Reklame:

Mishi dhe qumeshti i deleve

Qumështi i deles përveç që shfrytëzohet për të ushqyerit e qengjave, është mjaft i ushqyeshëm dhe i dedikuar për ushqimin e njerëzve pasi që është lehtë i tretshëm dhe i përshtatshëm për plotësimin e kërkesave biologjike të organizmit të njeriut. Gjithashtu qumështi gjen përdorim të gjerë në industrinë ushqimore për prodhimin e produkteve të ndryshme të qumështit. Prodhimtaria e gjithëmbarshme e qumështit të deles në botë arrin mbi 8.000.000 tonelata. Me prodhimtari më të lartë të qumështit të deleve dallohet Azia, ku rreth 45% e sasisë së gjithëmbarshme të qumështit të prodhuar përfshinë qumështi i deleve, kurse në Evropë, nga sasia e tërësishme e qumështit të prodhuar, rreth 44% përfshinë qumështi i deles. Viteve të fundit, në botë po vërehet një shtim i interesimit për mbarështimin e deleve qumështore dhe në këtë mënyrë po rritet prodhimtaria e qumështit.

Qumështi i deles është njëri nga produktet mjaft me rëndësi që fitohet nga delja, pasi që është mjaftë i begatshëm me lëndë ushqyese.

Përmbajtja e lëndës së thatë rritet kah fundi i periudhës së laktacionit, e gjithashtu ndodh edhe me sasinë e proteinave dhe yndyrave, kurse përkundrazi, sasia e laktozës ulet. Proteinat në qumësht ndodhen në formë të kazeinës.

Laktoza është karbohidrati kryesor i qumështit. Normalisht gjendet vetëm në gjëndrën qumështore dhe në vet qumësht. Qumështi i deles është më i pasur se ai i lopës në pikëpamje të vitaminave A, B1, B2,B12 dhe C. Rëndësi të madhe kanë edhe lëndët minerale, rëndësia e të cilave më tepër vjen në shprehje në rritjen e qengjave. Qumështi i deles ka përmbajtje më të lartë të Ca dhe P, kurse përmbajtje më të ultë të K në krahasim me atë të lopës. Hiri merr pjesë me 0,9% në përbërjen e qumështit të deles.

Laktacioni paraqet periudhën e dhënies së qumështit nga kafsha. Sipas shumë hulumtuesve është konsideruar se periudha e laktacionit te delet, varësisht nga raca dhe kushtet e mbarështimit, zgjat 6-8 muaj. Në gjatësinë e periudhës së laktacionit ndikojnë faktorët gjenetik dhe jo gjenetik, dallimet në mes racave dhe dallimet në mes individëve. Racat e seleksionuara për prodhimtari të qumështit gjatë një laktacioni (205 ditë) mesatarisht japin 500-600 kg qumësht. Në të kundërtën, racat primitive, sikurse janë Xhufkat, gjatë një laktacioni, që zgjat 3-4 muaj, japin deri në 40 kg qumësht, ndërsa racat mishatake japin qumësht vetëm sa për ta ushqyer qengjin.

Sa iu përket faktorëve jo gjenetik më të rëndësishëm, ata janë:

  • Laktacioni me radhë
  • Ushqimi
  • Gjendja shëndetësore
  • Kushtet e kultivimit
  • Tipi i pjelljes (delet që pjellin dy dhe tre qengja japin më shumë qumësht)
  • Graviditeti (nëse delja ngel barrëse gjatë periudhës së laktacionit, prodhon më pak qumësht).

Sa i përket vetë periudhës së laktacionit, sasi më e madhe e qumështit merret në muajin e parë dhe të dytë, e më vonë sasia e qumështit të prodhuar gradualisht ulet.

Mjelja e deleve mund të bëhet me dorë dhe me makinë mjelëse. Me dorë mjelja zgjat rreth 4 minuta (me variacion 3-5 minuta), kurse me makinë mjelja zgjat 1-2 minuta. Mjeljen e mekanizuar të deleve për herë të parë në praktikë e kanë aplikuar Francezët në vitin 1930.

Prodhimtaria e mishit të deles (qengjit), cilësia e tij dhe sasia, varen nga numri i gjithëmbarshëm i deleve, vetitë gjenetike të racave të deleve që kultivohen, kushtet e ushqimit dhe të kultivimit, teknologjia e kultivimit dhe shumëzimit, etj. Prodhimtaria e mishit të deles vlerësohet sipas masës trupore para therjes, masës pas therjes dhe masës së pastër trupore. Masa trupore para therjes ka ndikim të dukshëm në sasinë e mishit dhe për këtë arsye preferohet që delet 24 orë para therjes të mos ushqehen dhe të mos pinë ujë. Masa e pastër trupore paraqet masën pa organe të brendshme, pa kokë dhe pa pjesët e poshtme të këmbëve.

Delet për therje, sipas moshës, ndahen në këto kategori:

  • Qengjat që thithin
  • Qengjat e shkëputur nga gjiri
  • Rrunëzat dhe rrunëzakët
  • Delet dhe deshtë.

Duke u bazuar në këto kategori të deleve, bëhet edhe vlerësimi i mishit të tyre. Me mish të qengjave që thithin, kuptojmë mishin e qengjave nga mosha 3 javë deri në 3 muaj, e ku përfshihen, trupi me kokën dhe organet e brendshme me veshka, yndyrë, pëlhurëz të barkut, pa lëkurë dhe pa pjesët e poshtme të këmbëve, i cili duhet të peshoj prej 5-15 kg.

Me mish qengji të shkëputur nga gjiri, kuptojmë mishin e qengjit të moshës 3-9 muaj, me peshë 6-25 kg, i përshkruar si i më parmi. Me mish delesh dhe të dashit kuptojmë mishin e kategorive me moshë të avancuar (mbi 9 muaj) dhe me peshë të therur mbi 15 kg.

Sa i përket kategorizimit në vetë trupin e therur, ekzistojnë 3 kategori:

  • I – Mishi i kofshës pa gjurin dhe i belit (me veshkë dhe dhjamin veshkor)
  • II – Shpina, shpatullat dhe qafa
  • III – Gjoksi, barku dhe gjuri

Nga aspekti nutritiv (ushqyes) mishi i deles (qengjit) paraqet ushqim të begatshëm me lëndë ushqyese (proteina, vitamina dhe lëndë minerale), lehtë tretet dhe nga organizmi i njeriut shfrytëzohet 85-90%. Përmbajtja kimike dhe vlera ushqyese e tij varet, në radhë të parë, nga pjesëmarrja e indit muskulor dhe indit dhjamor në kafshë (dele) të therur. Më cilësor është mishi i qengjit nga mosha 3-6 muaj, sepse në këtë periudhë ka përmbajtje më të lart të indit muskulor dhe sasi të dëshirueshme të indit dhjamor.