Kush po e shkatërron t’ardhmen e këtij komuniteti?
Ndonjëherë pa dashje dhe shume herë nga pakujdesia. Njeriu bëhet shkaktar i dëmtimit të kashnjeteve me zjarr, duke sjellë përveç humbjes së materialit drusor duke djegur dhe tharë pemët, shkatërrimin e prodhimit të frutave, shuarjen e jetës biologjike mbi toke, djegieje të shtresës aktive të tokës, të humusit, lëgushës dhe shtresës së gjetheve të thata, që përbëjnë një rezervë të konsiderueshme plehërimi organik për tokën. Nuk mund ta besojë se ndonjë individ mund të djegin me dashje gështenjat! Zjarri në gështenja sjell një shkatërrim të përgjithshëm të jetës vegjetative mbi tokë , një degradim dhe varfërim të tokës duke humbur pjellorinë e sajë dhe për pasojë çon në një shterrim të plotë të jetës së gështenjës.
Shteti e ka lënë ekosistenin e gështenjës ekonomi informale, pa e zgjidhur statusin e pronës , pa administrim dhe drejtim teknik, pa mbrojtje, shërbime kulturore dhe sanitare , pa asnjë dokumentacion teknik dhe hartografik, pa një ligj që e drejton, e zhvillon dhe rregullon marrëdhëniet mes ekosistemit dhe komunitetit.
Në anketën e zhvilluar me fermerët e gështenjës, si dhe në tryezën e rrumbullakët te zhvilluar me datë 26 shkurt 2019 me përfaqësues te pushtetit Qendror, vendor dhe aktoreve të interesuar, rezultojë se 100 % e të intervistuarve dhe të pjesëmarrësve në takim, kërkojnë ta kenë pronë private. Në kohen kur fermerët pritnin ta merrnin ne pronësi me certifikatë pronësie u iniciua një nisme e Qeverise për t’jua dhënë kashnjetet në përdorim kundrejt një pagese. Një veprim befasues, i pa pritur, dhe zhgënjyes i menduar nga qeveria për komunitetin, në kohen kur pritej zgjidhja e statusit të pronës për gështenjën.
Kashnjetet e Gështenjës historikisht kanë qenë, janë dhe duhet të jenë pronë private. Këto kashnjete fermerët i kanë trashëguar nga baballarët e tyre.
Nuk është përgjegjësia e fermerëve që nuk disponojnë certifikatë pronësie për kashnjetin e tyre.
Shteti ka për detyrë të pajisë fermerët me dokumentin e pronësisë. Edhe gështenja si të gjitha pronat e tjera në sistemin monist u shtetëzua, por në vitin 1990 me ndryshimin e sistemit politik kjo pronë si të gjitha të tjerat që ishin administruar nga ndërmarrjet bujqësore, u shpërbë dhe u mor nga pronaret e ligjshëm në kufijtë e vjetër. Si të gjitha pronat tjera që u shtetëzuan nga regjimi monist, edhe gështenja e shtetëzuar u shfrytëzua dhe u shtrydh nga ai sistem, u grumbulluan frutat dhe u tregtuan dhe çanë me sukses në tregun ndërkombëtar, u shfrytëzua lënda drusore e gështenjës që u përdor për prodhimin e shtyllave për telefonizimin dhe elektrifikimin e vendit, për ndërtimin e infrastrukturës rurale, të kopshteve , çerdheve, stallave, koshave dhe objekteve social ekonomike, u shfrytëzua troka, ku u grumbullua dhe u mor humusi i kashnjeteve për pasurimin e tokave bujqësore. Ky fakt vërteton se ekosistemi agro-pyjor i gështenjës është shfrytëzuar edhe jashtë kapaciteteve dhe mundësive reale të shfrytëzimit dhe për pasojë ekosistemi ka pësuar dëme fatale gjatë asaj periudhe, duke i marrë edhe humusin aty ku ka patur mundësi.
Mbështetur në kartën e lirive edhe të drejtave themelore të njeriut i ratifikuar edhe nga qeveria Shqiptare kur Shteti shfrytëzon pronën e qytetarit dhe gjatë shfrytëzimit të sajë e dëmton atë, shteti detyrohet të ja rehabilitojë dhe t’ia rikthejë pronën në gjendjen e mëparshme , të kohës kur është shtetëzuar. Bazuar në nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pika 1. E drejta e pronës private është e garantuar.
Shteti ka detyre të rehabilitoje ekosistemin agro-pyjor të gështenjës dhe t’ia dorëzojë fermerit, të cilit ja kishte shtetëzuar më parë në mënyrë të pa vullnetshme dhe me dhunë shtetërore .
Është e dhimbshme kur kupton se edhe pas 29 vitesh demokraci niveli i informacionit të qytetarëve për liritë e të drejtat themelore të njeriut , për të drejtat për pronën, punën, informimin mjedisor, juridike, për shërbimet dhe për detyrimet që ka shteti për qytetarët, janë në nivelin zero. Ku bazohet ky konkluzion?
Neni 44 i Kushtetutës i cituar – Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
Atëherë si qëndron e vërteta e kësaj pronësie ?
Edhe në sundimin otoman turk, paraardhësit tanë i kishin kashnjetet pronë private dhe paguanin taksat (Të dhjetat), pra edhe pushtuesi i ka njohur si pronë private! Qeveria e Ismail Qemalit i gjeti gështenjat pronë private, Qeveria e Zogut i gjeti dhe i la kashnjetet e gështenjës pronë private ! Qeveria moniste i gjeti pronë private dhe i shtetëzoj si të gjitha pronat e tjera, burimet natyrore, fabrikat, uzinat, zejtarinë e çdo gjë mbi dhe i shfrytëzoj dhe i shtrydhi tej mundësive të shfrytzimit dhe jasht kapaciteteve të prodhimit deri në vitin 1990 kur u rrëzua ky sistem dhe gështenjat i la në udhëkryq, pa status prone, pa administrim, pa mbrojtje, pa kujdes, pa shërbime teknike dhe pa trajtime fito-patologjike.
Ky sistem qeverisës kishte detyre që pronat e shtetëzuara t’jua jepte fermerëve që ua mori, por nuk ndodhi kështu. Kjo pronë mbeti e pa status prone, pa administrator, pa asnjë mbështetje juridike dhe ligjore dhe e gjendur në këto kushte, fermerët pronarë , morën kashnjetet e tyre sipas kufijve të vjetër. Në 28 vite të tranzicionit, kjo pronë ka mbetur – pronë informale dhe pa mbështetje me investime vendore dhe ndërkombëtare, pa subvencione në ndihmë të fermerëve, kredi të buta, etj.
Gështenja është në listën e kuqe të specieve të kërcënuara! Kultivari tradicional i gështenjës së Tropojës gjendet i kërcënuar për zhdukje. Ky realitet njihet si nga qeverisja qendrore dhe ajo vendore. Organe e qeverisjes vendore kërkohet që të aktivizohen më shumë në mbrojtjen e gështenjës dhe të bahen pjesë e zgjidhjes së problemit . Dëmi i shkaktuar nga zjarri ditët e fundit ju shtua degradimit të përgjithshëm të ekosistemit dhe nisma e qeverisë për dhënien e kashnjeteve në përdorim, kundrejt një tarife, ndërkohë që fermerët pritnin ta merrnin në pronësi ka dhënë dhe po jep një ndikim negativ tek komuniteti, duke humbur edhe gatishmërinë për tu aktivizuar në shuarjen e zjarreve në Kashnjete të tyre gështenjës! (Nga Shpend Nikoçi-Gazeta Bujku)