Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje të fortë në pjesën e parë të këtij viti, sidomos gjatë muajit prill, të nxitura nga dy grupe, ai i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.
Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-prill janë shitur në vendin fqinjë mallra me vlerë 8.9 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kosova renditet në këtë mënyrë në destinacionin e dytë të eksporteve, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5.8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet kërcyen me 70%.
Efektin kryesor në këtë rritje e ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që janë katërfishuar për 4 mujorin, duke arritur në 2.3 miliardë lekë. Ky grup ka zënë 26% të totalit të eksporteve. Rritja e tij lidhet me rifillimin e aktivitetit të rafinerisë ARMO, e cila një pjesë të naftës së përpunuar e çon në Kosovë. ARMO ka rritur prodhimin në vend në muajt e parë të këtij viti, teksa ka marrë më shumë naftë të papërpunuar nga Bankers Petroleum dhe ky i fundit ka ulur eksportet drejt shteteve të tjera.
Grupi më i madh eksportues është “materiale ndërtimi dhe metale”, kryesisht metalet. Eksportuesi më i madh është Kurum, që e ka Kosovën një nga destinacionet kryesore të eksporteve të veta.
Për 4 mujorin, eksportet e materiale ndërtimi dhe metale ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 18% me bazë vjetore. Ky grup zë peshën më të madhe, me 46% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.
Shqipëria nuk duket të ketë përfituar shumë nga vendosja e taksës 100% që Kosova i vuri mallrave serbe, pasi rritja e këtyre dy grupeve është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm, si psh rifillimi i punës së ARMO.
Gjithsesi dhe produktet e tjera kanë shënuar rritje, ndonëse nisur nga një bazë e vogël.
Eksportet e ushqimeve e pijeve, ndonëse janë rritur me 38%, duke përbërë rreth 10% të totalit.
Produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% për katër mujorin, duke zënë 6.2% të totalit. (monitor)