Reklame:

Punet ne bletari per muajin prill

Muaji prill është i njohur për lulëzimin e pemëve të ndryshme, si dhe për fillimin e kullosave më të begatshme për bletët.

Gjatë këtij muaji natyra ofron kullosa nga të cilat bletët mbledhin nektarin dhe pjalmin e që janë jetike për zhvillimin e vrullshëm të shoqërive të bletëve.

Këtë begati natyrore bletët e shfrytëzojnë shumë mirë duke krijuar rezerva të pjalmit dhe nektarit, i cili kryesisht do të shfrytëzohet për rritjen e gjeneratave të reja të bletëve, dhe si rezervë për periudhat më të varfëra me kullosë, e që kjo mungesë reflektohet negativisht tek bletët.

Kjo ndodh nga fundi i muajit prill kur në masë të konsiderueshme pakësohet kullosa gjer sa të vjen faza e dytë dhe atë nga bimët e livadheve.

Preferohet që në këtë kohë dhe në këto situata të intervenojnë bletarët dhe atë në këto mënyra:
1. Të vazhdohet me zgjërimin e hapsirës së tufës së shoqërisë, me qëllim të pengimit të prirjës së roitjes natyrale, sepse nëse bëhet vonesa në këtë kohë, më vonë nuk do të mund ta pengojë ( kjo vlen për shoqëritë e forta ).
2. Të hiqen 1-2 korniza me mjaltë dhe larva (mvarsisht nga fuqia e shoqërisë) dhe të formoni nukleus të ri, kurse në vend të tyre shtohen korrniza të reja me petë dylli.
3. Të zavendësojë mëmat e vjetra me mëma të reja, sepse mëmat më të reja se një vjet e kanë prirjen për roitje shumë më të vogël.
4. Nëse ka amëzor të eliminohen ose nëse kemi nevoj për ta, të njejtit i presim dhe i shartojmë në nukleus. Me këtë mënyrë nuk do ta eliminojmë në tërsi prirjen për roitje natyrale, por vetëm do ta prolongojmë – shtyjmë për një kohë. (KËSHILLAT NË PIKAT 2, 3 DHE 4. VLEJNË KRYESISHT PËR VISET ME KLIMË MË TË NXEHTË KURSE PËR VISET ME KLIMË MË TË FTOHET, KËTO PROCESE ZHVILLOHEN KRYESISHT GJATË MUAJIT MAJ)
5. Ndërrimi i vendeve të koshereve, nëse ndonjera ka prirje për roitje, mundëson zvoglimin e numrit të bletëve mbledhëse në atë zgjua, ndërsa tjetrën e forcon.
6. Sipas nevojës vazhdohet me ushqim stimulues.

Shpëtimi i shoqërive nga mëmat e rrejshme dhe ato mashkullore 

– Në zgjua nga një herë ndodhë të krijohet mëma e rrejshme nga bletët punëtore, të cilat lëshojnë vezë të pa fekonduara prej të cilave lindin vetëm brumbujt.
– Nëse në zgjua kemi mëmën e bletëve, e cila është e pa fekonduar, ajo lëshon vezë nga të cilat poashtu lindin vetëm brumbuj, atëherë ajo është mëmë e pafekonduar apo mëmë mashkullore.
– Në të dy këto raste veprimi i duhur (ka edhe veprime të tjera) është që ato shoqëri të shkundën diku në skajet e bletishtës, pas dite ose në mbrëmje, të vendoset kosherja përsëri në vendin e njejtë ku do të kthehen përsëri bletët punëtore (mëmat e rrejshme dhe ato mashkullore nuk do të kthehen) dhe atyre shoqërive (nëse jan të forta) u ipet mëma e re e fekonduar, ose këto shoqëri (nëse janë të dobëta) bashkohen me ndonjë shoqëri tjetër me fuqi mesatare, të cilat i kanë mëmat.

Bashkimi i shoqërive të bletëve 

– Bashkimi i shoqërive të bletëve bëhet me qëllim të krijimit të shoqërive të forta me mundës të shfrytëzimit të kullosave për prodhimin e mjaltit.
– Bashkimi i shoqërive të bletëve bëhet vetëm kur në bletishte i kemi bletët e shëndosha dhe pa ndonje sëmundje.
– Bashkimin – përforcimin e bëjmë në atë mënyrë që nga një zgjua(zgjojet ndihmëse) nxjerrim një apo më shumë korrniza të plota me larva-mbarsim nga e cila i largojmë të gjitha bletët dhe këtë ia shtojmë shoqërive prodhuese.
– Në vendet ku i kemi marrë kornizat me larva vendosim korniza të reja me petë dylli.
– Ky veprim kryhet sëpaku 25. ditë para fillimit të kullosës së pritur.

Barazimi i shoqërive të bletëve për nga fuqia

– Në zgjojet më të dobëta në bletishte gradualisht i shtojmë nga 1 – 2 korniza, me qëllim që t’i shfrytëzojmë sa mëmirë për kullosa. Nga zgjojet e dobëta edhe ashtu nuk do të kemi ndonjë dobi të madhe.
– Zgjojet e përforcuara duhet t`i kemi nën kontrollë që eventualisht mos ta fitojnë prirjen për roitje.
– Zgjojet e dobëta i stimulojmë me ushqim të lëngët.

Pjalmi si rezervë

– Nëse gjatë muajit prill kemi kullosë shumë të pasur dhe grumbullim të madh të pjalmit, atëherë atë duhet ta mbledhim dhe ta ruajmë si rezervë për më vonë.
– Kur vërejmë se bletët mbledhin pjalm në sasi më të mëdha, atëherë vendosim mbledhësit e pjalmit në hyrje të koshereve në mënyrë periodike 1-2 ditë, pastaj pauzojmë po aq kohë me qëllim që t’u mundësojmë që edhe bletët të mbledhin për nevoja të veta.
– Pjalmi i mbledhur duhet të ruhet në frigorifer me ngrirje të thellë -18 °C, (për një kohë më të gjatë i ruan përmbajtësit e vlefshëm ), ose të thahet nën hije e pastaj të ruhet ne vend të thatë e të errët (për 6. muaj humb rreth 30% nga përbërësit e vlefshëm).