Për prodhimtarinë e suksesshme të misrit në bashkëshoqërim me fasulen duhet ndërmarrë masa mbrojtëse me qëllim të kontrollit të barërave të këqija, sëmundjeve dhe insekteve. Misrit në bashkëshoqërim me fasulen, barërat e këqija i shkaktojnë dëme të mëdha direkt dhe indirekt si dhe ndikojnë në aspektin kuantitativ dhe kualitativ.
Hulumtimet janë kryer për të përcaktuar llojet më të rëndësishme të barërave të këqija, ndikimin e herbicideve dhe ngastrës me intervenim mekanik, përhapjen dhe kontrollin e tyre me herbicide të ndryshme si dhe ndikimi i tyre në rendiment të misrit dhe fasules.
Në bazë të rezultateve herbicidet e përdorura nuk kanë pasur efikasitet shumë të mirë në numrin dhe llojet e barërave të këqija në krahasim me ngastrën kontrollë dhe me intervenim mekanik. Efikasitetin më të lartë e ka arritur herbicidi acetochlor 80.0për qind, pastaj kombinimi i herbicideve linuron + pendimethalin 76.7për qind. Ndërsa, herbicidet cycloxydim dhe s-metolachlor kanë treguar efikasitet dukshëm më të dobët me 58.5për qind, respektivisht 45.5për qind.
Numri i llojeve të barërave të këqija ka qenë mjaft i madh, gjithsej kanë qenë të pranishme 23 lloje, dhe këto lloje më se shumti i takojnë këtyre familjeve: Poaceae, Scrophulariaceae, Asteraceae, Polygonaceae, Lamiace dhe Fabaceae etj.
Llojet dominante ishin barërat e këqija dominante, në ngastrat kontrollë si: Chenopodium album 23.5 bimë/m2, Stachys annua 21.2 bimë/m2, Amaranthus retroflexus 14.0 bimë/m2 dhe Setaria glauca 4.8 bimë/m2.
Format jetësore të barërave të këqija janë me rëndësi të veçantë, në bazë të rezultateve nga hulumtimet e kryera, sa i përket formave jetësore, ato i përkasin formave të ndryshme jetësore, por kanë dominuar terofitet 70.0 për qind, hemikriptofitet 20.0 për qind, ndërsa me paraqitje më të vogël ishin geofitet 10.0 për qind.
Sa i përket llojeve të barërave të këqija në aspektin morfologjik, 83.0 për qind prej tyre janë gjethegjera, kurse 17.0 për qind prej tyre kanë qenë gjethengushta. Llojet dominante nga familja Poaceae ishin: Alopecurus myosuroides, Echinochloa crus-galli, dhe Setaria glauca.
Rendimenti më i lartë i misrit është arritur në ngastrat ku është përdorur herbicidi acetochlor (4.050 kg/ha), pastaj ngastra e trajtuar me kombinimin e herbicideve linuron + pendimethalin (3.187 kg/ha) ndërsa, dy herbicidet tjera kanë arritur rendiment dukshëm më të ulët, cycloxydim (1.480 kg/ha) dhe rendimenti më i ulët është arritur në ngastrën e trajtuar me herbicidin s-metolachlor (1.270 kg/ha).
Derisa, në ngastrën me intervenim mekanik (prashitje) rendimenti ka qenë mesatarisht i mirë (2.472 kg/ha). Rendimenti më i ulët nga të gjithë tretmanët ishte në ngastrën kontrollë me vetëm (742.5 kg/ha).
Rendimenti më i lartë i fasules është arritur në ngastrat ku është përdorur kombinimi i herbicideve linuron + pendimethalin (3.120 kg/ha), pastaj ngastra e trajtuar me herbicidin acetochlor (2.330 kg/ha), ndërsa dy herbicidet tjera kanë arritur rendiment më të ulët, cycloxydim (1.570 kg/ha) dhe rendimenti më i ulët është arritur në ngastrën e trajtuar me herbicidin s-metolachlor (1.320 kg/ha).
Por, është mjaft karakteristike se në ngastrën me intervenim mekanik (prashitje) rendimenti ka qenë relativisht i mirë (2.170 kg/ha). Rendimenti më i ulët nga të gjithë tretmanët ishte në ngastrën kontrollë me vetëm (810 kg/ha).