Reklame:

Si te aplikoni per 5 mln euro – Hapet “drita jeshile” per grante ne bujqesi, kriteret kryesore

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka hapur zyrtarisht aplikimet për fermerët me qëllim mbështetjen e tyre financiare për zhvillimin e sektorit.

Këtë vit prioritet do të kenë blegtorët dhe investimet në agro-turizëm. Aplikimet për të përfituar nga këto fonde do të bëhen online në 20 Agropika, 16 Agjenci Rajonale Ekstensionit Bujqësor dhe zyrat e ADISA nga data 23 prill deri më 17 maj 2019. Krahas dokumenteve të identifikimit, kusht kryesor është që aplikantët të ketë NIPT-in e fermerit Aktiv.

Qeveria ka miratuar kriteret se di do të ndahet fondi i subvencioneve prej 5 milionë eurosh, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Kështu, afro 4 milionë euro do të përdoren kryesisht për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

1 milionë euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, dhe do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit. Fondi krahasimisht me një vit më parë është pothuajse 4 herë më i vogël, por qeveria ka parë të arsyeshme që mbështetjen e sektorit bujqësorë ta projektojë përmes programit IPARD II, thirrja e dytë e të cilit pritet të hapet pas disa muajsh.