Reklame:

“Herbicidi i Bayer ka shkaktuar kancer” – Demshperblim mbi 2 miliarde $ per çiftin Pilliod

Një juri në Kaliforni i caktoi dëmshpërblim në më shumë se 2 miliardë dollarë një çifti që pohoi se herbicidi Roundup i Bayer, i ka shkaktuar kancer.

Kjo vlerë gjigante ka gjasa të reduktohet për shkak të vendimeve të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara që limitojnë normën e dëmeve ndëshkuese ndaj atyre kompensuese në raportin 9:1.

Juria caktoi një total prej 2 miliardë dollarë të dëmit ndëshkues dhe 55 milionë dollarë në kompensim.
Ky ishte vendimi i tretë radhazi kundër kompanisë për kimikatin, që Bayer e bleu nën marrëveshjen prej 63 miliardë dollarë të Monsanto vitin e kaluar.

Juria në Gjykatën e Lartë në San Fransisco bëri të ditur se kompania është përgjegjëse për krijimin e limfomës te paditësit Alva dhe Alberta Pilliod.

 

Alva Pilliod mori 18 milionë dollarë në dëmshpërblim dhe 1 miliardë dollarë në dëme ndëshkuese, ndërsa gruaja e tij, Alberta Pilliod, mori 37 milionë  dhe 1 miliardë dollarë respektivisht.

Juria zbuloi se Roundup është projektuar në mënyrë të gabuar dhe se kompania ka dështuar të paralajmërojë për rrezikun e kancerit te herbicidi, duke vepruar me neglizhencë.

“Ne shpresonim që Monsanto të na paralajmëronte paraprakisht për rreziqet e përdorimit të këtij produkti, apo të kishte ndonjë shkrim në krye të paketimit që të shkruante “Kujdes, mund të shkaktojë kancer”. 

Atëherë, ne nuk do ta përdornim Roundup. Ne nuk kishim asnjë alternativë, për shkak se reklama të bënte të ndiheshe tmerrësisht e sigurt mbi përdorimin”, u shpreh Alberta Pilliod, paditëse.

Gjiganti i kimikateve në Gjermani përballet me më shumë se 13,400 padi në Shtetet e Bashkuara mbi rreziqet e mundshme të kancerit te herbicidët.

Gjyqi i ardhshëm është skeduluar për muaji Gusht në gjykatën shtetërore të Mizurit. Bayer deklaroi se është zhgënjyer me vendimin dhe do të apelojë.

Një zëdhënës i kompanisë e quajti vendimin si të “tepërt dhe të pajustifikuar”.   Kompania bëri të ditur se çifti paditës kanë pasur histori të vjetër me sëmundje që cilësohen si faktorë thelbësor për krijimin e limfomës.

“Ka kontrast të madh mes verdiktit të sotëm dhe gjykimit të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA, që thekson se nuk ka rrezik ndaj shëndetit publik”, deklaroi Bayer.