Reklame:

Plehrat Bio, Menyrat e pergatitjes dhe te perdorimit

Qëllimi i plehërimit është përmirësimi i pjellshmërisë së tokës dhe realizimi i rendimenteve të larta. Në prodhimtarinë organike ekzistojnë shumë masa të cilat zbatohen me qëllim të mbrojtjes së tokave nga erozioni, ruajtja e strukturës dhe të ngjashme, e të cilat në të njëjtën kohë paraqesin në mënyrë indirekte edhe plehërim. Këso masa para se gjithash janë: plehërimi i gjelbër dhe mulqërimi.

Mbjellja e kulturave për plehërim të gjelbër, para së gjithash me bishtajorët, arrihet lidhja dhe pengimi i  shpëlarjes së ushqimit si dhe pasurimi i tokës me azot.

Mulqerimi me kashtë ka si efekt primar ruajtjen e regjimit ujor – tokësor dhe strukturën e tokës. Është dokumentuar se disa materie që liron kashta, refuzojnë morrat e gjetheve dhe dëmtuesit tjerë. Po ashtu, kashta vepron si barrierë fizike për disa dëmtues, siç janë kërmijtë.

Në prodhimtarinë organike më së shpeshti  përdoren plehrat në vijim: Plehu i stallës perfshirë edhe plehun e pulave, komposti, treseti (torfa), hiri, preparatet bimore dhe plehu mineral natyror.

PLEHU I STALLËS – Kualiteti i plehut varet nga lloji kafshëve shtëpiake, mënyra e të ushqyerit të tyre, llojin e shtrojës dhe vjetërsinë e plehut të stallës. Plehu i kalit dhe deleve (“i nxehtë”) zakonisht shpërndahet në tokat e rënda, derisa plehu i gjedheve dhe derrave (ftohët) është i përshtatshëm për toka të lehta, toka  ranore. Procesi i zbërthimit të plehut të stallës zgjatë 2 deri në 3 vite, ku gjatë vitit të parë zbërthehet: 20-35 % Azoti, 20-35 % fosfori, 70 % kaliumi. Plehu i pulave shfrytëzohet gjithmonë si përzierje: në përzierje me dheun (3:1), si shtesë gjatë kompostimit, rrallë i pastër (50-100 kg/100m2 dhe si tretje për ushqim  ndërmjet rendeve (1kg/10 litra  ujë).

Sasia mesatare e plehut të stallës e cila përdoret sillet: në toka të lehta çdo 2-3 vite, në toka të rënda çdo 4-6 vite. Tokat me pak humus 500 – 800 kg/100 m2, tokat e pasura me humus 300 – 400 kg/100 m2, kopshti organik 100 – 400 kg/100 m2, hapësirë e mbyllur 1000 – 2000 kg/100m2.

KOMPOSTI. – (300 – 600 kg/100 m2). Kompostimi është një metodë shumë e vjetër e transformimit të mbetjeve organike në humus.

Përveç që paraqet mënyrën më të përshtatshme të eliminimit të mbeturinave bio-zbërthyese, komposti është shtesë shumë cilësore në tokë sepse përmirëson strukturën e saj, rrit kapacitetin ujor dhe ajrimin e tokës, rrit aktivitetet mikrobiologjike në tokë, e pasuron me përbërës ushqyes dhe rrit rezistencën e vet kulturave.

TRESETI. -Krijohet më shkatërrimin e bimëve në tokë gjatë një periudhe të gjatë kohore. Përmban më së shumti N 0,8-2,5 % dhe shumë më pak P dhe K.

Rrallë përdoret si pleh, sepse funksioni paraprak i tresetit është përmirësimi i karakteristikave fizike të tokës. Sasia mesatare e cila jepet, kur shfrytëzohet si pleh është 300 – 500 kg/100 m2. Përveç që treseti gjendet në substrate për prodhimin e fidanëve si një komponentë e obligueshme, shpesh shfrytëzohet edhe për prodhimin e saksive për fidanë. Në këtë rast bimët nuk nxjerrën nga saksitë, vetëm direkt me të ndërrohen në vend të përhershëm.

PLEHU BIMOR (EKSTRAKTET E MATERIALIT BIMOR). – Ekstraktet e disa bimëve gjithnjë e më shumë shfrytëzohen për plehërim në prodhimtarinë organike: hithi, confrey dhe përzierje të bimëve të ndryshme. Të gjitha mbeturinat bimore pas ekstrahimit duhet të kompostohen:

a. CONFREY – (Symphytum officinale).- Ekstrakti i bimës confrey  si një pleh i lëngët, pasuron tokën me hekur, kalium, kalcium, fosfor, magnez dhe vitamina të kompleksit B, zakonisht njëherë në javë  përdoret te kulturat e mbjella.

Përgatitet ashtu që në 10 l ujë treten 1 kg të confrey – it të freskët. Pas disa ditëve, zhvillohet një ngjyrë e verdhe në të murrme dhe një erë e fortë sikur plehu i stallës për shkak të përmbajtjes së saj (proteina).

Para përdorimit detyrimisht hollohet me ujë, edhe atë që 1 l e ekstraktit të confrey – it hollohet me 10 l ujë dhe tretet mirë. Plehu i confrey – it jep efekt të mirë veçanërisht kur të kombinohet me plehun e hithrave.

 

b. HITHI (Urtica dioica). – Përdoret si insekticid ose pleh,  1 kg i hithit të freskët të prerë tretet në 10 l ujë dhe lihet 24 orë dhe përfitohet insketicid për luftimin e morrit të gjethit në perime ose 100 – 200 gr hith i thatë në 10 l ujë, pas 24 orëve lëngu duhet të filtrohet dhe me atë bimët të spërkaten mirë nga të gjitha  anët. Intervenimi duhet të përsëritet për disa ditë. Nëse 1 kg hithi të freskët të grimcuar imët treten në 10 l ujë dhe lihen deri në fund të procesit të ekstrahimit dhe pastaj hollohen me ujë në raport 1:10, mund të shfrytëzohet si pleh azotik jashtëzakonisht cilësor, dhe si mjet për forcimin e vitalitetit, dhe me vetë këtë dhe rezistencën e bimëve.

PLEHRAT MINERALE.– Plehra me origjinë minerale por vetëm me lejen e trupës certifikuese, siç janë hiri (përmban kalium) dhe mielli i gurit.

MIELLI I GURIT.- Përfitohet me bluarjen e gurit: Granit dhe Bazalt. Ka përmbajtje të lartë të silikateve (>40%), kaliumit, magnezit dhe fosforit. Shfrytëzohen për përmirësimi e karakteristikave fizike të tokës, aktivitetet mikrobiologjike, regjimin ujor të tokës dhe drejtpërdrejt ushqen bimët. Sasia e miellit të gurit e cila i shtohet tokës është: për ushqim 200 – 300 g miell, për pluhurin ose ushqim foliar (0,5-2%), për kompostim rreth 200 g/m2 në secilën shtresë të materieve organike

PLEHRAT MIKROBIOLOGJIKE.- Plehrat mikrobiologjike kanë rolin e bio fertilizatorit. Ata e pasurojnë tokën me mikroorganizma ku roli i saj në tokë është: të sintetizojnë dhe zbërthejnë humusin, kontrollojnë fito parazitët, zbërthejnë pesticidet. Si indikator tregojnë në ndikimin jo të përshtatshëm të metaleve të rënda dhe toksikantëve tjerë.