Viti 2019 mund të konsiderohet një vit shumë pozitiv për tendencën e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në muajin mars 2019 Shqipria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë 2.7 miliardë lekë duke njohur një rritje prej 1.2 miliardë lekësh në krahasim me marsin e vitit 2018.
Edhe në rang tremujorit rritja është e konsiderueshme. Në periudhën janar-mars, Shqipëri eksportoi në Kosovë mallra në vlerë 5.8 miliardë lekë, duke njohur një rritje prej 1.8 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Çfarë po eksporton Shqipëria në Kosovë ?
Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se ndikimin më të madh në këtë rritje e ka pasur grupi i mallrave “ minerale, energji elektrike dhe lendë djegëse”. Në mars 2019, Shqipëria eksportoi rreth 1.6 miliardë lekë duke njohur një “kërcim” të fortë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur nga ky grup mallrash u eksportuan vetëm 336 milion lekë.
Po ashtu, ka rritur ndjeshëm në përqindje edhe eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit në Kosovë. Në mars 2019 Shqipëri eksportoi këto mallra në vlerë 610 milion lekë ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë (mars 2018) u eksportuan 430 milion lekë.
Po ashtu rritje të eksporteve kanë njohur edhe grupmallrash “produkte kimike dhe plastike” dhe “prodhime druri dhe letre”. (SCAN)