Shkruar nga bashkepuntori dhe miku i tij Maksim Kulla.
LLUKAN KOLA lindi në vitin 1950 në qytetin e Lushnjës nga një familje klerikësh ortodoks. Edukimin e parë e mori në shkollën foshnjore me Marie Bertoli me profesion edukatore, një këngëtare popullore e këngëve të Shqipërisë së mesme, e ardhur nga qyteti i Elbasanit e cila aktivizohej me grupin amator të shtëpisë së kulturës Lushnjë.
Më pas në shkollën fillore ‘‘Skënder Libohova’’ me mesuese Ollga Bizhyti e më pas me mësuese Liljana Pazarin e njohur pasi këndonte këngë popullore e të muzikës së lehtë me grupin amator të shtëpisë së kulturës. Kur ishte në moshë 10-vjecare në klasën e katërt me mësuese Lirika Karaj nën drejtimin e Hekuran Zhitit u krijua grupi i teatrit dhe estradës së shkollës ku u përfshi edhe Llukani që u vlerësua si talent premtues.
Në vitet 1961-62 me sugjerimin e Hekuran Zhitit, u përzgjodh nga Tahsin Demiraj për të luajtur rolin e vitit të ri në mbrëmjen qëndrore të fëmijëve të dalluar dhe këtu nisi edhe rrugëtimi i Llukanit në skenë ku do të merrte pjesë me dy role në premierën e parë të estradës profesioniste ‘‘Shif dhe shkruaj’’ vënë në skenë nga regjisori Tahsin Demiraj. Kjo shfaqje do të linte mbresa tek Llukani i vogël dhe sic do të shohim më vonë ai nuk do të shkëputej nga skena duke qënë i lidhur për 50 vjet pranë sektorit të artit teatral e skenik.
Në intervistën dhënë me 13 tetor 2013 regjizori Tahsin Demiraj bashkëpunetori më i ngushtë i tij do të shprehej: – ‘‘Me aktorin e talentuar, Llukan Kolën, do të nisja një bashkëpunim të gjatë deri në largimin tim nga teatri i estradës e nga Lushnja, sepse tek ai unë gjeta talentin që më duhej, i cili e filloi aktrimin si amator në teatrin e estradës, por pastaj ai vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ku u diplomua si regjisor.
Brenda pak kohe u bë një nga regjisorët më të mirë të teatrit të kukullave dhe me shfaqet e tij nëpër konkurse u nderua disa herë me cmime të ndryshme. Tashme Llukan Kola, nuk ishte me ai aktor amator, por kolegu im, pa te cilin reciprokisht nuk bënim gjë pa bashkëpunuar me njeri- tjetrin’’. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin ‘‘18 Tetori’’ ku vazhdonte të aktivizohej në lëvizjen kulturore artistike me grupet teatrale të shkollës, por edhe në shtëpinë e kulturës në qytetin e Lushnjës.
Pas përfundimit të gjimnazit vazhdon Institutin e Lartë të Arteve në Degën e Kulturës për regjisor duke përfituar nga kolosët e artit skenik kombëtar të cilët i kishte pedagogë dhe kjo eksperiencë do t’i shërbente në veprimtarinë e tij në të gjitha pozicionet e punës ku ai u emërua pas mbarimit të shkollës së Lartë.
Ai punoi për gati 5 vjet si specialist i artit dhe kulturës me lëvizjen amatore dhe me pas do të kualifikohej si regjisor i teatrit të kukullave. Regjisori Llukan Kola është krijuesi i Teatrit të Kukullave në Lushnjë dhe mbetet regjizori i parë i këtij teatri. Llukan Kola ishte i apasionuar e kishte dhunti për të krijuar figura groteske te larmishme që sic do të rezultoje më vonë bashkë me trupën amatore, ai do të ishte i suksesshëm gjatë gjithë veprimtarisë së tij[deri ne vitin 1990 do të ishte i vetmi regjizor që do të vinte të gjitha premierat e këtij teatri].
Për herë të parë në historinë e qytetit, Lushnja u bë me Teatër Kukllash dhe premjera e parë u shfaq me datën 25 Maj 1975 që do të ishte shfaqja e parë që u vu në skenë në qytetin e Lushnjës nga kjo trupë dhe nga regjisori Llukan Kola. Premiera titullohej ‘‘Arinjtë e gëzuar’’ e autores ruse Maria Polivanova me muzikë nga Nesti Uci dhe skenografia nga Tahsin Demiraj.
Trupa e aktorëve që morën pjesë në këtë shfaqje u ngrit mbi baza amatore dhe këta do të ishin fëmijë e nxënës të shkollave të qytetit, mësues e punonjës të grupeve amatore në qytet si Artur Spaho, Edi Gjermeni, Alfred Jupe, Jani Mavromati, Tomorr Metushi, Albert Korraqe, Majlinda Prifti e Thëllëza Dervishi, të cilët realizuan një shfaqje tej parashikimeve, që do të sillte më vonë një angazhim dhe një dëshirë të madhe për të qënë pjesë e kësaj trupe të re të sapo formuar.
Kjo premierë tregoi se kjo trupë do të ishte shumë premtuese në të ardhmen dhe sic do të shohim pas disa shfaqjeve të sukseseshme do të vinte menjëherë shfaqja e dytë po në vitin 1975 ‘‘Veza e Humbur’’, shkruar nga Pleurat Armiri, me muzikë nga Nesti Uci dhe skenografi të Tahsin Demirajt.
Kjo shfaqje jo vetëm që pati sukses të madh, por do të ngelej si një shfaqje emblemë e kësaj trupe për shumë e shumë vite me rradhë, një shfaqje që është ndjekur nga publiku jo vetëm i Lushnjës, por edhe në shkallë kombëtare e transmetuar edhe në stacionet televizive si dhe është fituese e disa cmimeve në konkurime kombëtare me trupat e tjera të teatrove të kukullave.
Fillimisht në këtë shfaqje do të merrnin pjesë aktorë të talentuar Artur Spaho, Edi Gjermeni, Alfred Jupe, Jani Mavromati, Tomorr Metushi, Albert Karroqe, ku shumë nga këta kishin marë pjesë edhe në premierën e parë, por që do të shtoheshin edhe aktorët Agim Selimi, Pranvera Mehmeti, Diana Gjoliku e Mirela Tushe. Këta aktore, por edhe të tjerë që do të vinin me vonë si Mirela Harrilla e Irena Lala do të interpretonin në skenë në vitin 1976 tre premiera ‘‘Lufta vazhdon’’ shkruar nga Kastriot Zoraqi, ‘‘Dite Lufte’’ shkruar nga Xhavit Sollaku, ‘‘Lili mirili’’ shkruar nga Gazmend Kongoli.
Të tre këto premiera u shfaqën jo vetëm në qytet, por u ndoqën me sukses në të gjitha fshatrat e Lushnjës e në turnetë në qytetet Shkodër, Pogradec, Elbasan, Durrës, Korcë etj. Gjatë vitit 1976 u dhanë 104 shfaqje dhe nga këto 41 shfaqje në fshat, të cilat u ndoqën nga rreth 10 mijë spektatorë. Shfaqjet jepeshin në salla dhe aty ku mungonin sidomos në fshatra, ato jepeshin në ambiente të hapura në sheshe të improvizuara.
Suksesi i kësaj trupe do të bënte që të afroheshin elementë të talentuar si Natasha Dervishi, Pilo Arapi, Alfred Harshova, Jeta Gjata, Renata Vasha, Petrit Shemuni, Franc Nushi, Shkëlqim Bylykbashi, Merita Korreshi, Artur Spaho, shumë nga këta u rritën profesionalisht duke bërë shfaqje më të bukura e cilësore. Salla e teatrit të kukullave ishte e përshtatur në një nga ambiente e godinës së Shtëpisë së Kulturës në një salle modeste me rreth 100 vënde me një skenë të vogël e përshtatur për të ndërtuar skenografinë e shfaqjes.
Kjo sallë do të vazhdonte deri në prishjen e godinës së vjetër dhe më pas do të kalonte në ambientet e kinoteatrit ku u përshtat një sallë që do të plotësonte kërkesat që duheshin për realizimin e provave e të shfaqjeve gjatë gjithë viteve që do të vinin më pas.
Në takimin kombëtar që u zhvillua në Berat në vitin 1978 trupa e teatrit të kukullave u paraqit me premierën ‘‘Lemza e Beces’’ e autorit Gazmend Kongoli dhe u vlerësua me cmimin e tretë, në vitin 1982 po në Berat u paraqit me premierën muzikore surprizë ‘‘Kompleksi Kikiriku’’ shkruar nga Gazmend Kongoli ku u arrit të merret cmimi i parë e më pas në takimin kombëtare të Vlorës në maj 1984 Teatri i kukullave i Lushnjës me premierën ‘‘Mburravecët’’shkruar po nga Gazmend Kongoli me dekor të Bujar Kapexhiut dhe mjeshtër të kukullave Fatmir Sadiku përsëri trupa e teatrit të kukullave do të vlerësohej me cmim të parë.
Në vijimësi të punës me këtë trupë regjizori Llukan Kola do të fitonte eksperiencë dhe do të rradhitej ndër regjizoret më të mirë të Shqipërisë dhe këtë e tregon fakti jo vetëm i marrjes së cmimeve në nivel kombëtar, por edhe i sukseseve të njëpasnjëshme të shfaqjeve që jepeshin në turnetë e organizuara dhe që vlerësoheshin nga specialistët e kritikët e artit.
Gjatë viteve do të shohim një trupë të pjekur artistikisht vecanërisht për individualitete që krijuan fizionominë e tyre, duke interpretuar në forma nga më të ndryshme të levizjes me mjeshtëri të kukullave të shoqëruara me zërat e bukur herë imituese e herë me humor e satirë origjinale e që do të evidentoheshin më së miri si në premierën e shfaqjes ‘‘Kompleksi kikiriku’’ ashtu edhe në premierën e shfaqjes ‘‘Dac Maci’’, ‘‘Dhëmbë hekuri’’etj.
Në vazhdim do të vinin të tjera suksese me premierat ‘‘Dredhia’’ e autorit Themi Bello, ‘‘Veshkaushi’’, ‘‘Një mësim të mirë’’ nga ‘‘Pleurat Armiri, ‘‘Verr kopani’’ , ‘‘Aureli dhe roboti’ nga Tahsim Gjokutaj’’, ‘‘Zenun Kulaku’’ nga Jovan Bizhyti, ‘‘Shpagimi’’ nga Ilir Gjeci, ‘‘Përralla e patates’’ nga Tonin Shiroka, ‘‘Kaposhi kokëboshi’’, nga Pleurat Armiri etj.
Në prill 1989 kemi premierën ‘‘Sofër shtrohu’’ edhe kjo një shfaqje e suksesëshme që i bashkangjitet premierave të shumta të shfaqura në qytet. Regjizori Llukan Kola në veprimtarinë e punës së tij krijuese e inerpretuese në të shumtën e rasteve interpretonte edhe vetë me pasion duke dhënë eksperiencën e tij profesionale të fituar në vite dhe kështu do të shohim të verë në skenë edhe premiera të estrades për fëmijë si ‘‘Fjala magjike’’, ‘‘Hasani dhe Hasani’’, të dyja këto shfaqje u bënë shumë të kërkuara e të dashura për fëmijët e vegjël.
Një rëndësi të vecantë i kushtonte punës me aparaturat e regjistrimit me format e ndryshme të imitimeve, me persosmërinë e ndërtimin e formateve të reja të kukullave që do të na dhuronin tipa e karaktere që ngjallnin emocione e admirim tek fëmijët e vegjël. Komponenti i muzikës e cila në të shumtën e premierave ishin kompozime nga autorët Lushnjarë Agim Rreza, Edmond Doko, Maksim Kulla, Alfred Dhamo etj, si dhe nga kompozitorë të rretheve dhe materiale muzikore me karakter ilustrues nga fondi muzikor i filmave artistik shqiptar e të huaj.
Deri në vitin 1990 teatri i kukullave do të funksiononte normalisht me plan shfaqjesh e realizim të ardhurash 4 premiera cdo vit me rreth 100 shfaqje. Pas viteve 1990 do të funksiononte me shkëputje të herë pas herëshme për shkaqe të ndryshme herë financiare e herë të mos funksionimit të strukturës së artit në Lushnjë dhe në mjaft raste nga neglizhenca e drejtuesëve të pushtetit lokal që nuk kanë ushtruar interesin e duhur jo vetëm për teatrin e kukullave, por për gjithë zinxhirin e ndërtimit të artit e të kulturës në qytetin e Lushnjës.
Ka pak vite që teatri i kukullave është stabilizuar dhe paraqitet rregullisht me shfaqje gjatë vitit, e do të jetë pjesëmarrës në takimin ndërkombëtarë të teatrove të kukullave ‘‘Xinxifilo’’ në Pogradec, ku ka konkuruar me sukses dhe është vlerësuar nga specialistët për menyrën e paraqitjes dhe perfomancen e lojës së aktorëve. Sot teatri i kukullave ka hyrë në vitin e 45 -së të saj dhe është një krenari për Lushnjën pasi edhe në këtë situatë ku nuk bëhen investime për të mbajtur trupën e teatrit të kukullave për t’a ngritur në një nivel cilësor edhe me të lart, regjisori Llukan Kola që mbetet figurë potenciale në gjinin e teatrit të kukullave për fëmijë.
Ai do të mbetet si personazhi që ka kontributin më të madh në këtë gjini të artit skenik dhe me humbjen e tij nuk u mundësua realizimi i premieres të cilën ai do t’a shfaqte në përvjetorin e saj.
MAKSIM KULLA – PRILL 2019