mundur që xheli të rezistojë 3-4 javë pa humbur asnjë lënde aktive”, shpjegon ndër të tjera Albi.
Ndërsa i referohet porosive të mbërritura, Albi thotë se pjesa më e madhe e tyre konsistojnë në blerjen e gjetheve mjekësore të ngrënshme. Klientët sipas tij në Shqipëri e përdorin më së shumti për përdorime eksternale (të jashtme), që lidhen kryesisht me problemet e lëkurës. Por, së fundmi, ka edhe një tendencë për përdorime eksternale pasi po e përdorin atë edhe në ushqime apo pije, si smoothie për të marrë vlera ushqyese.
Sa i takon kompanive farmaceutike, Aloen e përdorin veçanërisht në formën e xhelit kryesisht për përgatitjen e kremrave, skrubeve apo maskave për fytyrën.
Ndërkohë, një element mjaft i rëndësishëm është edhe paketimi kur vjen fjala për Aloe Verën. Albi shpjegon se kjo është me rëndësi jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, por edhe të mjedisit. Në këtë mënyrë, ai thotë se paketimi për çdo porosi nuk bëhet me qese plastike, por me pako letre 100% të riciklueshme.
A ia vlen të investosh?
Në botë, kostoja më e vogël e investimit dhe fitimi i lartë e bëjnë këtë një nga bizneset më fitimprurëse. Po ashtu, kërkesa në rritje e produkteve bimore dhe kozmetike dhe kompanive farmaceutike janë një tjetër faktor shumë i rëndësishëm për ta parë këtë lloj bime si një sipërmarrje me mjaft leverdi.
Aloe Vera është një biznes mjaft popullor në Afrikën e Jugut, Indi, Pakistan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Kanada apo Australi. Popullariteti i saj po rritet dita-ditës duke e bërë atë një nga produktet më të përdorura.
Janë një sërë elementësh që kërkojnë një investim të majmë kur bëhet fjalë për Aloe Verën. Kostoja e punës, mirëmbajtja, sigurimi i fidanëve, ujitja, por edhe marketingu apo transporti për dërgesat janë kërkojnë para. Kostoja e lartë vlen për vitin e parë të sipërmarrjes, pasi në vitet në vazhdim ajo reduktohet.
Në vendin tonë po ashtu shihet një tendencë në rritje e përdorimit të Aloes, e cila tashmë pothuajse është bërë pjesë e pandarë e industrisë farmaceutike dhe jo vetëm. Por, sa ia vlen të investosh në Shqipëri kur bëhet fjalë për ndërtimin e një agrikulture të tillë bujqësore mjekësore?
Albi tregon se kostoja për rritjen e këtij produkti në mënyrë organike, sigurisht është mjaft e konsiderueshme krahasuar me koston e shumë bimëve të tjera mjekësore. Sipas tij, ajo varion nga 80 deri në 250 mijë euro për 1 hektar tokë, kosto e cila përmbledh të gjithë faktorët që bëjnë të mundur mbjelljen dhe rritjen e Aloe Verës.
“Investimi për këtë lloj sipërmarrje ndryshon shumë nga njëri vend në tjetrin. Në Shqipëri, një investim për 1 hektar shkon nga 80 mijë deri në 250 mijë euro” – shprehet ai.
Fermerë të ndryshëm nëpër botë thonë se nëse ndjekin dhe zbatojnë teknika të përshtatshme, ata mund të kenë një fitim vjetor nga 12 mijë deri në 25 mijë dollarë për hektar. Në shumë vende ku kultivohet kjo lloj bime, fermerët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar ekipe bashkëpunuese për të zhvilluar këtë lloj industrie.
Ashtu si në shumë vende të huaja, edhe në Shqipëri përveç investimit fillestar, të shumta janë edhe metodat e përhapjes së këtij biznesi. Ato janë të pafundme, duke filluar nga hapja e një dyqani për shitjen e Aloe Verës në formë xheli, lëngu apo përmes mënyrave të tjera. Këto dhe mundësitë të tjera të shkëlqyera tregtimi apo marketingu janë të duhurat për të rritur fitimet.
Aloe Vera shihet si sipërmarrje mjaft frytdhënëse për shkak të kthimit të kënaqshëm të investimit për fermerët. Kohët e fundit është bërë biznes mjaft i njohur, duke u kthyer në një industri të fuqishme në shumë vende të botës. (SCAN)