Deputeti Ilir Beqaj, ka propozuar ndryshime mbi taksën e lëndëve të para që importohen për prodhimin e produkteve të plastikës, duke kërkuar reduktimin nga 25 në 10 lekë/kg. Në një prononcim për TV SCAN, deputeti thotë se propozimet kanë ardhur si pasojë e efekteve negative, që janë krijuar me aplikimin e taksimit të ri për vitin 2019.
I pyetur në lidhje me faktin nëse nisma e tij ka lidhje me angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për rishikimin e taksës, Beqaj thotë se propozimi i tij ka ardhur pas konsultimeve me sipërmarrjen, ndërsa qeveria mund të propozojë të tjera ndryshime.
Përveç reduktimit të taksës, projektligji “Beqaj” parashikon dhe rimbursimin e saj, jo vetëm per ambalazhet qe eksportohen, por edhe per çdo artikull tjetër plastik që eksportohet. Gjithashtu, një tjetër propozim lidhet edhe me përjashtimin nga kjo taksë për disa kategori biznesesh, ku përfshihen lëndët e para që përdoren për prodhimin e sfungjerëve, në industrinë e prodhimit të mobilieve, lëndët e para me përmbajtje proteinike apo celuzoike që përdoren në industrinë e prodhimit të sallameve, si dhe ato që përdoren në industrinë e ndërtimit në funksion të eficiencës së energjisë. (SCAN)