Çmimet finale të frutave dhe perimeve në Shqipëri kanë shmangie të mëdha në raport me çmimet e tyre të prodhimit.
Një studim i Bankës së Shqipërisë krahason indeksin e çmimeve të prodhimit të fruta-perimeve, që përfaqëson çmimin me të cilin ato shiten nga prodhuesit, me indeksin e çmimeve të konsumit, që është çmimi me të cilin blihen nga konsumatorët. Në tregjet e tjera, si Bashkimi Europian, apo vende të veçanta si Italia dhe Greqia, ky raport luhatet pranë vlerës 1, duke treguar për një luhatje të ngjashme midis indeksit të prodhimit dhe indeksit të çmimit final të konsumit.
Në vendet krahasuese, prania e tregjeve konkurrente, e hallkave të organizuara dhe eficiente në procesin e prodhimit, ruajtjes, shpërndarjes deri në tregtimin final, ndikon në uljen e kostove shtesë për njësi produkti, duke e afruar çmimin final më pranë çmimit të prodhimit. Në vendin tonë ky raport është në rritje dhe më i lartë se në tregjet e tjera të krahasuara, kryesisht për grupin e frutave.
Sipas studimit, këto shmangie mund të kenë në bazë kufizimet e larta në organizimin e hallkave që lidhen me grumbullimin, magazinimin, ruajtjen, transportin dhe tregtimin deri te konsumatori; rreziqet e shtuara për dëmtimin në terma të sasisë dhe të cilësisë së produkteve bujqësore apo edhe ineficiencën në prodhim. Këto tipare rëndojnë kostot për njësi të produktit të tregtuar dhe të çmimit final të tij.
Autorët sugjerojnë se përmirësimet në infrastrukturën për grumbullimin, magazinimin dhe shpërndarjen e prodhimeve bujqësore do të rrisnin eficiencën e tregut të këtyre produkteve dhe do të rezultonin në diferenca më të vogla të luhatjeve mes çmimeve të prodhimit dhe atyre të konsumit. (scan)