Sëmundjet e kancerit po përhapen si epidemi. 5500 raste të reja diagnostikohen çdo vit në popullsinë tonë. Në raportin e parë kombëtar të sëmundshmërisë rezulton se kanceri me i përhapur është ai i mushkërive me 777 raste të reja në vit.
Pacientët më të shpeshtë janë meshkujt, 4 herë më shumë se femrat. Ndërsa tumori i gjirit që renditet i dyti më i përhapur, prek çdo vit 653 gra.
Edhe pse një vit më parë u diagnostikuan me kancer të gjirit edhe tre meshkuj, rreziku tek burrat është shume i ulët. Specialistë të shëndetit publik thonë se diagnostikimi i hershem shpëton jeten.
“Për të dy këto patologji ka mundësi për kontroll. Për kancerin e mushkërive është kontrolli i duhanpirjes. Në 20 vitet e fundit nuk ka rritje të numrit, madje ka rënie tek meshkujt. Për kancerin e gjirit e vetmja gjë që mund të bëjmë është kapja e tij në mënyrë të hershme”, thotë Alban Ylli, specialist në ISHP.
Edhe vdekshmëria nga sëmundjet tumorale është në nivele të larta por jo mbi vendet e Evropës. Vetëm në vitin 2017, në Shqipëri kanë humbur jetën 3650 persona. Numrin më të lartë të vdekjeve e ka shkaktuar kanceri i mushkërive, i ndjekur nga ai i stomakut dhe tumori i mëlçisë. Sipas raportit, Tirana, Korça dhe Fieri janë qytet me numrin më të madh te të sëmurëve me kancer. (A2)