Reklame:

Ushqimi dhe semundjet metabolike te lindura

Dihet ndikimi pozitiv apo negativ i ushqimit tek njerëzit që kanë problem të lindur me intolerancën ndaj përbërësve të veçantë ushqimorë si laktoza, gluteni, etj.

Kujdesi për këto sëmundje ka të bëjë me shmangien e disa ushqimeve, apo përdorimin e ushqimeve analoge të shëndetshme për zëvendësimin e substancave të dëmshme të prodhuara nga një metabolizëm individual difektoz apo i gabuar.

Metabolizmi difektoz apo i gabuar ndodh në raste të rralla, por me kalimin e moshës mund të ndodhë edhe nga ushqimi i paekuilibruar në raportet karbohidrate/proteina/yndyra apo mungesë vitaminash dhe kriprash organike, apo edhe nga faktorë të tjerë, si përdorimi i duhanit dhe alkoolit.

Shembull për këtë janë sëmundjet kardiovaskulare nga përqëndrimi mbi normë i yndyrave në gjak. Dhe, një nga mënyrat e mënjanimit të këtij rreziku është përdorimi i acideve yndyrorë Omega 3, që ulin nivelet e triglicerideve (yndyrës) në gjak.
Shembuj të tillë tregojnë lidhjen direkte shkak-pasojë ndërmjet ndryshimit të gjendjes shëndetësore (shërimit) me ndryshimin e regjimit ushqimor.

Pra, metabolizmi del në pah si mekanizmi kryesor, si hallka e vetme lidhëse, ndërmjet ushqimit dhe funksionimit normal të organizmit.

Roli i këtij mekanizmi, ushqim-metabolizëm-shëndet, duhet të vihet në qendër të analizës së shëndetit tonë dhe të “politikës” ushqimore në rang shtetëror dhe familjar.

Në dukje, problemi mund të paraqitet shumë kompleks: ushqime të shumta dhe veçori metabolike individuale të panumërta sa vetë numri i panumërt i njerëzve!

Por zgjidhjet e këtij kompleksiteti mund të jenë shumë të thjeshta.

Si të parandalojmë sëmundjet
Kur elementët ushqimore të prejadhur nga ushqimi shpërndahen në qelizat e çdo indi të organizmit tonë, problemi fillon të komplikohet aq shumë saqë diagnostikimi i çdo sëmundje përbën hapin kryesor e më të vështirë. Këtu fillon edhe mjekimi i sëmundjes, që përgjithësisht merret me pasojën dhe jo me shkakun.

Pa mohuar rolin e domosdoshëm të trajtimit të pasojave, theksojmë se për të parandaluar komplikime të tilla duhen marrë masat që në fillim, nëpërmjet ushqimit: shumllojshmërisë, sasisë dhe cilësisë së tij.