Reklame:

Kongresi Kombetar i Lushnjes, Gur Themeli per Shtetin Shqiptar – Te shpallet feste zyrtare

Shkruar nga: DR. NIKO FERRO/ DIELLI

Pas Kuvendit Kombëtar të Vlorës të mbajtur më 28 Nëntor 1912, Kongresi Kombëtar i Lushnjës mbetet padyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shtetit Shqiptar. Simbolikisht, Kuvendi i Vlorës është i pazëvendësueshëm, sepse realizoi pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Kongresi i Kombëtar i Lushnjës u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar duke i dhënë jetë parlamentarizmit.
Rrethanat në cilat u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës ishin tepër të vështira, vendi mbahej i pushtuar nga forcat italiane, franceze, serbe dhe ato greke. Ndërkaq ekzistenca e Shqipërisë ishte venë në pikëpyetje. Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, delegatë nga të gjitha krahinat të mbledhur në Lushnje morën vendime të rëndësishme të cilat shpëtuan këtë komb.
Qysh në takimin e parë Kongresi i Lushnjës kundërshtoi fuqishëm vendimin e Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili e ndante Shqipërinë midis fqinjëve.

Kongresi i Lushnjës vendosi unanimisht, të shpallë të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes me arsyetimin se ajo “kishte dalë jashtë kornizës për të cilën ishte zgjedhur”.
Kongresi i Lushnjës caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi i Lushnjës mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi i Lushnjës u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj.

Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”.
Kongresi i Lushnjës miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti ai. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar 1920, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese.

Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi i Lushnjës zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit.

Ai përbëhej nga 37 anëtarë. Këshilli Kombëtar kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja.
Kongresi i Lushnjës zgjodhi një qeveri të re me Kryeministër Sulejman Delvinën, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore.

Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime.
Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë.

Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit.

Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane.

Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.
Kongresi i Lushnjës t’i jepet ajo që meriton në histori… Jo për t’i bërë nder vetëm qytetit të Lushnjës po për t’i bërë nder historisë dhe se vërtetës. (DIELLI)