Reklame:

Papa leksion gazetareve per informim

Papa ka pritur sot ne sallen Klementine ne Vatikan, 400 anëtarë të Shoqatës së Shtypit të Jashtëm në Itali. Papa ju eshte drejtuar gazetarëve: Të përvuajtur e të lirë për të ndërtuar, në shërbim të së vërtetës.

Një fjalim 360 gradësh kushtuar gazetarisë dhe komunikimit, ky që ua mbajti sot Papa anëtarëve të Shoqatës së Shtypit të Jashtëm. Në një kohë kur ndjehet fort rreziku i dizinformacionit, Papa nënvizoi se pikërisht përvujtëria të bën të lirë, të aftë për t’u dhënë njerëzve bukën e mirë të së vërtertës e shpresën, duke qenë gjithnjë nga ana e viktimave. Pa harruar të theksojë se “liria kërkon guxim!”. Françesku i nxiti gazetarët të kujtojnë edhe të ashtuquajturat luftëra të harruara, si dhe Mesdheun, që vijon të shndërrohet në varrezë.
Në një kohë përplot me fjalë armiqësore e fake news, apo lajme të rreme, është përvujtëria ajo, që e bën të lirë gazetarin, edhe pse ndokush mund të thotë se karakteristikat themelore të profesionit janë të tjera, si kompetenca, aftësia për të shkruar, shpejtësia për të përmbledhur, shkathtësia për gjetjen e pyetjeve të duhura… Këtë kujtoi Papa në fjalimin e gjatë, kushtuar komunikimit dhe gazetarisë, drejtuar sot paradite 400 anëtarëve të Shoqatës së Shtypit të Jashtëm në Itali, të cilët i priti në Sallën Klementine, në Vatikan. Në bazë të fjalimit, ishte përvujtëria në gazetari: me një komunikim, që di të ndërtojë, jo të rrënojë; që e kërkon të vërtetën e nuk kënaqet me pak; që nuk përdor stereotipe ose slogane; që nuk u jep njerëzve dizinformacion, por bukën e mirë të së vërtetës; që di të mbajë anën e viktimave, duke u dhënë zë, e të tregojë edhe oqeanin e pafundëm të së mirës, pa harruar dramat e kohës sonë!
Duhet përvujtëri, për ta paraqitur ndërlikimin e jetës
Zbulimi i së vërtetës kërkon përvujtëri, ndërsa është më e lehtë të mos bësh shumë pyetje, të kënaqesh me përgjigjet e para, të përcipta, që nuk të lodhin, si hetimet e holla në zemër të jetës, për të treguar sa e ndërlikuar është jeta e vërtetë. Pa harruar se “gazetar i përvuajtur, nuk do të thotë mediokër”. Pëndryshe, gazetari mund të bëjë më shumë keq, sesa mirë. Mund t’i bëjë keq të afërmit e bashkësive të tëra:
“Gazetari duhet t’i bëjë ballë tundimit për të botuar lajme të pavërtetuara plotësisht. Nuk duhet punuar me nxitim! Duhet gjetur gjithnjë koha e nevojshme për të kuptuar”.

Gazetari i përvuajtur është i lirë, nuk shet dizinformim

Ashtu si Shën Françesku i Sales, shenjt pajtor i gazetarëve, ftonte që fjala të përdorej si përdor kirurgu bisturinë, kështu duhet t’i përdorë fjalët edhe gazatari, kur posaçërisht në social media, por jo vetëm aty, shumë përdorin një gjuhë të dhunshme e përçmuese. Kur fliten tepër fjalë armiqësore, nuk duhet harruar se çdo njeri ka dinjitetin e tij të paprekshëm:
“Në një kohë kur shumë përhapin fake news, përvujtëria të pengon të shesësh gjellën e prishur të dizinformacionit e të fton të ofrosh bukën e mirë të së vërtetës. Të lirë nga kushtëzimet. Të lirë nga paragjykimet, e për këtë, edhe të guximshëm. Liria kërkon guxim!”

Të kujtohen edhe vuajtjet e shumta të botës

Papa, më pas, kujtoi se i ka ndjekur me dhimbje të thellë statistikat mbi gazetarët e vrarë në vise të ndryshme të botës. “Liria e shtypit dhe e shprehjes, është tregues i rëndësishëm i shëndetit të një vendi”- pohoi, e kjo është aq e vërtetë, sa masa e parë që marrin diktaturat, është të zhdukin lirinë e shtypit, ose ta maskojnë. Diktatorët nuk e durojnë të vërtetën! Prej këndej, merr vlerë të veçantë përpjekja e gazetarëve për të treguar situatat e vuajtjes, që shpesh nuk kanë dritën e reflektorëve, ose duken e zhduken sakaq. Prej këndej, Papa i falënderoi gazetarët që shkruajnë për luftërat e harruara, për jetën e shuar ende pa lindur, për urinë, fëmijët ushtarë, të miturit e dhunuar, të persekutuarit për shkak të fesë a të etnisë. E kërkoi që sot të flitet për Rohingya-t e Yazidë-t, të cilët vijojnë të vuajnë. E i nxiti ta kujtojnë edhe Mesdheun e shndërruar në “varrezë”.

Të tregojnë edhe oqeanin e së mirës

Qëndror, pastaj, rrëfimi i së mirës, edhe pse e keqja bën më shumë zhurmë, domethënë, bëhet lajm. Gazetari i përvuajtur dhe i lirë bën pikërisht këtë – pohoi Papa – duke theksuar se kënaqet pa masë, kur shikon të mirën e pafundme, që ekziston ndërmjet nesh:
“Ju lutem – i porositi gazetarët – tregojeni edhe këtë pjesë të realitetit që, faleminderës Zotit, është ende shumë e përhapur; realitetin e atij, që nuk dorëzohet para indiferencës, që nuk ikën përballë padrejtësisë, po ndërton me durim, në heshtje! Është një oqean i pafundmë i së mirës, që meriton të njihet e t’i japë forcë shpresës sonë”.
Duke kujtuar fjalët e Gjon Palit II, kur pati vizituar selinë e Shoqatës, 31 vjet më parë, Françesku nënvizoi:
“Kisha ju nderon, edhe kur vini gishtin mbi plagë e edhe kur plaga është në bashkësinë kishtare”.
Komunikim për të ndërtuar, jo për të rrënuar
Në fjalimin drejtuar Shoqatës së Shtypit të Jashtëm, Papa nënvizoi edhe se roli “i domosdoshëm” i gazetarit kërkon përgjegjësi të madhe në përdorimin e fjalëve, të figurave, të çdo gjëje, që përhap përmes mjeteve të komunikimit. Siç nënvizon edhe Benedikti XVI, duke kujtuar se “mjetet e komunikimit kanë prirjen ta ndjejnë veten si spektatorë, sikur e keqja t’u përkiste vetëm të tjerëve, duke harruar se jemi të gjithë ‘aktorë’ të së mirës, ashtu si të së keqes”.
Në përfundim Françesku i falënderoi gazetarët për punën e tyre larg vendeve të veta, punë e jetuar me frymën e shërbimit, që bëhet mision – nënvizoi – duke kujtuar se gjatë shtegtimeve apostolike e vëren sa është e lodhshme.
Nxitja e fundit, të jenë pasqyrë, që di të reflektojë shpresë, pa harruar se “vetëm njerëzit e lirë mund të lënë gjurmë të mira në histori”.
Gazetarët u ndanë nga Papa duke i medituar fjalët e Atit të Shenjtë e duke mbajtur në dorë librin e titulluar “Të komunikosh të mirën”, botim i sapodalë nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, dhuratë e Papës, që përmbledh mesazhet e tij për Ditët e komunikimit dhe fjalime të tjera, që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Áires.(Kortezi- Radio Vatikani)