Me ngrohjen e klimës fillojnë dhe problemet me sistemin imunitar, përgjithësisht tek të gjitha kafshët por veçanërisht tek viçat e rinj të cilët nuk kanë ndërtuar akoma sistem të forte imunitar për të përballuar këto ndryshime. Është shumë e rëndësishme që me ndihmën e mjekut veteriner të tregohet kujdes për të pasur mundësi të rifreskojmë dhe të kontrollojmë protokollin që kemi për rritjen sa më të shëndetshme të viçave.
Me poshtë po sjellim disa këshilla për të gjithë fermerët:
Vaksinimi dhe rivaksinimi
Është e këshillueshme që viçat të marrin vaksinën për sëmundjet respiratorë që në lindje, në këtë mënyrë të mbrohen nga sulmet e patogjenëve që shkaktojnë sëmundjet respiratorë. Llojet e vaksinave janë disa p.sh., ne po përmendim vaksinën që jepet nga hunda (intranazale) e quajtur INFOFORCE.
Është normale që mjeku veteriner mund të sugjeroje dhe përdore vaksinë të prodhuar nga kompani të ndryshme apo me tjetër emër.
Po ashtu rekomandohet që e njëjta vaksinë të rifreskohet (të jepet sërish) para se viçat të kalojnë në mbajtjen në grupe.
Ushqejeni viçin për të mbajtur hapat e rritjes
Kur viçi lind, është shumë e nevojshme që të ushqehet menjëherë me kulloshtrën e nënës së tij. Kulloshtra përmban antitrupa që janë të nevojshëm dhe të pazëvendësueshëm nga ndonjë produkt tjetër. Ushqejeni viçin pa u kursyer me kulloshtrën e lopës. Në këtë mënyrë trupi i tij (viçit) merr antitrupat e nevojshme për të ndërtuar një sistem imunitar sa më të shëndetshëm, si dhe gjithashtu kalimi i kulloshtrës në organet tretëse, ndihmon në maturimin e tyre (veçanërisht të zorrëve).
Para se ta kaloni viçin nga ushqimi me qumësht në ushqime blegtorale (bar, koncetrat, miser etj etj) sigurohuni që viçi të ketë marrë mjaftueshëm kalori dhe proteinat e nevojshme. Duhet që viçat në moshën 60 ditëshe ta kenë dyfishuar peshën trupore të tyre me peshën që kishin në momentin e lindjes. Fusni në dietat ushqimore qumësht apo dhe produkte që zëvendësojnë qumështin.
Ushqeni viçat bazuar në peshën trupore të secilit si dhe racën. Racioni ushqimor dhe qumështi që ju jepet viçave duhet të bazohet në temperaturën që është jashtë stalle (djegia e kalorive nga vetë viçat ndryshon në bazë të kushteve atmosferike), në mënyrë që e plotësojnë nevojat e lindura nga kaloritë e djegura.
Tregohuni të rregullt me orarin e të ushqyerit dhe sasinë e përdorur.
Kujdesi ndaj stallave
Me ngrohjen e temperaturave është periudha e duhur për të nxjerrë jashtë plehun e grumbulluar nga periudha e ftohtë dhe e lagësht e dimrit.
Ç’do ditë viçat kanë nevojë të dalin dhe të freskohen në ajër të pastër gjatë ditës, por mbasi i fusni në stallë kujdesuni që ajo të jetë e mbyllur mirë në mënyrë të ruhet shëndeti i viçave nga ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës që ftohet gjatë netëve të fillimit të pranverës.
Në ditët e ngrohta, pasi keni nxjerrë viçat jashtë për ajrosje, lajini mirë sipërfaqet (me cimento), duke përdorur ujë (preferohet i ngrohtë) me presion.
Bisedoni me mjekun veteriner për më shumë ide dhe këshilla rreth kujdesit të viçave në periudhën e pranverës.