Ndërsa politikat e qeverisë synojnë formalizimin në fshat apo pajisjen e fermerëve me një NIPT, në mënyrë që të jenë pjesë e mbështetjes financiare, shifrat e kontributeve tregojnë një panoramë tërësisht të vakët.
Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2018, numri i të vetëpunësuarve në bujqësi që derdhin kontribute për pension ka një rritje minimaliste, ku rezulton se 414 individë i janë shtuar skemës në 12 muaj.
Konkretisht në vitin 2018 janë regjistruar 58,940 kontribues, nga 58,526 të tillë në vitin 2017. Ndërsa si përqindje në numrin total të kontribuesve, të vetëpunësuarit në bujqësi janë tkurrur duke zënë 7.6 për qind nga 7.8 për qind që ishin në 2017-ën.
Mungesa e interesit për t’u bërë pjesë e skemës së kontributeve përkthehet direkt në mospërfitim të pensionit dhe kjo mund të jetë për disa arsye, që nga largimi në emigracion, tek mungesa e të ardhurave apo mungesa e besimit në skemë.
Sa i përket të vetëpunësuarve në bujqësi që derdhin kontribute, duket se më të ndërgjegjshëm janë zonat fushore, ndërsa më indiferentë ato malore. Referuar drejtorive rajonale, duket se Fieri ka fermerët më të ndërgjegjësuar në këtë drejtim, ndërsa numrin më të ulët të konstibuesve e zë Kukësi, i cili vlerësohet edhe si qarku më i varfër në vend. (SCAN)