Edhe pse ndoshta nuk vihet re që në fillim, mungesa e vitaminave çon në probleme shëndetësore serioze. Ajo që mund të konsiderohet një dietë e balancuar sot përdoret nga shumë pak njerëz pasi shumë prej nesh në fakt kanë zhvilluar zakone të varfra të të ushqyerit.
A keni menduar ndonjëherë pse fjala “Vitaminë” zakonisht shoqërohet nga termi “Esenciale”? Arsyeja është e thjeshtë. Vitaminat ashtu si mineralet sigurojnë, që trupi ynë t’i kryejë funksionet e tij në mënyrë të përshtatshme. Është interesante pasi edhe pse vitaminat janë kaq të domosdoshme për organizmin, pjesën më të madhe të tyre ai nuk ka aftësi t’i sintetizojë vetë. Apo më mirë të themi, organizmit i duhet të mbështetet në burimet e jashtme për të plotësuar nevojat e tij vitaminike.
Vitaminat janë përbërje organike dhe gjenden në shumë nga ushqimet që konsumojmë. Për të siguruar funksionet thelbësore të organizmit nevojiten trembëdhjetë vitamina të cilat e ndihmojnë organizmin në mbrojtjen ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të ndryshme, në proceset kimike të metabolizmit, në prodhimin e hormoneve, në
procesin e rritjes dhe largimit të produkteve të dëmshme nga organizmi etj. Ato janë si blloqe ndërtimi. Një organizëm i shëndetshëm është i aftë t’i vendosë këto blloqe së bashku për të krijuar enzima e hormone, që përveç të tjerave kontrollojnë rrahjet e zemrës, presionin e gjakut, nivelet e glukozës dhe reaksione të tjera kimike.
Sasia ditore e lejuar e vitaminave të ndryshme varion duke u nisur nga mosha e personit dhe gjendja aktuale shëndetësore. P.sh.: gratë shtatzëna kanë nevojë për kombinime të vitaminave të ndrysh
me, që të mbrojnë fetusin nga defektet e lindura. Meshkujt e rritur kanë kërkesa të ndryshme nga ato që kanë femrat. Po ashtu fëmijët, adoleshentët, të moshuarit, gjithsecili ka kërkesa të ndryshme vitaminike.
Pamjaftueshmëria e vitaminave
Vlera e të ngrënit të disa ushqimeve në dobi të shëndetit i ka rrënjët që në kohët e lashta, pra shumë më herët se të identifikoheshin vitaminat. Për shembull, egjiptianët e vjetër e dinin që ngrënia e mëlçisë mund të ndihmonte për të kuruar verbërinë e natës, një sëmundje që tani dihet se shkaktohet nga mungesa e vitaminës A.
Edhe pse ndoshta nuk vihet re që në fillim, mungesa e vitaminave çon në probleme shëndetësore serioze. Ajo që mund të konsiderohet një dietë e balancuar sot përdoret nga shumë pak njerëz pasi shumë prej nesh në fakt kanë zhvilluar zakone të varfra të të ushqyerit. Ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre, ushqimet e gatshme, fast food-et apo ushqimi i restoranteve, kanë zënë vendin e ushqimeve të shëndetshme.
Duke qenë se nuk mund të shohim se ç’ndodh në brendësi të trupit tonë, është e vështirë të kuptojmë më mirë efektet negative që mund të ketë një dietë e varfër për organizmin.
Pamjaftueshmëria e vitaminave klasifikohet si primare dhe sekondare. Pamjaftueshmëria primare ndodh kur nuk merret sasia e nevojshme e vitaminave me ushqim.
Pamjaftueshmëria sekondare vjen si pasojë e çrregullimeve që ndodhin në përthithjen apo përdorimin e vitaminave si rrjedhojë e sëmundjeve të ndryshme, përdorimit të ilaçeve që frenojnë përthithjen e tyre, konsumimi i alkoolit dhe duhanit etj. Duke qenë se pjesa më e madhe e vitaminave nuk depozitohen në organizëm, njeriu e ka të nevojshme t’i marrë ato çdo dite në mënyrë që të shmangë pamjaftueshmërinë.
Vitaminat A, D, dhe B12 depozitohen në organizëm në sasi të konsiderueshme, veçanërisht në mëlçi, kështu që duhet të kalojë një periudhë kohe e caktuar para se të vihet re rënia e sasisë së tyre.
Disa nga sëmundjet e njohura që vijnë si pasojë e mungesës së vitaminave janë: Beriberi (mungesa e tiaminës), Pellagra (mungesa e niacinës), Skorbuti (mungesa e vitaminës C), Rakiti (mungesa e vitaminës D), Anemia megaloblastike (mungesa e vitaminës B12), etj. Mungesa totale e vitaminave mund të çojë deri në vdekje. Mungesa e vitaminave dhe parandalimi i problemeve që vijnë si rrjedhojë e kësaj, mund të evidentohen duke bërë një analizë të thjeshtë gjaku.
Në vendet e zhvilluara pamjaftueshmëria vitaminike është e rrallë si rrjedhojë e pajisjes dhe shtimit në ushqime të vitaminave dhe mineraleve, të quajtura ndryshe dhe ushqime të fortifikuara.
Klasifikimi
Siç thamë në organizmin e njeriut gjenden 13 vitamina të cilat klasifikohen në dy kategori:
1. Vitaminat e tretshme në yndyrna dhe
2. Vitaminat e tretshme në ujë
Vitaminat e tretshme në yndyrna janë katër (A,D,E dhe K). Ato përthithen nga trakti tretës me ndihmën e lipideve (yndyrnave). Këto vitamina akumulohen në organizëm me shpejt se ato të tretshme në ujë, prandaj marrja e tyre në sasi të mëdha mund të çojë në hipervitaminozë (tepricë të tyre ne organizëm).
Vitaminat e tretshme në ujë janë nëntë (8 vitamina të grupit B dhe vitamina C). Ato shpërbëhen shpejt në ujë dhe në përgjithësi ekskretohen lehtësisht nga organizmi, aq sa përmbajtja e tyre në urinë është një tregues i mirë i konsumit të tyre.
Vitamina A është e rëndësishme për të mbajtur të shëndetshëm dhëmbët, kockat, indet e buta, membranat mukoze, lekurën si dhe në qartësimin e shikimit. Është e nevojshme në prodhimin e ARN-së dhe hormoneve. Vitamina A ka veprim antioksidant pasi largon radikalet e lira, apo toksinat nga organizmi.
Për këtë dhe për shkak të aftësisë së reduktimit të rrudhave është quajtur edhe vitamina “kundër-plakjes”. Gjithashtu ndihmon në rritjen e imunitetit dhe uljen e kolesterolit. Mëlcia e peshkut është një nga burimet kryesore të vitaminës A.
Ajo gjendet gjithashtu tek vezët, mishi, qumështi dhe ajka e tij, djathi, mëlcia, veshka, merluci, vaji i peshkut. Frutat me sasi të lartë të vitaminës A janë nektarinat, kajsitë, pjepri, mandarinat, kumbullat, shalqiri dhe mangot. Perimet me ngjyrë jeshile të errët (lakra jeshile, cikorja, brokoli, bizelet, sallata jeshile etj), kungulli, specat e kuq, rrepat, patatet e ëmbla dhe domatet janë burime të shkëlqyeara të vitaminës A.
Sasia ditore llogaritet në 5000 IU (Unite). Mungesa e saj fillimisht prek shikimin, sidomos uljen e shikimit natën apo siç quhet ndryshe “verbëria e natës”,mund të shkaktojë keratomalaci dhe gjithashtu si rezultat i kësaj mungese mund të shfaqen akne të lëkurës dhe psoriazë.
Vitamina D (kolekalciferoli) është e vetmja vitaminë, që trupi mund ta prodhojë vetë. Njihet edhe si vitamina e “dritës së diellit” duke qenë se për prodhimin e saj nevojitet ekspozimi në rrezet e diellit. Nuk është e nevojshme të qëndrohet në diell gjatë gjithë kohës pasi një orë në javë është e mjaftueshme për të prodhuar sasinë e nevojshme të vitaminës D.
Është një vitaminë shumë e qëndrueshme dhe nuk shkatërrohet gjatë përgatitjes së ushqimeve me nxehtësi të madhe. Depozitohet në sasi të konsiderueshme në organizëm, për t’u përdorur më vonë prej tij. Vitamina D ndihmon, në thithjen e kalçiumit, i cili nevojitet për zhvillimin normal dhe të shëndetshëm të dhëmbëve e kockave, në parandalimin e osteoporozës, parandalimin e kancerit kolorektal (te zorrës së trashë), dëmtimeve të kyçeve dhe disa sëmundjeve autoimmune.
Gjithashtu ndihmon në mbajtjen e niveleve të duhura të kalçiumit dhe fosforit ne gjak. Vitamina D gjendet tek: djathi, gjalpi, margarina, ajka e qumështit, vaji i merlucit, e verdha e vezës, çerealet (drithrat), ushqimet e pasura me omega 3 (salmoni, toni, sardelet, arrat, kikirikët, lajthitë etj). Sasia ditore e rekomanduar varion nga 200 – 400 IU. Mungesa e saj shkakton rakit ku siptomat janë osteomalaci (zbutje të kockave) dhe deformime te tyre. Në moshat e rritura, mungesa e vitaminës D shkakton osteoporozë.
Vitamina E është një antioksidant i njohur edhe si tokoferol, e cila neutralizon radikalet e lira dhe mbron trupin prej veprimit dëmtues të tyre. Bashkë me vitaminat A dhe C ndihmon në ngadalësimin e proceseve të plakjes, parandalimin e kancerit të prostatës dhe tipeve të tjera te kancereve.
Luan rol në formimin e rruazave të kuqe të gjakut dhe ndihmon organizmin që të përdorë vitaminën K.
Të gjitha indet përmbajnë vitaminë E por sasitë më të mëdha janë gjetur në gjëndrën e hipofizës dhe atë mbiveshkore. Burimet e saj janë: sythi i grurit, drithërat, spinaqi dhe perimet e tjera jeshile, vajrat vegjetale, margarina, arrat, ullinjtë. Sasia ditore e rekomanduar është 12 mg (miligramë). Mungesa e saj është e rrallë por mund të ndodhë te femijët e porsalindur duke u shfaqur me shenja të anemisë hemolitike.
Vitamina K quhet ndryshe edhe vitamina e “koagulimit të gjakut”. Ajo nuk bën pjesë në listën e vitaminave esenciale, por është e rëndësishme pasi pa prezencën e saj, nuk do të ishte i mundur koagulimi i gjakut. Prodhohet në organizëm nga bakteret e zorrës dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës pasi largon kalçiumin nga muret e arterieve në mënyrë që të mos i bllokojë dhe dëmtojë ata dhe indet përreth tyre.
Përdorimi i vitaminës K për rregullimin e kalçiumit ndihmon edhe në uljen e riskut për zhvillimin e gurëve në veshka dhe osteoporozës. Vitamina K ndihmon edhe në forcimin e kockave pasi disa proteina që i mbajnë dhëmbët të shëndetshëm nuk prodhohen pa praninë e saj.
Perimet jeshile si spinaqi, lakra jeshile, lulelakra, bizelet, brokoli, bamjet dhe rrepat jeshile përmbajnë sasi të larta të kësaj vitamine. Gjendet gjithashtu edhe tek mëlçia, vezët, peshku, vaji i misrit dhe i sojës, thjerrëzat, patatet, arrat. Dozat e rekomanduara ditore janë 65-80 µg (mikrogramë).
Mungesa e kësaj vitamine vërehet zakonisht te njerëzit që kanë probleme të traktit tretës, sidomos ata që kanë çrregullime të përthithjes ose ata që kanë bërë rezeksion të zorrës. Duke qenë se është vitamina kryesore për koagulimin e gjakut, nga simptomat kryesore të mungesës së saj janë hemoragjia dhe ekimozat (mavijosjet e lëkurës).
Gjithashtu dëmtimet, që për njerëzit normalë mund të konsiderohen të vogla, në këto raste mund të marrin përmasa serioze.
Është e rëndësishme të mendohet për ushqimin si karburant apo burim energjie për organizmin. Jepini trupit tuaj karburantin e duhur dhe performanca e tij do te jetë në kapacitetet optimale. Nëse do i jepni karburantin e gabuar dhe kohë pa kohë, performanca e tij do të shkojë drejt përkeqësimit.