Reklame:

Shqiptaret e gjejne vete punen, norma me e larte e vetepunësimit ne Europe

Në mungesë të alternativave të tjera të punësimit, shqiptarët kanë gjetur shpëtim te vetëpunësimi, duke shënuar edhe normën më të lartë të vetëpunësimit në Europë. Sipas një vlerësimi paraprak, INSTAT përllogarit se norma e të vetëpunësuarve në vend për 2018-n është 34% për grupmoshën mbi 15 vjeç.

Në krahasim me mesataren e BE-së, Shqipëria ka një normë 2.4 herë më të lartë. Edhe në raport me vendet e rajonit, Shqipëria ka një normë më të lartë të vetëpunësimit. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit të të vetëpunësuarve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017 përllogaritet 23.5%.

Në vend të tretë për normë të lartë vetëpunësimi renditet Serbia, ku përqindja e të vetëpunësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetëpunësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë.

Mali i Zi e ndjek me një diferencë të vogël për sa i përket vetëpunësimit, i cili llogarit se 19.1% e të punësuarve janë të vetëpunësuar, sipas Zyrës Statistikore të Malit të Zi.

Maqedonia dhe Bosnja kanë një normë më të ulët të vetëpunësimit me përkatësisht 12.8% dhe 12.7%, sipas statistikave zyrtare.

32.6 milionë individë të moshës 15-74 vjeç në Bashkimin Europian ishin të vetëpunësuar në 2018-n. Ata përbënin rreth 14% të totalit të të punësuarve në vendet BE-së.

Në BE, rekord Greqia dhe Italia

Ndër vendet anëtare të BE-së, përqindjen më të lartë të vetëpunësimit e kishte Greqia dhe Italia. Në Greqi thuajse 1 në 3 persona të punësuar ishin të vetëpunësuar në 2018-n (me një normë 30% ndaj totalit të punësimit) dhe gati 1 në 5 të punësuar në Itali (22% e totalit). Më pas renditen vende si Polonia me 18%, Rumania me 17%, Çekia, Holanda dhe Spanja, secila me 16% dhe Portugalia, Sllovakia dhe Mbretëria e Bashkuar me 15%.

Normën më të ulët të vetëpunësimit (më pak se 10% e totalit) e kanë shënuar Danimarka dhe Luksemburgu, me 8%, si dhe Gjermania dhe Suedia me 9%.

Vetëpunësimi, më i lartë në ekonomitë pak konkurruese

Tipar i ekonomive ku mbizotëron vetëpunësimi është se ato janë ekonomi më pak konkurruese dhe se është e vështirë që të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës. Në një analizë të publikuar më parë nga Forumi Ekonomik Botëror, vetëpunësimi për pjesën më të madhe të njerëzve vjen si alternativë, duke qenë se nuk kanë zgjidhje tjetër. Fenomeni është më evident në zonat rurale. (monitor)