Reklame:

Teknologjia e prodhimit te bukes

Qëllimi i teknologjisë së drithërave, miellit dhe prodhimeve të tjera të përftuara prej tyre është përpunimi i lëndëve të para (drithi, mielli etj) deri në përftimin e prodhimeve të tjera me veti të reja nga lëndët nistore.

Teknologjia ushqimore e drithërave, miellit e prodhimeve të përftuara prej tyre studion:

Larminë e prodhimeve ushqimore me bazë drithi; përbërjen kimike dhe biologjike të këtyre prodhimeve;

Shndërrimin e lëndëve me prejardhje bujqësore dhe blegtorale në produkte të gatshëm, që kanë zakonisht veti të ndryshme nga ato të lëndëve nistore;

Konservimin për një kohë të gjatë të këtyre prodhimeve me cilësinë e dëshiruar.

Teknologjia e drithërave, miellit e prodhimeve të përftuara prej tyre  plotëson tri kërkesa kryesore:

1. Furnizon konsumatorin me prodhime ushqimore të domosdoshme, të shumëllojshme me shije të këndshme dhe me vlera ushqyese të cilësisë së lartë.

2. Prodhimet ushqimore që janë më pak të qëndrueshme i kthen në prodhime të qëndrueshme.

3. Siguron për konsumatorët furnizim ritmik gjatë katër stinëve me shumëllojshmëri prodhimesh ushqimore.

Kultura e përgatitjes së prodhimeve me bazë brumi

Drithërat kanë qenë e janë ushqim bazë i popullsisë për gjithë popujt e botës. Njerëzit kanë zhvilluar kulturën e lashtë të kultivimit e përdorimit të drithërave, të përgatitjes së bukës e prodhimeve të tjera të brumit. Në shekuj kjo kulturë ka ndryshuar nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm social, kulturor, ekonomik. Lëvizja e njerëzve, zhvillimi i teknologjisë, përmirësimi i komunikimit dhe dëshira e njerëzve për të provuar shije të reja kanë bërë që në vende të ndryshme të botës krahas zhvillimit të vihen re edhe huazime të traditave të vendeve të tjera, ndikime dhe ndërthurje të kulturave kulinare në përgjithësi si edhe në prodhimin e miellit, bukës dhe prodhimeve me bazë brumi. Sot, në vende të ndryshme të botës si edhe në vendin tonë gatuhen shumllojshmëri të bukëve dhe prodhimeve me bazë brumi me origjinë nga popuj të ndryshëm.

Evolucioni i Teknologjisë së përpunimit të brumërave.

Në ditët e sotme, me zhvillimin ekonomik të vendit si në çdo fushë tjetër edhe në fushën e përpunimit të prodhimeve me bazë brumi vihen re ndryshime të shpejta. Kështu: janë përmirësuar dhe modernizuar teknologjitë e prodhimit; janë shtuar prodhimet e tregtuara; është përmirësuar cilësia e prodhimeve; janë huazuar nga vende të ndryshme prodhime e teknologji të  përpunimit të brumërave; është përmirësuar kultura e tregtimit; janë gërshetuar tradicionali me modernen në pothuajse çdo linjë të prodhimeve me bazë brumi si: bukë, makarona, biskota, lakrorë, byrekë, kulaçë, pica, kruasan, sanduiçe, pite, petulla etj.

Me poshtë ju sjellim videon e makinerisë për përgatitjen e bukës.