Reklame:

Shqiperia ka mishin me te lire ne Europe

Mishi është një prej produkteve të shportës bazë të ushqimeve. Niveli i çmimit për këtë produkt dhe konsumi e rendisin Shqipërinë në vendin më të lirë dhe ndër vendet me konsumin më të ulët të tij.
Eurostat publikoi statistikat mbi indeksin e çmimit të mishit në 2017-n për të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket nivelit të çmimeve, ku mishi kushton rreth 45% më lirë se mesatarja e vendeve europiane (EU=100).

Krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, niveli i çmimeve të mishit është më i lirë. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia, ku mishi kushton rreth 42% më lirë se në vendet e Bashkimit Europian. Mishi kushton më shtrenjtë në Kosovë, rreth 13% më i lartë krahasuar me Shqipërinë. Në vend të dytë, për nivelin e lartë të çmimeve në Ballkanin Perëndimor, është Mali i Zi dhe Bosnja, ku çmimi i mishit është rreth 12% më shtrenjtë se në Shqipëri. Më pas renditet Serbia, rreth 9% më shtrenjtë se në vendin tonë.

Zvicra, më e shtrenjta

Mishi kushton më shtrenjtë në Zvicër, ku niveli i çmimeve është 2.4 herë më i shtrenjtë se në pjesën tjetër të Europës. Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve është kryesisht më i lartë në vendet e Europës së Veriut si Islanda, Norvegjia dhe Luksemburgu.
Në 2017-n, Luksemburgu kishte çmimet më të larta të mishit ndër vendet anëtare të BE-së, rreth 41% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian. Në vend të dytë, Austria, ku çmimet janë 39% më të larta se mesatarja europiane.

Më lirë në Europën Qendrore dhe në Ballkan

Polonia ishte vendi me çmimet më të lira të mishit, rreth 43% më lirë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndjekur nga Bulgaria me rreth 42% më lirë. (Monitor)