Reklame:

AMA gjobit mediat per shkelje te kodit te etikes

Autoriteti i Medias Audiovizive bëri të ditur se ka vendosur pesë gjoba për katër televizione për shkelje të ligjit të Medias Audiovizuale në formën e gjuhës së urrejtjes, shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe reklamave të fshehura.

Bordi i Autoritetit të Medias Audiovizive, (AMA), gjobiti televizionin Ora News për gjuhë urrejtjeje si dhe televizionet News 24 e TV Klan për transmetim reklamash të padeklaruara ndërsa televizioni Report TV u gjobit për dhunim të të drejtave të një fëmije.

Sipas njoftimit për shtyp, televizioni Ora News mori gjobën më të lartë, 400 mijë lekë në lidhje me një koment në emisionin “Ju Flet Moska” mbi sulmin terrorist në Zelandën e Re ku AMA vlerëson se komenti mbart nxitje te gjuhës se urrejtjejes.
Gjithashtu televizioni Ora News mori dhe terheqje vemendje pasi ne emisionin Why not bordi ka verejtur  se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”.

Televizioni News 24 u gjobit me 120,000 lekë pasi AMA vlerësoi se dy materjale të transmetuara në edicionin kryesor të lajmeve përbënin reklama të padeklaruara (te fshehura). Po kështu, televizioni kombëtar Klan u gjobit me 120 mijë lekë për të njëjtën arsye.

“Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur”, shkruan AMA në njoftim duke iu referuar një emisioni të transmetuar më 27 mars 2019.

Televizioni Report TV u gjobit me 200 mijë lekë për atë që AMA e konsideroi dhunim të të drejtave të një fëmije gjatë emisionit “Pa Gjurmë”.

Transmetimet në Gjuhen e Shënjave

Bordi i AMA-s tërheq vëmendjen operatorëve audiovizivë me licencë kombëtare për zbatimin e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbi transmetimet për personat me nevoja të veçanta shqisore dhe marrjen e masave për konkretizimin e transmetimeve me bazë gjuhën e shenjave. Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë me dije OSHMA-ve, përmes njoftimeve zyrtare dhe shkresave të nisura, se në mbledhjen e parë të vitit 2019, Bordi i AMA-s ka vendosur tre prioritetet e monitorimit dhe vlerësimit të përmbajtjeve të emetuara, të cilat janë:

-mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive;

-Reklamat e Fshehura dhe Komunikimet Tregtare;

– Programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin dhe medikamentet.

Masat  janë rrjedhojë e disa tërheqjeve të vëmendjes ndaj këtyre subjekteve për të respektuar këto tre prioritete. AMA gjen rastin të apelojë operatorët mediatikë që të respektojnë ligjin dhe kodin e transmetimit gjatë veprimtarisë së tyre.