Reklame:

Ministri Çuçi: Domatet vendase 100% te sigurta

“Prodhimet tona janë 100% të sigurta. Shqiptarët duhet të jenë krenarë për këto produkte, të cilat shkojnë në të gjithë Europën”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi gjatë një vizite në serën e një fermeri në fshatin Bishan të Vlorës.

Ministri pa nga afër këtë biznes familjar me traditë gati 20-vjeçare, ku kultivohen mijëra tonë domate për tregun vendas dhe për eksportin. Njësoj si në gati 80% të serave në vend, edhe domatet e kësaj serre rriten pa qenë nevoja të përdorin fito rregullatorët.

Pjalmimi kryhet përmes bletëve të posaçme të cilat qëndrojnë brenda serrës. “Nuk ka as histori gjilpërash, as histori hormonesh.

Nga 300 mijë tonë prodhime bujqësore që kemi eksportuar gjatë vitit 2018, nuk kemi asnjë kamion të kthyer mbrapsht. Kjo ka një domethënie të madhe për cilësinë e produktit.

Ftoj të gjithë konsumatorët shqiptarë të konsumojnë këto prodhime që janë jo vetëm të sigurta, por edhe të shijshme”, u shpreh ministri i Bujqësisë z. Bledi Çuçi.

Për të frenuar prodhuesit e pandershëm dhe ata që abuzojnë me sigurinë ushqimore, pritet që në javët e ardhshme të miratohen ndryshimet në Kodin Penal.

Masat ndëshkuese do të ashpërsohen deri në dënime me disa vite burg. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe institucionet në varësi të saj, nuk do të lejojnë askënd të cenoje sigurinë ushqimore dhe të rrezikojë shëndetin e konsumatorëve. (scan)