Reklame:

Sllovaki: Zuzana Caputova, gruaja qe ia doli te behet Presidente

Politikat e menaxhimit të mbetjeve po tjetërsojnë vendet më refraktare të Evropës Lindore. Tradicionalisht, planet mjedisore janë stigmatizuar dhe përqeshur në këtë kënd me demokraci josolide dhe me zhvillimin më të ngadaltë ekonomik në Bashkimin Evropian.

Por, bashke në valën e nacionalizmit dhe të euroskepticizmit, po korret një kulturë “rrënjëgjelbër” udhëheqësish të rinj politikë, sikurse është presidentja e porsazgjedhur e Sllovakisë, Zuzana Caputova.

Caputova vjen nga një rrethinë e kryeqytetit, Bratislavës, Pezinok-u, që gjeneron të ardhura kryesisht si vendprodhim i mirënjohur i verës.

Në vitin 1997, drejtuesit vendorë të Pezinok-ut planifikuan të ndërtonin një vendgrumbullim plehrash në një gropë të mbetur nga një ngrehinë e moçme industriale e prodhimit të tullave. “Ata donin që landfill-i të kishte madhësinë e 11 fushave të futbollit dhe të ishte aq i gjatë sa një ndërtesë katërkatëshe”, risjell në mendje presidentja Caputova projektin që për nga ambicia e propozuesve, tejkalonte kapacitetin ekonomik të kohës. Për rrjedhojë, si për ironi të fatit, një skicë- ide e trajtës ambientaliste, përfundoi e pazbatuar në kapicën e plehrave.

Shkalla e riciklimit të Sllovakisë prej 9 % përbën një nga normat më të ulëta në Evropë. Për këtë arsye, menaxhimi i një landfill-i është me garanci të plotë një sipërmarrje mjaft fitimprurëse. Vendet fqinje të Evropës Perëndimore eksportojnë mbetjet e tyre jo të riciklueshme drejt lindjes, tokës së kostove më të ulëta dhe të fitimeve shumëfish më të mëdha se gjetkë. Megjithatë, nuk duhet harruar se importet e paligjshme të mbetjeve janë një terren i volitshëm fitimi dhe lulëzimi për krimin e organizuar.

Në raportet e herëpashershme të Komisionit Evropian, Sllovakia qortohet për mirëmbajtje të papërshtatshme të landfill-eve.

Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, landfill-et janë një terren ushqyes për këtë lloj populizmi pa zarar, që nuk shfrytëzon identitetet kulturore dhe nuk luan me instinktet bazike që ngrejnë krye dhe i binden thirrjes së parë. Në Rusi përgjatë viteve të fundit, protestat kundër ndërtimit të landfill-eve në qytetet satelitore të Kremlinit kanë qenë aktet më të dukshme kundër regjimit të instaluar nga presidenti Vladimir Putini, i cili është përpjekur të marrë nën kontroll çështjen duke tkurrur aktivitetin, edhe pse disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij kanë interesa pastërtisht ekonomike. Në Poloni, partia qeverisëse “Ligji dhe Drejtësia”, gjithashtu është përpjekur të shpërndajë protestat lokale duke legjitimuar një menaxhim më të mirë të mbetjeve.

Aktivistët që luftojnë kundër aktivitetit mafioz, keqpërdorimit të fondeve publike dhe shkeljeve të kushteve mjedisore në ndërtimin e landfill-eve, nuk e kanë namin e mirë në ditët e sotme. Ata mund të citohen në një lajm ose dy, të shfaqen në një seancë gjyqësore të mbuluar gjerësisht. Ky është i gjithë publiciteti që ata marrin. Por, ashtu siç ndodhi me Caputova-n, udhëheqësit e ardhshëm me origjinë nga shoqëria civile, do të sfidojnë nacionalistët postkomunistë në këtë mbretërim të tyre fare të përkohshëm, falë përvojës së çmuar në zgjidhjen e çështjeve më polemike dhe më vulnerabël të keqqeverisjes aktuale.