Reklame:

Kompensimi i fermereve te qumeshtit – Reagon shoqata, Zusi: Duhen politika zhvillimi, gati paketa e masave

Shoqata e Eksporteve Shqiptare reagoi në lidhje me vendimin e një ditë më parë të qeverisë, për kompensimin e fermerëve të qumështit  me 10 lekë për çdo litër të shitur.

Sipas kreut të  kësaj Shoqate, Alban Zusi, qeveria nuk duhet të bëjë kompensime por të hartojë politika zhvillimi afatgjata.

Zusi, gjatë një deklarate për mediat, foli edhe për një paketë masash në këtë sektor, teksa kërkoi vendosjen e fermerit shqiptar me të njëjtat pozita si ata në Europë. Në të kundërt, sipas Zusit, duhen masa te tjera  mbrojtëse.

Deklarate e plote.

Përshëndesim reagimin e qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që, pas katër muajsh përpjekjeje, ofroi një zgjidhje të përkohshme dhe vetëm për sektorin e qumështit, të problematikës që u krijua pas ndryshimit të vlerës së kompensimit të TVSH-së për produktet primare bujqësore nga 20% ne 6 %.

Problemi qëndron i njejtë, ndonëse nuk është shfaqur ende me ashpërsi, për sektorët e tjerë, si mishi, fruta – perimet, vreshtaria, ulliri etj.
Jemi të bindur që kjo masë, e cila korrigjon përkohësisht dhe vetëm një segment të prodhimit bujqësor, ka pritshmëri të ketë ndikim pozitiv në formalizimin e këtij nënsektori. 


Procesi i lobimit i filluar me qeverinë nga AFI më anëtarët e tij, perfaqësues nga nënsektorë të bujqësisë, do të vazhdojë për të realizuar një plaftormë të qëndrueshme, të përbashkët me qeverinë, për të mos tronditur vit pas viti sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Eshte e papranueshme që fermeret dhe sipermaresit e industrisë së ushqimit të duhet të rishikojnë planet e biznesit në çdo vit fiskal.
Politikat për zhvillim të qëndrueshëm duhet të mbështeten në dy shtylla të rëndësishme të ndara qartazi nga njëra-tjetra; parimet e fiskalitetit, dhe standnardet e nxitjes së zhvillimit të sektorit.

Vendimmarrja e propozuar përzien problemet fiskale me ato të nxitjes.
Gjithashtu, me ndihmën e të gjithe aktorëve, medias, politikës, specialistëve të fushës synojmë dhe do të ngremë një debat publik, i cili do të finalizohet me propozimin e një pakete fiskale për sektorin; cila të jetë e qëndrueshme dhe e bazuar në logjikë zhvillimi dhe jo logjikë barazimi efektesh financiare në buxhet.