Rritja e ndotjes, stili i jetesës dhe pasiguria e ushqimeve që konsumojmë po ndikojnë në rritjen e vdekjeve nga tumoret. Për vitin 2018 Instat raportoi se niveli i vdekshmërisë nga tumoret ishte 128.9 për 100 mijë banorë, me rritje 1.4% në raport me vitin e mëparshëm.
Në vitin 2018, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 21.804, duke shënuar 428 vdekje më pak se në vitin paraardhës me një ulje prej 1,9 %. Numri i vdekjeve sipas gjinisë është 11.667 për burrat, 0,5 % më shumë se në vitin 2017 dhe 10.137 vdekje të raportuara për gratë, 4,6 % më pak se në 2017.
Norma bruto e vdekshmërisë për vitin 2018 është 760,6 vdekje për 100 mijë banorë përkundrejt 773,7 që ishte në vitin 2017.
Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “Shkaqet natyrale” 93,8 %, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,1 %.
Në vitin 2018, vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej.
Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %.
Brenda grup sëmundjes të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 31,7 %, “Sëmundjeve kronike të zemrës” me 27,2 % dhe “Sëmundjet ishemike të zemrës” me 24,3 %.
Vdekjet nga grup sëmundja “Tumore” zënë 16,9 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grup sëmundjesh është 128,9 për 100 mijë banorë dhe ka një rritje prej 1,4 % krahasuar me vitin 2017. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të tretjes”, me 34,5 % dhe nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” me 24,1 %.
Vdekjet nga grup sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, shënon një rritje prej 3,4 %, krahasuar me vitin 2017. Në këtë grup, 50,0 % të rasteve e zënë vdekjet mbi moshën 84 vjeç dhe shkaku specifik i vdekjes “Vdekje nga pleqëria” zë 97,2 % të vdekjeve në këtë grup.
Vdekshmëria sipas gjinisë
Grupi i sëmundjeve të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve si tek burrat ashtu edhe tek gratë me një nivel vdekshmërie 406,3 për burrat dhe 402,9 për gratë, për 100 mijë banorë. Referuar grup sëmundjeve “Tumore” janë burrat të cilët shënojnë një nivel vdekshmërie më të lart me 164,9, ndërsa gratë me 92,9, për 100 mijë banorë.
Vdekshmëria foshnjore
Në vitin 2018, niveli vdekshmërisë foshnjore është 8,9 për 1 mijë lindje të gjalla, kundrejt 8,0 për 1 mijë lindje të gjalla në vitin 2017. Rritja e koeficientit të vdekshmërisë foshnjore i dedikohet uljes së numrit të lindjeve në vitin 2018 prej 6,3 % krahasuar me vitin 2017. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes” me 42,0 % dhe “ndërlikime në barrë të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 27,2 % të kësaj grupmoshe gjithsej.
Vdekshmëria sipas grupmoshës
Sëmundjet e “Aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve në grupmoshat mbi 70 vjeç, të cilat përbëjnë mbi 70,0 % të vdekjeve në këto grupmosha. Grup sëmundjet “Tumore” shënojnë mbi 40,0 % të numrit të vdekjeve në grupmoshën 50-59 vjeç, ndjekur nga grupmosha 40-69 vjeç ku këto grup sëmundje shënojnë 35,0 % të rasteve të vdekjeve. Dëmtimet traumatike dhe helmimet janë grupi me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grupmoshën 15-39 vjeç. (monitor)