Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi prej 762 kilogramësh produkte ushqimore të pasigurta në pikën e Kalimit Kufitar në Morinë. Në listën e produkteve të bllokuara janë yndyrë gatimi, majonezë, ketchup dhe xhel karameli. Ngarkesa me këto produkte ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej për ri-eksport në Shqipëri.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale AKU në Kukës, gjatë kontrollit, kanë konstatuar këto mangësi:
-Produktet nuk përputheshin me dokumentacionin që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raport-analizat nuk i përkisnin këtyre produkteve.
-Në çertifikatën e cilësisë të ri-eksportit origjina ishte shkruar Kosovë.
-Produktet e ngarkesës (majonezë, ketchup, xhel karameli) nuk kishin të shënuara në etiketë numrin e Lott-it, datën e prodhimit dhe skadencës.
-Produkti “yndyrë gatimi” (sasia 192 kg) në etiketë kishte të shënuar “preferohet të përdoret para datës 30.03.2016”, ndërkohë që në ambalazhin e saj (kapaku i kutisë plastike) kishte të shënuar datën 11.06.2019.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi, DR. e AKU Kukës nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me produktet ushqimore jashtë afatit të përdorimit u kthye në vendin e origjinës. Me ndryshimet në Kodin Penal, që do të miratohen së shpejti, masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg. Siguria ushqimore është prioritet i punës sonë, prandaj nuk do të ketë tolerim për asnjë rast abuzimi” shkruhet në njoftimin e AKU-së.