Reklame:

Gruri Serb po dominon tregun shqiptar te bukes

Importet e miellit me origjinë nga Serbia po zëvendësohen me grurë, ndërkohë që fabrikat vendase të blojës kanë nisur të rikuperojnë humbjet. Importet e drithërave nga Serbia u rritën me rreth 29% në vitin 2018 dhe zunë 42% të totalit të tregut, e dyta pas Rusisë. Si po ndryshojnë tregtarët shqiptarë burimet e furnizimit me grurë nga Rusia në Serbi dhe sa të sigurt janë konsumatorët.
Një anketë e fundit e ISHP-së ka gjetur se anemia te fëmijët është rritur me gati 9% nga viti 2008-2018 si rezultat i kequshqyerjes nga buka pa proteina. Industria e blojës po rikuperohet nga zëvendësimi i importeve të miellit me grurë

Bizneset e blojës u shfaqën disi më të qeta këtë vit, pasi importet e larta të miellit serb pa standardet e proteinave janë zëvendësuar me grurë. Për tre vite rresht, 2015-2017, sasi të mëdha mielli që zhdoganoheshin nga pikat e doganore me Kosovën për prodhim biskotash me proteina 9, më pas futeshin në tregun e pakicës duke u shitur për miell buke. Çmimi më i ulët me të cilin shitej ky lloj mielli, përveçse cenoi rëndë sigurinë ushqimore në vend, gati sa nuk çoi në faliment fabrikat e mëdha të blojës.

Alarmi në të cilin u vunë prodhuesit çoi në frenimin e importit të miellit, i cili është zëvendësuar me grurë gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga doganat, importet e grurit pas një rënie sistematike që nga viti 2012, pësuan rritje me 15% në vitin 2018, kurse importet e grurit nga Serbia u rritën në të njëjtin vit me 28%.

Roland Hysaj, administrator i fabrikës së prodhimit të miellit “Miell Tirana”, pohoi se ky vit paraqitet disi më mirë nga pikëpamja e volumit të punës në raport me vitet e shkuara, pasi institucionet shtetërore vepruan duke frenuar importet pa standarde të miellit. Ai pohoi se situata është përmirësuar edhe në drejtim të sigurisë ushqimore pasi importet e grurit janë më të sigurta, teksa bluarja në fabrikat vendase siguron një fortifikim më të lartë të miellit e për rrjedhojë, siguron më shumë cilësi. Zoti Hysaj tha se sektori i përpunimit të miellit është duke vuajtur pasojat e mbiinvestimeve dhe rënies së konsumit, për shkak të rënies së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës.

Gjatë viteve 2015-2017, fabrikat e blojës pësuan humbje sistematike, për shkak të konkurrencës nga importet e miellit pa standarde. Gjatë vitit 2017, një nga operatorët më të mëdhenj në vend, fabrika “Atlas”, shënoi rënie të ardhurash me 32% në raport me 2018. Administratorët e saj grekë, për shkak të situatës së vështirë financiare në të cilën u ndodhën, e nxorën në shitje dhe tani “Atlas” administrohet nga kompania vendase “Besniku”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit AKU, nëpërmjet drejtorit Agron Hetoja, garantoi se tashmë çështja e importit të miellit pa standarde është një problem që i përket së shkuarës. Hetoja tha se AKU i monitoron importet e produkteve ushqimore në vijimësi në pikat e kalimit kufitar. Ai tha se përmbajtja e proteinave kontrollohet sipas kërkesave të përcaktuara në ligj jo më pak se 9 për ëmbëlsirat dhe për bukë mbi 12.

Administratori i fabrikës së miellit “Bloja”, Adi Haxhiymeri, pohoi se tani mielli serb është zëvendësuar me grurë. Por ai foli me dyshime për standardet e cilësisë grurit serb, pasi ai lë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, cilësia e bukës në tregje nuk ka ndryshuar por në zonat periferike dhe qytete, cilësia dallon dukshëm në raport me Tiranën.

Industria e blojës, në presionin e konsumit dhe mbiinvestimeve

Bizneset e blojës janë stabilizuar disi nga konkurrenca e pandershme, por janë vënë në presionin e rënies së konsumit e për rrjedhojë, fabrikat po punojnë nën kapacitet. Hysaj nga fabrika e “Miellit Tirana”, tha se konsumi i brumërave është në rënie të vazhdueshme për disa arsye, të cilat lidhen me pakësimin e popullsisë dhe ndryshimit të strukturës së saj. Numri shumë më i ulët i lindjeve krahasuar me një dekadë më parë dhe emigracioni lartë i të rinjve ka ndikuar negativisht te konsumi i miellit, thotë Hysaj. Moshat më të reja janë konsumatorë potencialë të miellit, ndaj pakësimi i grupmoshave të reja është shqetësues për industrinë.

Edhe ndryshimi i strukturës së popullsisë që jeton në Shqipëri në favor të moshave të vjetra ndikon negativisht në konsumin e miellit. Ndryshimi i stilit të jetesës dhe aplikimi i dietave me pak brumë nga të rriturit ul në perspektivë konsumin e miellit. Ky profil i ri konsumi po bën që industria e përpunimit të miellit në vend të punojë gjithnjë nën kapacitet. Edhe më parë industria ka vuajtur nga mbiinvestimet. Hysaj pohon se aktualisht, kapacitetet prodhuese të fabrikave të përpunimit të miellit janë 2.5 herë më të larta se nevojat dhe kërkesat e tregut.

Aktualisht, fabrikat e blojës punojnë me rreth 40% të kapacitetit. Sektori vuan nga mbiinvestimet, pasi edhe në ditët më të mira, kapacitetet janë shfrytëzuar më shumë se 70%. Industria ka investuar mbi 100 milionë euro, nga të cilat sipas Unionit të Prodhuesve të Miellit, gjysma e tyre janë kredi në bankat e nivelit të dytë. Ndaj çdo përkeqësim në biznesin e blojës do të reflektohet në kreditë bankare.

Kapacitetet e bluarjes variojnë nga 150 deri në 400 tonë në 24 orë, ku fabrikat punojnë me kapacitet të plotë apo të përafërt gjatë një periudhe kohe të kufizuar në varësi me kushtet e tregut. Fabrikat e vogla deklarojnë një nivel shfrytëzimi nga 40-60%, ndërsa fabrikat e mëdha deklaronin një kapacitet shfrytëzimi që varionte nga 40 deri në 80% në varësi të periudhës.

Shifrat e dhëna nga industria e blojës tregojnë se konsumi i miellit në Shqipëri është 360 gramë në ditë për person, pasi konsumi mesatar i miellit është 400,000 tonë në vit. Sasia totale e miellit që bluhet në një vit është rreth 350,000 tonë, pjesa tjetër është miell importi. Nga 194 fabrika mielli, vetëm 20 kanë kapacitet prodhimi mbi 20 tonë në ditë dhe 60% e konsumit kombëtar realizohet nga 4 fabrika të mëdha.

 

Ringjallja pas tre vitesh humbje

Bizneset e kryesore të industrisë së blojës pohojnë se viti 2018 ka qenë më i mbarë në drejtim të aktiviteteve, pasi bizneset kanë nisur të rikuperojnë nga humbjet që kishin pësuar për tre vjet rresht. Pavarësisht se tregu është në mbingopje dhe konsumi ka rënë, ata pohojnë se edhe viti 2019 është në kushte më të favorshme, për shkak se konkurrenca e pandershme nga mielli në standard nuk është më aq problem.

Sipas të dhënave nga bilancet e vitit 2017, Miell Tirana, një nga operatorët më të mëdhenj të Blojës në vend, pa rënie të aktivitetit për të katërtin vit radhazi. Të ardhurat nga shitjet më 2017 ishin gati 4% më të ulëta se 2016. Operatori tjetër i tregut, “Atlas” raportoi rënie të arkëtimeve me 32%. Fabrika “Bloja”, që është operatori i dytë më i madh në vend më 2017, rikuperoi një rritje me 5% të të ardhurave nga shitjet pas humbjeve kolosale të 2016-s, ku të ardhurat nga aktiviteti ishin 62% më të ulëta se më 2015.

Operatorët kryesorë të tregut, Haxhiymeri nga fabrika “Bloja” dhe Hysaj nga “Miell Tirana” pohuan një situatë më të mirë financiare më 2018 dhe e tillë shpresojnë të jetë edhe për këtë vit. Të dhënat nga Shoqata e Përpunuesve të Miellit tregojnë se gjatë viteve të vështira 2015-2017, të paktën 50 linja të përpunimit në vend mbyllën aktivitetin, ndërsa operatorët e mëdhenj u vunë në mbijetesë. Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm.

Rusia dhe Serbia zotërojnë 88% të tregut të bukës në Shqipëri

Tregu kryesor dhe më i rëndësishëm ushqimor në vend, mielli, zotërohet nga Rusia dhe Serbia të cilat së bashku dominojnë 88.6% të tregut sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në vitin 2018, importet e drithërave ishin 376 mijë tonë, me një rritje 15% nga viti 2017. Nga kjo sasi, mbi 333 mijë tonë ishin nga Serbia dhe Rusia.

Por në 2018-n, pesha e Rusisë si furnizuesi tradicional i Shqipërisë me grurë ka rënë, por është rritur pesha e Serbisë. Importet e drithërave nga Serbia ishin 158 mijë tonë, me rritje gati 29% në raport me vitin 2017. Pesha e Serbisë në importet e drithërave u rrit me 4 pikë përqindje, në 2018 duke zotëruar 42% të tregut nga 38.2% që ishte një vit më parë. Ndërsa pesha e Rusisë ra me 46% të totalit të importit, nga 49% që kishte qenë më 2017.

Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja” tha se vijon të ruajë burimin tradicional të furnizimit me grurë, Rusinë, por pohoi se furnizimet me drithëra po zhvendosen gjithnjë e më shumë në Serbi. Mediat serbe pohojnë se Serbia, edhe pse pati një superprodhim me grurë vitin e kaluar, nuk arriti të plotësonte kërkesat e furnitorëve për standarde të larta të grurit A1.

Serbia ka pasur rendiment rekord të grurit më 2018, por cilësia e tij ka qenë e diskutueshme, raportoi në një nga shkrimet e saj
“Serbianmonitor”, i cili ju referua në artikull raportit të Shkëmbimit të Mallrave të Novi Sadit. Raporti evidentoi se kërkesa për grurë me cilësi të lartë është rritur, por nuk është gjetur asnjë shitës gruri në Serbi, që të mund të përmbushte këto standarde. Gruri i cilësisë A1 është prodhuar në sasi të vogla, por edhe nga prodhuesit më të vegjël.

Bazuar në shitjen e farës së këtyre varieteteve në prodhimin e përgjithshëm, pjesa e grurit të cilësisë së lartë në prodhimin e përgjithshëm është vetëm 20 deri në 25%. “Problemi është se nuk ka ndarje të grurit sipas kualitetit në magazinat serbe. Kur llojet e grurit të cilësive të ndryshme përzihen, rezultati përfundimtar është gruri i një cilësie mesatare ose nën mesatare”, thotë profesor Malesheviç dhe shton se pronarët e mëdhenj të grurit, që garantojnë furnizime të mëdha, nuk mund të garantojnë se çfarë cilësie disponojnë.

Importet e drithërave nga Serbia me çmimet më të ulëta

Duke përllogaritur vlerën e grurit të importuar me peshën për secilin shtet që shërben si burim furnizimi rezultoi se, edhe për shkak të afërsisë, gruri nga Serbia ka çmimin më të ulët nga të gjitha burimet e tjera të furnizimit. Duke përllogaritur të dhënat zyrtare të INSTAT, çmimi i një kilogrami grurë nga Serbia ishte 25.4 lekë.

Kjo ishte vlera më e ulët e importeve të grurit në raport me 12 vendet e tjera nga ku importohen drithëra. Çmimi i importit të një kilogrami grurë nga Rusia ishte 26.1 lekë për kilogram, ndërsa vlera më e lartë i takon miellit të importuar nga Italia, i cili kushton në import 85.3 lekë për kilogram. Ndërsa një kilogram grurë i importuar nga Portugalia kushtoi 82.9 lekë dhe një njësi e tillë nga Spanja 78.7 lekë.

Gruri i importuar nga Serbia importohet me një çmim gati 4 herë më të lirë se nga Italia. Ekspertët e tregut pohojnë se çmimi më i ulët i importeve nga Serbia lidhet me dy faktorë që lidhen me kosto më të ulëta të transportit dhe një cilësi jo aq e lartë sa e tregjeve të vendeve të Bashkimit Europian. Serbia është furnizuesi kryesor i Ballkanit me grurë dhe miell, por vitin e kaluar u përball me masa penguese nga Maqedonia dhe Kosova. Maqedonia shtoi masat e kontrollit për standardet e cilësisë së importeve serbe të miellit, ndërsa Kosova vuri një taksë 100% ndaj importeve serbe, ku preket edhe mielli dhe gruri.

Përballë një situate të vështirë për të mbuluar humbjet që po krijojnë importet e lira, edhe importuesit shqiptarë kanë nisur të përshtaten. Vit pas viti, ata kanë ulur importet e drithërave nga Italia, Spanja dhe Rusia dhe kanë nisur të furnizohen nga Serbia. Në vitin 2018, Serbia ishte furnizuesi i dytë më i madh i tregut vendas me drithëra.

Ulet importi i drithërave cilësore nga BE-së

Ndonëse e vogël, pesha e vendeve të BE-së në importin e drithërave ka rënë ndjeshëm gjatë kësaj dekade. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018 u importuan 3700 tonë drithëra nga Italia, me një rënie 65% nga viti 2010. Gjatë kësaj periudhe, importet e drithërave nga Franca ranë me 77%. Importet nga vendet e BE-së historikisht kanë pasur një peshë të ulët në tregun shqiptar të dritharëve, por së fundmi ato po shkojnë drejt shuarjes. Tani drithërat e importuara nga Italia, Franca janë në sasi krejt të vogla dhe shërbejnë për të prodhuar produkte specifike të brumit. Duke analizuar të dhënat mbi importet e 2018, drithërat e importuara nga Italia, Spanja dhe Franca kishin vlerë 2-3 herë më të lartë se drithërat e importuara nga Serbia dhe Rusia.

Çmimet e ulëta të grurit serb dekurajojnë prodhimin vendas

Serbia aktualisht aplikon politika të forta që nga prodhimi deri te përpunimi i grurit në fabrika. Sipas një studimi të Komisionit Europian, rreth 80% e fondeve dedikuar bujqësisë shkuan për mbështetje direkte te fermerët gjatë periudhës 2010-2015. Sipas të dhënave në terma relativë, mbështetja direkte për hektarë në vitin 2015 përbënte më pak se 6 euro në Shqipëri, 23 euro në Malin e Zi, rreth 50 euro në Bosnjë dhe Serbi, 60 euro në Maqedoni dhe 67 euro në Kosovë.

Subvencionet serbe gati 10-fish më të larta i bëjnë drithërat serbe konkurruese në rajonin dhe sidomos me Shqipërinë, e cila i ka subvencionet për këtë kulturë zero. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 1998 deri në vitin 2017, prodhimi i grurit ka rënë me 30%.
Fabrikat e blojës kishin në plan të ngrinin një skemë mbështetëse për fermerët shqiptarë që të blinim grurin tek ata, por me konkurrencën e importit nuk mund të realizohet, pasi gruri që importohet nga Serbia vjen në Shqipëri me kosto më të ulët se gruri i arave shqiptare.

Ekspertë të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare zhvilluan një studim mbi leverdishmërinë e prodhimeve bujqësore. Duke përdorur metodologjinë mbi analizën e zinxhirit të vlerave, IFC Albania, pjesë grupit të Bankës Botërore, identifikoi së fundmi një listë prej pesëmbëdhjetë produktesh shqiptare, kryesisht frutave dhe perimeve, të cilat paraqiten konkurruese në tregjet rajonale. Në këtë listë, gruri nuk bën pjesë. Studimi identifikoi me leverdi ullirin, bostanin dhe arrorët. Shqipëria ka leverdi të kultivojë këto produkte, për shkak se favorizohet nga kushtet klimatike dhe kërkesa për to në tregjet botërore është në rritje.

Serbia prej vitesh zbaton një politikë shumë të egër subvencionesh për grurin dhe miellin, për të cilën u shqetësua edhe Greqia, Maqedonia, Mali i Zi etj. Po të shkosh në Serbi, diferenca nga mielli në grurë për një ton është 10 euro, ndërkohë që duhet të jetë minimumi 100 euro, sepse përfshihen shpenzime për kostot e punës, ambalazhin, himet etj., shpjegoi ai. Subvencionet në industrinë e miellit kanë pastruar gjithë magazinat e Serbisë, të cilat janë eksportuar në vendet e Ballkanit, kryesisht Shqipëri dhe Kosovë.

 

Buka pa cilësi, shkak për rritjen e anemisë në 10 vitet e fundit

Buka është ende ushqim bazë në Shqipëri, pasi konsumi për person në ditë llogaritet në rreth 300 gramë dhe si i tillë çon në kequshqyerje dhe në anemi sidomos te fëmijët. Fortifikimi i miellit nënkupton një nivel të lartë proteinash në miell dhe është elementi kryesor që Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatat për Mbrojtjen e Fëmijëve (UNICEF) lobojnë për të siguruar një jetë më të shëndetshme në vendet e varfra. Këto organizata lobojnë në vendet e varfra që nëpërmjet fortifikimit të miellit të ulin aneminë te fëmijët.

Një bukë pa cilësi reflektohet tek anemia e fëmijëve, e cila sipas të dhënave është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Një anketë e përbashkët e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT gjeti se gjatë 2008-2018, anemia te fëmijët 3-59 muajsh është zgjeruar ndjeshëm nga 17% më 2008 në 25% në 2018. Sipas raportit që shoqëroi shifrat, shkaqe të tjera të anemisë janë kequshqyerja, infeksionet dhe trashëgimia gjenetike etj. Anemia është një shqetësim serioz për fëmijët, sepse mund të pengojë zhvillimin dhe të rrisë ekspozimin ndaj sëmundjeve, sidomos atyre ngjitëse.

Anketa gjeti se një në katër (25%) fëmijë të moshës 6-49 muaj janë anemikë pasi hemoglobina ishte nën normë. Rreth 17% e fëmijëve u evidentuan me anemi të butë, 7% janë anemikë të moderuar dhe më pak se 1% e tyre janë me anemi të rëndë. Shqetësues mbetet fakti se anemia te fëmijët ka ardhur në rritje gjatë dekadës. Arsyet kryesore lidhen me mosushqyerjen me gji dhe kequshqyerjen në tërësi.
Mossigurimi i ushqimit në familje luan rol në kequshqyerjen e fëmijëve shqiptarë. Sipas një studimi mbi ushqyerjen të kryer në vitin 2010 në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në zonat periferike të Tiranës, 34-43% e familjeve kishin vështirësi në sigurimin e ushqimit gjatë vitit.

Në seminarin rajonal organizuar nga UNICEF mbi Fortifikimin e Miellit pak vite më parë, u bë një përpjekje për hartimin e një modeli për kosto /përfitimet e procesit. Ky model është ripunuar në vazhdimësi, duke shfrytëzuar edhe të dhëna të tjera të nxjerra ndër vite.
Kostot e të gjithë treguesve të kequshqyerjes në Shqipëri llogariten të jenë mbi 100 milionë euro, nga e cila 65% mund t’i atribuohen “Potencialit të humbur për të ardhmen” dhe 20% “Rendimentit aktual të humbur”. Mundësia e humbur për të ardhmen është shumë e rëndësishme, sepse kjo është një humbje që rritet nga viti në vit (me rritjen e popullsisë) për ekonominë shqiptare.

 

Standardet e miellit, problem i vjetër

Në vitin 2014, Shqipëria dhe Kosova u përfshinë në një konflikt të ri tregtar për shkak të miellit. Shoqata e Përpunuesve të Miellit lajmëroi zyrtarisht, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Kryeministrit, falimentin për shkak se, mielli jashtë standardeve që importohej nga Kosova po falimentonte industrinë vendase. Biznesi shqiptar i përpunimit pretendonte se, standardet e proteinës në miellin kosovar ishin pak më shumë se 9%, ndërkohë që fabrikat shqiptare prodhojnë me standard 12% dhe për rrjedhojë, me një kosto më të lartë.

Duke qenë se standardi i proteinave për miellin e biskotave është më i ulët se ai i bukës, një pjesë e miellit që i dedikohet furrave të bukës në Shqipëri importohet nga Kosova si miell biskotash. Aktorët e tregut pohuan se vetëm në pikat doganore me Kosovën u futën mbi 10 mijë tonë miell në muaj për biskotat, kur në realitet në tregun e brendshëm prodhohen 250-300 tonë biskota në muaj, pjesa tjetër bëhet bukë. Fabrikat shqiptare të blojës kanë laboratorë që masin nivelin e proteinave. Në analizat që i kanë bërë miellit që importohet nga Kosova dhe Serbia, niveli i tyre lë shumë për të dëshiruar.

Për shkak të rëndësisë që ka fortifikimi i miellit për shëndetin, UNICEF i ka rekomanduar qeverisë shqiptare që me të drejtë të kërkojë që të gjitha sasitë e miellit të importuar në Shqipëri të jenë të fortifikuara, në përgjigje të plotësimit të standardeve të vendit. Kërkesat për standardin nuk futen në Barrierat Teknike për Tregtinë (BTT) sipas dy marrëveshjeve të OBT. Sipas këtyre marrëveshjeve, çdo vend mund të miratojë dispozita që mund të kufizojnë tregtinë për arsye legjitime të cilat përfshijnë, mes të tjerave mbrojtjen e shëndetit të njerëzve.

AKU bllokoi 170 tonë miell pa cilësi, frenoi importin e miellit “fake”

Vitin e kaluar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi rreth 170 tonë miell pa standard, 80% e të cilit ishte nga pika doganore e Morinës që lidh Shqipërinë me Kosovën. Gjatë shtatorit 2018 u bllokua një ngarkesë prej 55 tonësh me miell gruri në pikën doganore të Morinës.

Sasia e miellit vinte nga Kosova dhe Serbia. Bllokimi erdhi pasi nga kontrolli i ushtruar rezultoi se, niveli i proteinave ishte më i ulët se ai i deklaruar në dokumentacion. Për ngarkesën 25 tonë “miell gruri” nga Serbia, produkti nuk kishte përputhshmëri me dokumentacionin shoqërues.

Për më tepër, niveli i proteinës së deklaruar në raport-analizë (12.74%) është i ndryshëm nga ai që shënohej në ambalazh të tyre (9.5%). Sipas ekzaminimeve laboratorike të ngarkesës nga Kosova, niveli i proteinës rezultoi të ishte 11.37%, 11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë-analizën që shoqëron produktin, niveli i proteinës është shënuar 12.08% kurse në ambalazhin e produktit është maksimumi 13%. Më herët, në gusht 2018 u bllokuan edhe 50 tonë miell misri në doganën e Morinës që kishin standard konsumi për kafshët, por do të tregtohej për njerëzit.

AKU bllokoi në gusht të 2018 një ngarkesë prej 25.3 tonësh miell gruri me origjinë greke, për shkak se kishte parregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën, konkretisht, raportin e analizës për përqindjen e proteinës. Të dhënat sipas dokumenteve shoqëruese nuk korrespondonin me të dhënat në etiketë e kundër etiketë të produktit. Subjekti, i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “miell gruri” nuk kishte nr. loti, datë prodhimi dhe datë skadimi të stampuar në thasët prej letre 25 kg, por vetëm një kundër-etiketë të ngjitur në gjuhën shqipe, e cila mund të hiqet lehtësisht. Për më tepër, këto elemente sigurie për një produkt ushqimor nuk figuronin në dokumentacionin shoqërues të ngarkesës.

 

Taksa 100% në importet serbe ndal importet e miellit nga Kosova

Importet e miellit nga pikat doganore me Kosovën ishin mbi 100 mijë tonë në vit gjatë periudhës 2015-2015. Gati 50% e sasisë vinte nga fabrikat e Kosovës. Deri në mes të vitit 2018, Serbia e zotëronte thuajse të gjithë tregun e bukës në Kosovë. Fabrikat e Kosovës blinin grurë me çmim të lirë në Serbi, të cilin më pas e bluanin në fabrikat e tyre, e paketonin dhe më pas e shisnin në Shqipëri. Analiza sistematike ka treguar se ky lloj mielli shitej në Shqipëri për biskotë me nivel proteine jo më shumë se 9, por kur hynte në tregun e brendshëm, ai shitej për prodhim buke në furra e konsumatorë.

Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës i rriti me 100% taksat e importeve nga Kosova, duke përfshirë edhe miellin dhe grurin. Mediat serbe raportuan se vetëm për vitin 2018, tregtarët e grurit në Serbi humbën rreth 6 milionë euro nga bllokimi i eksporteve. Ndërsa Kosova, nga ana tjetër, ka humbur furnizuesin kryesor të bukës dhe që nga ajo kohë, çmimet e miellit dhe bukës u rritën me 10%. “Lufta” tregtare Kosovë-Serbi ka penguar eksportet e miellit serb nga bizneset e Kosovës.

Për pasojë, importet e miellit nga Kosova në vendin tonë janë ulur më tej gjatë vitit 2019. Ky ishte një sinjal pozitiv për fabrikat e mëdha, të cilat pësuan rënie të mëdha të aktivitetit nga konkurrenca e miellit nga Kosova me proteina të manipuluara. (Monitor)