Reklame:

Prodhimi periodik i pemeve

Të pemët frutore që janë në moshe prodhimi, nganjëherë, ndodh që pas një viti me prodhimtari të madhe,  viti tjeter ose gjatë disa vjetëve të tjerë, prodhimi të jetë shumë i vogël. Kur kjo dukuri përsëritet vazhdimisht, atëherë kemi të bëjmë me prodhimtari periodike të pemëve.

Prodhimi periodik është mjaft i dëmshëm, sepse, në radhe të pare, pengon realizimin e përvitshëm të prodhimit dhe si rrjedhoje te te ardhurave te fermerit.

Gjithashtu, duke mos prodhuar në të gjitha vitet, ulët prodhimi i përgjithshëm dhe rritet kostoja e prodhimit.

Prodhimi periodik shfaqet veçanërisht kur prishet raporti ndërmjet rritjes dhe frytëzimit. Kështu, p.sh., kur në një vit të dhënë prodhimi dëmtohet plotësisht nga ngricat e vona të pranverës, rritja vegjetative do të jetë me e fuqishme së në një vit normal meqenëse lëndët ushqyese nuk harxhohen nga pema. Ato kalojnë në sytha, dhe ndihmojnë diferencimin e tepër të sythave frutore për vitin e ardhshëm.

Kështu, në vitin e dytë prodhimi është i madh. Harxhimi i tepërt i lëndëve ushqyese të bimës frenon rritjen vegjetative dhe diferencimin e sythave frutore për vitin pasardhës.

Kështu në qofte së viti i parë mund të quhet bosh, viti i dytë do të jetë plot, viti i tretë përsëri bosh e kështu me radhë.

Prodhimi periodik mund të këtë pikënisje edhe nga një vit me prodhimtari të larte, në saje të kushteve të përshtatshme klimatike.

SONY DSC

Prodhimi periodik, pra, nuk është dukuri biologjike, por pasoje e çrregullimeve fiziologjike. Njeriu mund të ndërhyjë në zbutjen dhe deri në zhdukjen e tij.

Rëndësi të madhe në luftën kundër prodhimit periodik ka njohja e kalimit të fenofazave për kultivarët e veçante në kushtet e caktuara dhe në zonat e caktuara, që shërbimet të bëhen në përputhje me to.

Vetëm kështu do të japë rezultatin e duhur, pasi ndryshe, në vend që ta luftojmë prodhimin periodik, mund ta nxitim atë.