Historiku dhe përhapja
Është bimë me origjinë nga Kina. Në gjendje të egër gjendet në shumë vende mesdhetare, në Azinë e vogël dhe Afrikën veriore. Në Shqipëri ka ardhur në vitin 1911 në Elbasan nga Turqia. Më shumë gjendet në zonat e ullirit si Tiranë, Elbasan, Lushnje, Berat, Fier, etj.
Vlerat ushqyese
Frutat e hurmës përdoren të freskëta dhe të përpunuara. Ato janë të pasura në sheqer pasi e përmbajnë 13-19 %. Gjithashtu janë të pasura në vitamina A,C, taninë dhe kripëra minerale 0,7 %.
Klasifikimi botanik
Hurma futet në familjen Ebanaceae, gjininë dhe specien Diospyrus kaki L.(2x=30, 60, 90 kromozome). Në të njëjtën familje numërohen mbi 200 specie të kësaj gjinie. Speciet më të rëndësishme tek ne janë:
1.Diospyrus lokus L.(hurma e egër). Ka gjethe eliptike të zgjatura, lulëzon në Maj dhe i pjek frutat në Nëntor. Frutat janë shumë të vegjël, të verdhë dhe me fara të mëdha. Kjo specie përdoret më shumë për nënshartesë.
2.Diospyrus virginiana L. Kjo është shumë e egër e cila përdoret si nënshartesë sidomos në zona të ftohta.
3.Diospyrus kaki L.(hurma e butë). Ka dhënë shumicën e kultivarëve të njohur në prodhim. Gjethet janë të mëdha, eliptike ose të rrumbullakëta me ngjyrë të gjelbër nga sipër dhe më të hapur në sipërfaqen e poshtme. Frutat janë të mëdha me ose pa fare (partenokarpikë).
Veçoritë biologjike
Hurma është drufrutor monoik dhe diotik (pologame). Kështu ka hurma që kanë vetëm lule mashkullore, vetëm lule femërore, lule hermafroditë ose në të njëjtën pemë mund të ketë të dy tipet e luleve. Kur lulet femërore nuk pllenohen japin fruta (akene) pa farë (parthenokarpikë) që nuk konsumohen menjëherë pas vjeljes, kurse në rastin e pjalmim-pllenimit të luleve femërore frutat janë me farë dhe mund të konsumohen menjëherë pas vjeljes sepse, nuk shkaktojnë rrudhosje të gojës pasi përmbajtja e taninës dhe fenoleve që e shkaktojnë atë, është e ulët.
Hurma prodhon degëza frutore 1-vjeçare dhe në lastarë të vitit. Ajo futet në prodhim në vitin 3-4-të pas mbjelljes së fidanit në pemëtore dhe prodhon mirë për shumë vite pasi, është drufrutor me jetëgjatësi të madhe deri dhe shekullore.
Klima dhe toka
Hurma kultivohet kryesisht në zonën mesdhetare me klimë të freskët. Ajo u qëndron temperaturave të ulëta deri -17ºC dhe nuk dëmtohet nga ngricat e hershme të pranverës pasi, ka lulëzim të vonë. Faza e lidhjes dhe stadet e para të zhvillimit të frutit janë kritike për prodhimin pasi, pema ka nevojë për lagështi tokësore dhe ajrore gjatë kësaj periudhe.
Hurma preferon toka subargjilore të mesme dhe aluvionale, të pasura me elemente ushqyese dhe te kulluara.
Shtimi i hurmës
Shtimi i hurmës bëhet me farë dhe me shartim të nënshartesës me kalem me çarje ose me kalem nën lëkurë.
Forma e kurorës
Hurma zakonisht kultivohet me formë kupore ose kupore të përmirësuar. Me krasitjen prodhuese kruhet kryesisht rrallim i lastarëve dhe thithakëve n.m.q të sigurohen kushte të mira ajrimi e dritëzimi. Gjithashtu kryhen prerje të degëve të dendura, të dëmtuara, të thata, thithakëve, etj.
Vjelja dhe ruajtja e frutit
Frutat vilen në stadin kur kanë marrë ngjyrën e kultivarit, përqindjen e sheqerit dhe shijen karakteristike. Hurmat ruhen dhe tregtohen për 2-3 muaj.
Kultivarët
Sot njihen mbi 800 kultivarë të hurmës por rreth 90 prej tyre paraqesin vlera prodhimi. Klasifikime të kultivarëve të hurmës janë bërë në bazë të ngjyrës së tulit, përmbajtjes së taninave dhe sipas tipit të luleve në pemë.
Kështu sipas përmbajtjes së taninave kemi:
a)kultivarë me përmbajte të lartë tanine: Costata, Farmacista honorati.
b) kultivarë me përmbajte të ulët tanine: Kaki Tipo, Aman kaki, Zenxhi maru etj.
Sipas tipit të luleve kemi:
a) kultivarë që japin lule femërore dhe kur ato pjalmohen japin fruta me farë që mund të konsumohen menjëherë pas vjeljes, kurse kur nuk pjalmohen japin fruta partenokarpikë taninozë dhe që konsumohen më vonë, pas pjekjes së plotë. Kultivarë të tillë janë Tipo dhe Aman Kaki. b) kultivarë që japin vetëm fruta partenokarpikë. c) kultivarë që japin të dy tipet e luleve në të njëjtën pemë dhe frutat e tyre përmbajnë 1-8 fara, kanë tul ngjyrë kafe, të ëmbël dhe mund të konsumohen menjëherë pas vjeljes (Zenxhi-Maru).
Kaki tipo (Elbasanase)
Përhapja: Elbasan, Tiranë, Vlorë, Lushnje, Fier dhe Berat.
Pema: është shumë e zhvilluar dhe prodhimtare. Ajo jep lule funksionale femërore (thekët të pazhvilluara).
Fruti: mesatarisht i madh, në formë globoze të zgjatur. Frutat e papllenuar kanë ngjyrë portokalli të cipës dhe të tulit dhe konsumohen vetëm pasi zbuten, kurse frutat e pllenuara kanë ngjyrë kafe në kanellë të tulit, i cili është i ëmbël, i shijshëm dhe konsumohet pas vjeljes.
Koha e pjekjes: fundi i Tetorit.
Aman kaki (Valiasi)
Përhapja: Elbasan, Tiranë, Fushkrujë, etj.
Pema është e zhvilluar dhe prodhimtare.
Ajo jep lule funksionale femërore dhe fruta me fare ose dhe partenokarpikë.
Fruti: shumë i madh, në formë globoze të shtypur në majë. Frutat e papllenuar kanë ngjyrë portokalli të cipës dhe të tulit, kurse frutat e pllenuar kanë ngjyrë kafe në kanellë të tulit.
Koha e pjekjes: fundi i Tetorit
Zenxhi-Maru (farëzeza)
Përhapja: Elbasan, Tiranë, Vlorë, Lushnje.
Pema: është shumë e zhvilluar, me kurorë globoze dhe prodhimtare. Ajo jep lule hermafroditë por dhe femërore të cilat me pllenim japin fruta me farë.
Fruti: mesatarisht i madh (150 gr), në formë sferike të zgjatur dhe i plotë në majë. Frutat e pllenuar kanë ngjyrë portokalli me vija rrethore të zeza dhe një katërkëndësh të zi në majë. Tuli ka ngjyrë kafe në kanellë, i cili është i ëmbël, i shijshëm dhe konsumohet pas vjeljes. Ky kultivar pjalmon hurmat e tjera pasi prodhon mjaft lule mashkullore.
Koha e pjekjes: dhjetëditëshi i pare i Tetorit.
Farmacista honorati (Beratase)
Përhapja: Berat, Vlorë, Lushnje, Tiranë, etj.
Pema: është shumë e zhvilluar dhe prodhimtare. Ajo jep lule funksionale femërore.
Fruti: i vogël deri mesatar, në formë konike dhe të brinjëzuar. Frutat kanë ngjyrë portokalli. Tuli ka ngjyrë portokalli dhe përmban shumë taninë. Frutat qëndrojnë gjatë në pemë (në varësi të ekzistencës farave) edhe pas rënies së gjetheve.
Koha e pjekjes: Dhjetor.
Costata
Përhapja: Berat, Vlorë, Lushnje, Tiranë, etj.
Pema: është e zhvilluar dhe prodhimtare. Ajo jep lule funksionale femërore (thekët të pazhvilluara).
Fruti: i vogël deri mesatar, në formë konike dhe të brinjëzuar. Frutat kanë ngjyrë të portokalli. Tuli ka ngjyrë portokalli dhe përmban shumë taninë (në varësi të pllenimit).
Koha e pjekjes: Nëntor-Dhjetor.
Kira kaki (Ajazma)
Pema: është e zhvilluar dhe prodhimtare. Ajo jep lule funksionale femërore (thekët të pazhvilluara).
Fruti: mesatar, në formë të rrumbullakët dhe të brinjëzuar. Frutat kanë ngjyrë të verdhë. Tuli ka ngjyrë portokalli dhe përmban shumë taninë. Frutat e pllenuar janë më të ëmbël.
Koha e pjekjes: fundi i Tetorit.