Reklame:

Bizneset e Kosoves “kryqezojne” autoritetet shqiptare: Ne ju kemi hapur tregjet, nga ju kemi nje mal me pengesa

Ministrja e financave Anila Denaj premtoi se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës.

Përfaqësues të sipërmarrjeve të Kosovës kanë paraqitur sot në një konferencë të përbashkët me Dhomën e Tregtisë, – ku pjesëmarrëse ishte dhe ministra e financave Anila Denaj dhe zv/kryeministri i Kosvës, Fatmir Limaj, – një sërë problematikash me të cilat ata hasen gjatë aktivitetit të biznesit që ata ushtrojnë në Shqipëri.

Astri Panxha , drejtor i forumit mbarëkombëtar Kosovë- Shqipëri tha se marrëdhëniet ekonomike Shqipëri- Kosovë janë në rritje, por përfitimet më të mëdha të rritjes i ka pasur Shqipëria.

Kosova i ka lënë tregjet e hapura me Shqipërinë, tha ai. Në të kundërtën, bizneset e Kosovës hasen me një sërë pengesash jo tarifore.

Ndër këto pengesa u përmendën zbatimi i normës më të lartë të akcizës, për produkte të prodhuara nga plastika në krahasim me normën e akcizës së aplikueshme për produktet e njëjta të prodhuara në Shqipëri.

Tjetër problem është mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga dogana në Shqipëri, çka bën që bizneset e Kosovës të paguajnë më shumë TVSh në doganë, duke mos qenë konkurrues me çmimet.

Mungesa e harmonizimit të legjislacioneve ka qenë një problem i kahershëm i ngritur nga bizneset e të dy vendeve, së bashku me mosnjohjen e dokumenteve dhe procedurave respektivë që mbahen nga agjencitë doganore në dy kahet e kufirit (psh nga autoritetet sanitare dhe fitosanitare).

Bizneset e Kosovës paguajnë dhe 20 euro për çdo ngarkesë fitosanitare për mallrat që destinacion kanë Kosovën, dhe që në Shqipëri kalojnë vetëm tranzit.

Kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin jaka tha se janë bërë 6 mbledhje qeverish Shqipëri- Kosovë, por problematikat në bashkëpunim janë prezente dhe gjithashtu bizneset nuk janë të mirëinformuar për potencialet dhe problematikat mes dy vendeve.

Limaj: Koha për spektakël ka mbaruar

Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se koha për spektakle ka mbaruar. Ai shtoi se nuk ka pasur rezultate nga mbledhjet mes dy qeverive. “Kemi vërejtur burokraci në punën e grupeve për marrëveshjet”, tha ai, duke shtuar se bizneset nga Kosova kanë problem skanimin dhe taksën në kufi.

“Tarifa e skanimit duhet të jetë vetëm për Shqipërinë, është absurde të aplikohet për Kosovën”, shtoi z.Limaj. “Për 5 lloje produktesh duhet paguar nga 22 euro, kjo është haraç“.

Ai pranoi se edhe taksa e parkimit në Kosovë është absurde, por u tregua  i gatshëm për të hequr dhe pengesën e fundit me Shqipërinë.

Denaj: Do negociojmë për të hequr tarifën e skanimit për kompanitë e Kosovës

Ministrja e financave Anila Denaj tha objektivi është te thjeshtimi i burokracive dhe procedurave mes dy vendeve. “Por kemi akoma rrugë për të bërë. Një sistem i informatik i ri do të shmangë shumë procedura në dogana”.

Ajo premtoi se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës.  “E mendojmë që nuk është i pamundur. Kërkesat e Kosoves për procedurat doganore, skanerin, taksën e rrugës  janë të negociueshme”.

Ajo shtoi se duhet të harmonizojmë rregullat për investimet e huaja direkte, pasi mund të bëhemi më konkurrues se Serbia, sepse kemi popullsi më të re dhe kosto më të lira pune. (monitor)