Jani Taçi, inxhinieri qe i’u perkushtua fermes Akuaponike

Inxhinier Jani Taçi ka zgjedhur të zhvillojë një fermë aquaponike. E gjeni në fshatin Haskolie, jo shumë larg kryeqytetit. Aquaponik Albania mban emrin ferma e inxhinierit. Ai ka studiuar inxhinieri mekanike, por kureshtja e madhe për fermat, sidomos ato aquaponike, e ka nxitur të krijonte vetë një të tillë. E ka nisur me një fermë me një sipërfaqe të vogël toke, ndërsa sot e ka zgjeruar në 500 metër katror. Ferma kultivon varitete të ndryshme sallatash, selino, spinaq zvicerian dhe shumë prodhime të tjera të këtij lloji. Krahas tyre, në fermën rriten edhe peshq dekorues të familjes Karas dhe Koi. I pyetur nga BusinessMag.al se si kanë qenë fillimet e kësaj sipërmarrje të re dhe të pa eksploruar më parë prej tij, ai përgjigjet: “Natyrisht që fillimi ka qenë i vështirë. Nuk kisha informacion dhe më është dashur të kaloj orë pa fund në google për të kërkuar rreth këtyre fermave, duke selektuar, krahasuar dhe eksperimenuar”. Deri më tani ai është i kënaqur nga rezultatet e fermës së tij dhe synon për më shumë. Duke qenë se ferma të tilla nuk kanë përhapje të gjerë në vendin tonë, ai na tregon se si funsionon.

Aquaponia është produkt i integrimit të dy sistemeve, Hidroponi + Akuakulturë. Sistemi Akuaponik ështe një sistem me cikël të mbyllur të qarkullimit të ujit. Nga vaska e peshqve uji rrjedh në shtretërit e bimëve, i pastruar e i filtruar nga bimët rikthehet te peshqit. Kërkohet monitorim i cilësisë së ujit kryesisht përsa i përket PH, i cili duhet të jetë rrotull neutrales. “Më pas gjërat rrjedhin vetë”- shprehet Jani. Kjo lloj ferme ka shumë përparësi thotë ai. Konsum të ulët uji, ushqim të shëndetshëm dhe pa pesticide. Cikli i ushqimeve bëhet në mënyrë natyrale. Është fleksibël për t’u përshtatur në sipërfaqe të vogla, mirëmbajtja dhe shërbimi janë  minimal, monitorim për rezultate të kënaqshme.Duke qenë se në bujqësi tashmë po futen terma të reja

Jani tregon të përbashkëtën e fermave Hidroponike, Aeroponike dhe Aquaponike. Ai shprehet se të gjitha këto ferma bëjnë të mundur rritjen e bimës jashtë tokës tradicionale, në ambiente të monitoruara. Por, sipas tij, në Shqipëri informacioni është shumë i paktë. I përkushtuar prej 7 vitesh kësaj ferme, ai di të na flasë për avantazhet dhe disavantazet:

 Avantazhet:

  • Mund të zhvillohet në çdo lloj ambienti apo hapësire, pasi nuk kërkon tokë (dhe).
  • Sasia e ujit që përdoret është sa 1/10 e sasisë së ujit tek bujqësia tradicionale.
  • Zero përdorim pesticidesh apo kimikatesh. Shmangie e punëve të rënda si: frezim, prashitje etj.
  • Rendiment i lartë për njësi sipërfaqe.
  • Prodhim paralel, perime dhe peshk.
  • Nuk ka nevojë për njohje të thelluar në fushën e bujqësisë
  • Minimizim i fuqisë punëtore.

 Disavantazhet:

  • Kosto fillestare e lartë ndërtimi
  • Suport me gjenerator për rastet e mungesës së energjisë.

Pak histori rreth Akuaponik

Edhe pse akuaponia përfaqëson revolucion të madh në bujqësinë e sotme dhe shumë të tjerë shohin të ardhme të madhe në shkallë globale, kjo nuk është një risi. Kjo ka histori të pasur në kombe dhe vende të ndryshme. Indianët Aztec të Amerikës ishin ndoshta të parët që e përdorën parimin e rritjes së kulturave bujqësore të kombinuar me rritjen e gjallesave ujore. Në luginën Meksikane ata improvizuan ishuj të ndërtuar artificialisht për mbjelljen e kulturave si misër, domate, fasule etj. Këta ishuj i quanin Chinampas dhe rrethoheshin nga ujrat e cekëta të liqenit, i pasur ky me lëndë ushqyese. Disa prej këtyre ishujve artificialë janë ruajtur deri në ditët e sotme dhe janë në listën e UNESKO-s. Jugu i Kinës dhe e gjithë Azia Juglindore përmenden si shembuj të hershëm të rritjes së peshkut, për pasurimin me pleh të orizoreve.

Aquaponia më së shumti lidhet me punën e Dr.Mark McMurtry në Universsitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut, ku prej viteve 1969 ai filloi të studionte dhe të paraqiste idenë e rritjes së bimëve dhe të peshqve të ndarë nga njëri-tjetri, por në funksion të njëri-tjetrit. Me studimin rreth sistemit Aquaponik u morën shumë studiues por, ishte mjeku James Rakoy, i cili bashkë me kolegët e tij ndërtuan sistemin e parë të madh Aquaponik. Pas këtyre sudimeve, Akuaponia mori një hov si hobi por edhe në fushë komerciale.Australia është një nga vendet e para që përkrahu këtë ide inovative, e më pas Amerika vendi nga nisën edhe studimet. Nga mesi i viteve 2000 Akuaponia është përhapur në të gjithë botën dhe është konsideruar gjerësisht të jetë e ardhmja e prodhimit të ushqimit. (BusinessMag.al)