Në 2018 u importuan 39.7 mijë tonë mish, me rritje nga një vit më parë. Gati 30% e mishit të importuar në 2018-n në Shqipëri erdhi nga Brazili, me peshë rreth 10 mijë tonë. Vendin e dytë, me 16% të totalit të sasisë së importuar e zë mishi me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto dy vende përgjigjen për pothuajse gjysmën e importeve të mishit.
“Monitor” përllogariti vlerën mesatare në lekë të një kilogram mishi që ka hyrë në Shqipëri nga këto vende me përkatësisht 212 lekë/kg nga Brazili dhe 107 lekë/kg nga SHBA. Jo rrallëherë, autoritetet kanë bllokuar ngarkesat e mishit nga Brazili, për arsye të mosplotësimit të standardeve. Çmimi i ulët lidhet me cilësinë e dobët. Megjithatë, duke qenë se këto dy vende kanë ferma të mëdha, me shumë krerë bagëti, përfitojnë nga ekonomia e shkallës dhe nxjerrin një produkt me kosto më të ulët se në Shqipëri, ku mbizotërojnë fermat me 1-5 krerë bagëti.
Greqia dhe Italia janë dy vende të tjera origjine me peshë në importe, me përkatësisht 14 dhe 12%. Një kilogram mish i importuar nga Greqia ka hyrë me çmim mesatar 70 lekë për kilogram, ndërsa nga Italia me 131 lekë për kilogram. Gjermania dhe Polonia renditen më pas, me 8% dhe 6% të totalit të sasisë së importuar, prej të cilave importohet kryesisht mish derri. Në Poloni janë ngritur ferma të mëdha të mbarështimit dhe rritjes së derrit, duke rritur konkurrueshmërinë e këtij vendi në këtë segment. Mishi i derrit të importuar përdoret kryesisht për prodhimin e sallameve. (monitor)