Reklame:

Plani i BE per ndryshimet e klimes

Tetë shtete evropiane kanë kërkuar miratimin e një strategjie ambicioze që synon të luftojë ndryshimet klimatike, duke vënë në dispozicion 25% të buxhetit të Bashkimit Evropian. Përmes një deklarate të përbashkët theksohet se BE-ja duhet të arrijë më së largu në vitin 2050 nivelin zero të emetimit të gazrave të dëmshëm në ambient.

Dokumenti është nënshkruar nga Franca, Belgjika, Danimarka, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia. Këto shtete do ta paraqesin propozimin e tyre në samitin e ardhshëm të liderëve të BE-së në qytetin rumun të Sibiut ditën e enjte, ku do të diskutohet mbi të ardhmen e Evropës dhe strategjinë e 5 viteve të ardhshme.

Por jo të gjitha vendet janë mbështetëse të nismës dhe në deklaratë mungon qëndrimi i Gjermanisë, një nga aktorët kryesorë dhe më me shumë peshë në BE. Tetë shtetet pretendojnë se ndryshimet klimatike kanë rol deciziv në të ardhmen e njerëzimit dhe kjo u dëshmua edhe vitin e kaluar me të nxehtin ekstrem dhe zjarret që shkaktuan probleme të mëdha në një pjesë të shteteve evropiane.