Reklame:

Peru – Zbulohet fosili i nje balene katerkembeshe, notonte dhe ecte ne toke

Me katër gjymtyrë thundrore me perde, të afta për të mbajtur peshën e saj, si dhe me një bisht të fuqishëm, balena gjysmujore është krahasuar nga shkencëtarët me një vidër ose me një kastor.

Fosili i një balenë katërkëmbëshe 43-milionëvjeçare është zbuluar në Peru.

Sipas një lajmi të Korporatës Britanike të Transmetimeve (BBC), paleontologët besojnë se trupi 4 m i gjatë i gjitarit të detit ishte i përshtatur për të notuar dhe për të ecur në tokë.

Me katër gjymtyrë thundrore me perde, të afta për të mbajtur peshën e saj, si dhe me një bisht të fuqishëm, balena gjysmujore është krahasuar nga shkencëtarët me një vidër ose me një kastor.

Studiuesit besojnë se zbulimi mund të hedhë dritë mbi evolucionin e balenave dhe mënyrën se si u përhapën nëpër oqeane.

“Kjo është mostra më e plotë e gjetur ndonjëherë për një balenë katërkëmbëshe jashtë Indisë dhe Pakistanit”, tha dr. Olivier Lambert nga Instituti Mbretëror Belg i Shkencave të Natyrës dhe bashkautor i studimit.

Ajo u gjet në sedimentet detare në Playa Media Luna, 1 km në brendësi të brigjeve peruane të Paqësorit.

Vendndodhja ka tërhequr menjëherë interesin e studiuesve, pasi balenat e para mendohet se kanë evoluar për herë të parë në Azinë Jugore, rreth 50 milionë vjet më parë.

Ndërsa trupat e tyre ndryshuan dhe u bënë më të përshtatshëm për ujë, balenat migruan më tej në Afrikën e Veriut dhe në Amerikën e Veriut, ku janë gjetur fosile.

Zbulimi i fundit tregon se balenat e hershme arritën të notonin atje nga Amerika e Jugut.

“Balenat janë shembull ikonë i evolucionit”, tha Travis Park, një kërkues i balenave parahistorike në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër.

“Ato evoluuan nga gjitarë të vegjël në balenat blu që kemi sot. Është interesante të shohësh se si i pushtuan oqeanet”, shtoi ai.

Një ekip ndërkombëtar paleontologësh nga Peruja, Franca, Italia, Holanda dhe Belgjika gërmuan fosilin në vitin 2011.

Shkencëtarët e kanë quajtur atë “Peregocetus Pacificus”, që do të thotë “balena udhëtare që mbërriti në Paqësor”.

Rezultatet e studimit u publikuan në revistën “Current Biology”.