Reklame:

Skema e re per qumeshtin – Çuçi, thirrje fermereve: Aplikoni per rimbursimin 10 leke per liter

Pak ditë pasi qeveria miratoi vendimin për të subvencionuar me 10 lekë për litër fermerët që shesin qumësht, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi vizitoi në Sukth një prej fabrikave më të mëdha në vend të përpunimit të qumështit.

Kjo fabrikë grumbullon qumësht kryesisht nga zona e Shkodrës, Lezhës, por edhe të Tiranës në ferma të seleksionuara dhe standartizuara konform kërkesave europiane për ushqyerjen, rritjen dhe mjeljen e kafshëve. Ministri pa nga afër investimin ndërsa shfrytëzoi rastin t’u bënte thirrje fermerëve të aplikojnë për të përfituar rimbursimin prej 10 lekësh.

“Besoj se edhe fermerët me të cilët punoni ju, do të jenë pjesë e skemës që ne miratuam për të rimbursuar me 10 lekë çdo litër qumësht të shitur. Unë gjej rastin t’u bëj edhe njëherë thirrje fermerëve që të vijnë pranë zyrave të AZHBR apo zyrave të Bujqësisë që të regjistrohen për të marrë rimbursimin”, tha ministri.

Industria e përpunimit të qumështit në vend ka njohur një rritje të madhe vitet e fundit. Sipërmarrësit e këtij sektori kanë kryer investime qindra milionë euro. Në vendin tonë prodhohen rreth 1.1 milion tonë qumësht, ndërsa e gjithë industria qarkullon në vit rreth 600 milionë euro. (SCAN)