Reklame:

Krijohet “Kadastra e Ullinjve”-Hapet tenderi 7.2 milion leke, regjistrimi nis nga Berati!

Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë ka hapur tenderin për krijimin dhe mbajtjen e një regjistri për ullirin. Kadastra do t’i shërbejë më pas hartimit të politikave për zhvillimin e sektorit të ullirit dhe vajit të ullirit.

Tenderi i hapur në Agjencinë e Prokurimeve Publike ka ka një fond limit 7.2 milion lekë ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve është data 13 maj 2019.

Sipërfaqja e ullishtave  aktualisht vlerësohet të jetë rreth 50 mijë hektarë gjithsej. Aktualisht numri i ullinjve gjithsej parashikohet të jetë rreth 9 milion rrënjë dhe numri i linjave bashkëkohore të përpunimit për vaj, mbi 170.

Në vendin tonë, përpjekja e parë për krijimin e një sistem informacioni digjital për regjistrin e ullirit u bë në studimin e kryer në vitin 2009 “Për gjendjen aktuale të ullishtarisë dhe perspektivën e zhvillimit të saj”.

Studimi bëri të mundur digjitalizimin e të gjitha parcelave me ullinj si dhe ato që parashikohen për tu mbjellë në perspektivë. Por, këtij sistemi i mungonte informacioni mbi pronësinë, kultivarët, rendimentin, praktikat agronomike, karakteristikat e  tokës etj

“Një nga problemet e evidentuara e të analizuara gjatë këtyre viteve, është mungesa e të dhënave bazë për gjendjen dhe ndryshimet që ndodhin çdo vit në ullishtari dhe në industrinë e prodhimit të vajit të ullirit.

Kjo gjendje vjen si rezultat i shumë faktorëve, prej të cilëve më kryesori është mungesa e hartave, qoftë dhe manuale, për identifikimin e parcelës” evidentohet në dokumentet e tenderit të shpallur.