Janë dy skema buxhetore që po përdoren për të subvencionuar fermerët në industrinë agropërpunuese në vend. Njëra është financuar nga Bashkimi Europian dhe tjetra nga qeveria.
Në total, subvencionet e të dyja skemave për dy vitet e fundit llogariten 118 milionë euro, nga rreth 14 milionë euro që ishin në 2012-2013.
Frida Krifca, drejtore e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural thotë se skema e IPARD-it e Bashkimit Europian është përqendruar tek fermat dhe agroindustria, kurse skema buxhetore shkon si mbështetje direkt për fermerin.
Mbi 4 000 aplikantë kanë përfituar vitin e fundit, ndërkohë që këtë vit synohet që numri të shtohet. Për të mos pasur mbivendosje të skemave, aplikimet janë bërë në kohë të ndryshme, madje një tjetër thirrje do të bëhet për subvencionet e financuar nga BE-ja. Kushdo mund të aplikojë, mjafton që të regjistrohen me numër nipti fermeri.
Subvencionet janë njëra anë, nga ana tjetër fermerët po asistohen edhe me specialistë.
Edmond Xheka është fermer në Lushnje dhe për kulturat që ka mbjellur këtë vit është konsultuar me agronomë nga drejtoritë rajonale të bujqësisë.
“Duket sikur ka ndryshuar. Deri tani paraqitet mirë, me vonë nuk e di si do shkojë, por deri tani paraqitet mirë. Na kanë ndihmuar jashtë mase për këtë pjesën e punës, pjesën e specialistit”, thotë fermeri.
Në të gjithë vendin janë hapur nga Agjencia e Zhvillimit Rural pika informimi mbi projektet që mund të financohen dhe procedurat që duhen ndjekur.
(TopChannel)