Reklame:

Peshkimi i paligjshem, Shqiperia dominon – Ne vendin e 7-te ne Europe, reagimi i autoriteteve na rendit ne fund te globit

Shqipëria është një ndër vendet më problematike në Europë sa i përket peshkimit të paligjshëm dhe të parregulluar.

Indeksi më i fundit i Peshkimit të Paligjshëm na rendit në vendin e 7-të në Europë, ndër 31 shtete, çka sinjalizon se vendi ynë përballet me një problem serioz.

Vende si Ukraina, Franca, Italia, Turqia apo Rusia vlerësohen më problematike se vendi ynë në këtë drejtim.  Krahasuar me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, si Greqia, Mali i Zi, Kroacia apo Bosnje Hercegovina, Shqipëria është vendi më problematik.

Në nivel global ndërkohë, Shqipëria renditet e 87-ta ndër 152 vende, ku kreu i listës i takon vendit më problematik në drejtim të peshkimit të paligjshëm, i cili në rastin konkret rezulton të jetë Kina.

Peshkimi i paligjshëm sjell një sërë dëmesh për një ekonomi, duke filluar që nga konkurrenca e pandershme, në rastet kur nuk kemi të bëjmë thjesht me pasion. Tregu i parregulluar më pas çon edhe në probleme të tjera, siç është siguria ushqimore.

Por, një ndër dëmet kryesore dhe i vetmi i pakthyeshëm është dëmi që pëson fauna detare. Në rastin e Shqipërisë, si një vend me një vijë bregdetare të konsiderueshme në raport me territorin e vendit, ky dëm do të ishte edhe më i madh, Raporti nënvizon se, Shqipëria performon keq në këtë indeks, për shkak të reagimit të dobët të autoriteteve shtetërore ndaj fenomenit.

Madje, në drejtim të ruajtjes së vijës bregdetare, vendi ynë renditet i 10-të në botë, dhe i vetmi vend europian pjesë e listës së 10 vendeve më të paafta për ta menaxhuar një problematikë të tillë.

Në drejtim të reagimit shtetëror për anijet, Shqipëria është vendi i 7-të me performancën më të dobët në botë. (SCAN)