Italia mbetet në vend të parë në listën e vendeve nga ku Shqipëria importon ushqime, pije e duhan, e ndjekur nga Greqia e Turqia. Referuar të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme, këtë vit Shqipëria ka importuar rreth 4.4 miliard lekë nga ky grup mallrash. Niveli i importit ka mbetur i pandryshuar nga viti i kaluar.
Greqia është në vend të dytë sa i përket vendeve nga ku importohen mallra të këtij grupi. Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se Shqipëria ka importuar nga Greqia këtë vit ushqime, pije e duhan në vlerën e 3.5 miliardë lekëve, duke shënuar një ulje të vogël në krahasim me një vit më parë.
Edhe Turqia mbetet një vend nga ku Shqipëria importon në mënyrë të konsiderueshme ushqime, pije e duhan. Gjatë këtij viti, Shqipëria ka importuar nga Turqia rreth 1.3 miliardë lekë, duke njohur një rritje të lehtë në krahasim me një vit më parë.
Sa i përket importit të ushqimeve, pijeve e duhanit nga Kina, rezulton se Shqipëria ka marrë këtë vit 231 milion lekë duke njohur thuajse një dyfishim të shifrës krahasuar më një vit më parë. (SCAN)