Dritani nga Kuçova kultivon prej 10 vitesh perime në serra. 70% e prodhimeve bujqësore që prodhon, dërgohen për eksport në vendet e Bashkimit Europian, por edhe në vende të lindjes apo në rajon.
“Ky produkt shkon i gjithi për eksport. Ne jemi lidhur me një kompani në Lushnje, e cila na bën edhe programin e mbjelljes, që nga lloji i domates, i specit. Ne punojmë për llogari të saj. Produkti ynë shkon kryesisht në vendet e BE-së, por edhe për tregun vendas, sepse 20-30% i cilësisë së dytë mbetet këtu. Me cilësi të dytë nuk e kam fjalën produkt jo i mirë, por kokrra është më e vogël”, thotë fermeri Dritan Kuqi.
Në zonën e Lushnjes janë ngritur disa pika grumbullimi, ku fermerët mund të prezantojnë produktet e tyre për t’u shitur. Më pas, grumbulluesi siguron tregun brenda dhe jashtë Shqipërisë, kjo në varësi të cilësisë së prodhimeve bujqësore.
Shqipëria në vitin 2018 eksportoi 300 mijë tonë prodhime bujqësore. Kompania që drejton Nedrete Arapi në Lushnje ka eksportuar qindra tonë.
“Sa herë që eksportojmë në vendet e rajonit apo dhe të BE-së, në çdo pikë doganore ka agronomë të cilët analizojnë produktin. Kam 15 vite që eksportoj dhe deri më tani nuk më është kthyer asnjë kamion. Për më tepër po ju tregoj dhe analizat, ku norma e pesticideve është brenda normave që kërkon Bashkimi Europian”, tha Nedrete Arapi, eksportuese.
Për shkak të motit të mirë dhe mënyrës tradicionale të bujqësisë, prodhimet e fermave të Lushnjes dhe Beratit dalin më shpejt në treg, e kjo bën që të jenë të preferuara në vendet e ftohta.
“Vetëm për vitin 2018 kam bërë xhiro vjetore 8 milionë euro. Ky është tregues që kemi mall cilësor”, tha Nedrete Arapi, eksportuese.
(Top Channel)