Reklame:

Kosove: Qeveria i mashtroi fermeret e Rahovecit, nuk iu kompensuan demet e bresherit

Rahoveci, komunë e cila shquhet për prodhimet e saj bujqësore për çdo vit, vitin e kaluar hasi në dëme të papërballueshme të cilat ndodhën si pasojë e motit të keq, shkruan lajmi.net.

Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u zotua për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshëri në komunat e Kosovës e edhe në Rahovec.

Vendimin e menjëhershëm të qeverisë e kishte përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili kishte pritur në takim në tokat e fshatrave të Rahovecit vet kryeministrin Haradinaj.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me fermerët e komunës së Rahovecit të cilët kanë shpjeguar dëmet e mëdha të shkaktuara nga breshëri duke thënë se nuk janë në dijeni nëse do iu kompensohet dëmi ose jo.

Njëri nga fermerët më të dëmtuar në Rahovec, Beslim Popaj i cili kishte rreth 12 hektarë tokë të mbjellura tha për lajmi.net se pasi janë bërë vlerësimet askush më nuk i ka vizituar në lidhje me këtë çështje.

“Komuna e ka vlerësuar, pastaj askush nuk na ka vizitu. Nuk ka pasur madje asnjë deklaratë për të thënë se ka mungesë buxheti ose diçka. Madje edhe kur është vlerësuar dëmi, këto vlerësime nuk janë bërë të ditura për bujqit”, tha Popaj për lajmi.net.

Popaj i cili kishte të mbjellura rreth 2.5 hektarë speca, 1 hektarë e gjysmë shalqi, 1 hektarë e gjysmë pjepër e mbi 3 hektarë kunguj tha se kanë kërkuar ndihmë edhe nga komuna por nuk kanë marrë ndonjë përgjigje pozitive.

Gjithashtu, Popaj është shprehur se vera e kaluar ishte mjaftë e vështirë për fermerët e Rahovecit ku janë dëmtuar të gjitha të mbjellurat, madje ai thotë se nuk ka arritur t’i paguaj as kreditë e as qiratë e tokave.

Bujqit e tjerë të Rahovecit janë ankuar gjithashtu se ka pasur probleme edhe në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri pasi ato nuk janë bërë në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim me fermerët.

E kjo çështje është iniciuar edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë për të cilën ka folur edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Ai tha se është pozitive për fermerët se po ndodh një gjë e tillë ku bëhet sigurimi i produkteve që kultivohen dhe prodhohen, por kjo çështje duhet të adresohet në staza më afatgjatë.

“Kjo çështje duhet të adresohet në staza më afatgjatë edhe për fermerët por është pozitive se po ndodh një hap pozitiv që po bëhet sigurimi i produkteve që kultivohen dhe prodhohen në sektorin e agrobiznesit”, tha Hamza.

Përkundrazi se Haradinaj ishte zotuar se qeveria do të bënte kompensimin e këtij dëmi, Hamza është shprehur se nuk është qeveria institucioni që i siguron produktet në rast të dëmeve, shkruan lajmi.net.

Ai gjithashtu është shprehur se për situata emergjente janë bërë veprime brenda kapaciteteve financiare ku janë mbështetur disa komuna por disa të tjera kanë mbetur.

“Në rastin konkret komunat marrin kufirin dhe brenda kufirit nuk parashikojnë situata të tilla dhe i ndajnë fondet në prioritete tjera që ne si Ministri e Financave nuk iu ndërhyjmë. Komunat ndajnë prioritete tjera për këtë çështje nuk ndajnë mjete dhe komunat nuk janë duke grumbulluar mjete të veta por janë duke u varë nga mjetet që iu shkojnë nga niveli qendror”, tha Hamza, duke i fajësuar edhe komunat në lidhje me çështjen.

Në fund ai tha se ka rezerva buxhetore të aprovuara me buxhetin e vitit 2019 dhe nëse qeveria thotë se ka mundësi të kompensohen, atëherë Ministria e Financave do t’i kompensoj.

“Ne kemi pasur rezervën e qeverisë të aprovuar me buxhetin për vitin 2019, dihet sa ka qenë ajo, ne e dimë edhe sa ka mbetur dhe nga pjesa e mbetur nëse qeveria thotë se duhet dhe ka mundësi të kompensohen Ministria e Financave do t’i kompensoj”, tha Hamza.

Përkundër kësaj deklarate të Hamzës, nuk është marrë ndonjë vendim në mbledhjen e Qeverisë për kompensim, mbetet të shihet nëse në mbledhjet e ardhshme kjo çështje do të adresohet më konkretisht.