Reklame:

Kujdesi per semundjet e bleteve

Në dallim nga gjallesat e tjera shtëpiake, bleta bart veçanti që ia bëjnë më të vështirë parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Kjo lidhet dhe me mënyrën e riprodhimit, organizimit dhe marrëdhënieve të tjera brenda një tërësie që ka pjesën e dukshme, por më shumë ka “jetë sekrete”. Përdorimi i barnave për parandalim të sëmundjeve dhe trajtimi i tyre,vazhdon te bëhet përafërsisht me rregullat dhe metodat e përdorura në gjallesa të tjera. Ndërsa biologjia, fiziologjia, reaksionet biokimike dhe një alkimi e panjohur, shpesh bie ndesh me ndërhyrje të pamenduara dhe të panjohura nga ana jonë. Por, bleta ka dhe veçanti të tjera nga gjallesat e ndryshme shtëpiake. Familja bletë kryen veprimtari jetësore brenda zgjoit. Në një hapësirë kaq të ngushtë, veprojnë disa mijëra pjesëtarë. Në këtë mjedis vazhdimisht ka jashtëqitje, bletë dhe larva të vdekura, mjaltë dhe pjalm të një cilësie të dobët, të ndotur, dyllë të ngopur me pesticide, menjë të prishur etj.

Faktorë të brendshëm

Një mjedis i tillë krijon kushte të përshtatshme për zhvillimin e sëmundjeve. Sëmundjet vijnë nga disa faktorë: biologjikë (patogjenë, parazitë, kërpudha etj.), kimikë (nektar a pjalm i helmuar), termikë (tej ftohje ose tej ngrohje e zgjoit, avullim i pakët ose rritje e lagështirës etj.), e të tjera, që lidhen me pakujdesinë e bletarit. Infeksionet kryesore transmetohen nga familjet e prekura. Qoftë dhe vetëm, një familje e prekur në një bletore, bëhet kërcënim serioz për gjithë të tjerat. Asgjësimi ose veçimi i saj është masa më e mirë parambrojtëse nga shpërthimi dhe marrja e përmasave të tilla, që ndoshta mund të shpjerë deri në humbje të të gjithë bletores.

Gjithsesi bleta, ashtu si dhe qeniet e tjera, jeton në një mjedis të përbashkët, ku është e rrethuar jo vetëm nga shkaktarë sëmundjesh tradicionale (patogjenë, parazitarë) e lëndë helmuese, por dhe me një mjedis të rënduar ekologjikisht, me ndryshime drastike të klimës, me prodhime OMGJ etj. Ndërhyrja agresive e njeriut në mjedisin e jetës shekullore të bletës, ka sjellë jo vetëm rëndimin nga viti në vit, por dhe rrudhjen e veprimtarisë së saj. Pra bleta nuk është më e lirë. Në kushte mjedisore që çdo ditë rëndohen, asaj i takon të riprodhojë, të grumbullojë ushqim, të përballojë vështirësitë e mbijetesës dhe njëkohësisht t’i japë njeriut një ushqim të rrallë natyror. Megjithatë, në këto rrethana të vështira, kjo qenie e veçantë e natyrës ka një bashkudhëtar, bletarin. Prej shekujsh kjo gjallesë ka qenë në mbrojtje të tij. Ajo e ka ndjerë dashurinë, shpirtin dhe durimin e tij dhe ia ka shpërblyer me prodhimet më hyjnore të natyrës.

kosheret e bleteve

Gjithsesi sëmundjet, helmimet, çrregullimet e tjera metabolike vazhdojnë të ushtrojnë trysni, duke i sjellë një dëm te madh bletarisë. Humbjet e prodhimit bien ndjeshëm deri në 60-70%. E nëse masat tona nuk janë të efektshme dhe në kohën e duhur, atëherë flitet për vdekje. Mjedisi i brendshëm dhe përditshmëria e bletëve kujdestare shërbejnë si mundësi reale e përhapjes së infeksioneve të brendshme. Pra, janë bletët përhapëse dhe sidomos të rejat, duke shërbyer, duke hequr larvat dhe bletët e vdekura, duke pastruar hojet, përpunuar nektarin, pjalmin dhe ushqimin e pjelljeve. Bletët me aparatin gojor dhe kontaktin trupor shpërndajnë sporet nëpërmjet largimit të larvave të sëmura ose të vdekura dhe kalimit në hoje ku zhvillohen larva të shëndosha. Dëmi është më afatgjatë kur me to përlyhet nektari, poleni dhe dylli. Përlyerja me agjentë patogjenë e rezervave ushqimore krijon vështirësi për trajtimin me barna. Ata jo vetëm nuk i nënshtrohen këtij ndikimi, por krijojnë një vazhdimësi që e bën të vështirë çrrënjosjen e infeksionit. Kjo bën që sëmundjet të rishfaqen herë pas here, kur familja dobësohet, kur ka mungesa ushqimi etj, pra kur ulet aftësia mbrojtëse e bletëve.

Faktorë të jashtëm

Mjedisi i jashtëm krijon kushtet më të përshtatshme për përhapjen e infeksioneve në familjet e bletëve ose nga një bletore në një tjetër. Janë po vetë bletët që e përhapin me shpejtësi sëmundjen. Familja e prekur nga sëmundja dobësohet, ajo bëhet pre e bletëve më të forta (ka bletë që e kanë të zhvilluar instiktin e grabitjes). Ndodh kështu veçanërisht kur mungon kullota në natyrë. Bletët grabitëse, së bashku me ushqimin, marrin infeksionin dhe bëhen përhapëse të shkaktarëve të sëmundjes. Kjo dukuri i jep përgjigje pyetjes së vazhdueshme të bletarëve, pse preken familjet e forta? Bletari… Me veprimet dhe mosveprimet e tij, bëhet shkak i përhapjes së sëmundjeve. Bletari i nisur nga qëllime të mira, shpesh i shtyrë nga interesa të çastit, kryen një baraspeshim të familjeve të bletëve, duke kaluar hoje me pjellje dhe bletë të rritura nga një familje tek tjetra. Bletari, me një përvojë vetiake të mësuar nga dikush dhe s’dihet se kur, bën bashkimin e familjeve në pranverë, kur si rregull duhet ta bëjë në vjeshtë ose në një ndërkohë tjetër. Veprim tjetër i gabuar, që bëhet shkak për përhapje të gjerë të infeksioneve, është përdorimi i mjeteve të punës dhe pajisjeve të padezinfektuara (dezinfektimi bëhet rrallë nga bletarët tanë).

Pse gabon bletari? 

Librat dhe manualet për mbarështimin e bletëve japin shpjegime të qarta. Kjo ka një domethënie. Ai e ka të vështirë të heqë dorë nga praktikat e trashëguara gabim, të huazuara nga bletarë më të vjetër, që u mungojnë dijet e nevojshme të mbarështimit të bletëve. Kjo ndodh edhe për interesa ekonomike të çastit. Bletari më pranë jetës brenda zgjoit Bletët ndërtojnë hojet, të cilat sigurojnë një strukturë të veçantë për ruajtjen e ushqimit (nektar dhe polen) dhe për riprodhimin (pjelljet). Bletari duhet të ketë njohuritë e duhura për të zbuluar përmbajtjen e hojeve dhe gjithçka ndodh brenda tyre.

Këto njoftime, më se të domosdoshme, të fituara gjatë kontrollit, i shërbejnë për të selitur me vlefshmëri familjen e bletës: shëndetin e saj, gjendjen e mbretëreshës, vlerësimin e pjelljeve, ecurinë e përgjithshme (nëse familja është në rritje apo në rënie), rezervat e ushqimit etj. Një bletar rishtar kërkohet të gjejë një mjedis të përshtatshëm ku mund të mësojë të njohë fazat e ndryshme të zhvillimit të familjes dhe përmbajtjen ehojeve, të dallojë mirë të katër fazat e zhvillimit të larvave: vezë (0-3 ditë), larva të reja (4-5 ditë), larva të mesme (5-6 ditë) dhe larva më të vjetra (7-8 ditë).

Bletari që është në gjendje të përcaktojë moshën e pjelljeve (bletë punëtore) gjatë shikimit në vend të familjeve, mund të përcaktojë paraprakisht edhe praninë e mbretëreshës. Ai duhet të dallojë një larvë të vdekur në huallin e saj, ajo është e rrethuar, e zbardhur dhe e shformuar. Pasi mbretëresha të ketë vendosur një vezë në huall, zhvillimi i saj në një bletë të rritur nuk është i sigurt; shpesh ndërprerja e zhvillimit lidhet me disa faktorë pengues. Një prej tyre është ndikimi i vazhdueshëm i pesticideve. Duhet të përcaktohet efekti subletal i mbetjeve të pesticideve në pjellje. Parazitët dhe veçanërisht varroat, janë parazitët dhe veçanërisht varroat, janë dëmtuesit dhe përhapësit kryesorë të infeksioneve Varroa, morri i kuq i bletës, mola e dyllit, milingona etj., drejtpërsëdrejti ose në mënyrë të tërthortë janë shkaktarë e përhapës të sëmundjeve. Varroa është shkaku kryesor, kjo edhe për arsye të përhapjes së madhe, por dhe për mënyrën e saj të të ushqyerit. Paraziti, duke përdorur trombën e tipit shpues-thithës për të thithur hemolymfën, lë në bletë dhe larva, shkaktare të sëmundjeve, të cilat kalojnë drejtpërdrejt në gjak dhe shpërndahen në gjithë organizmin. Familja si një tërësi biologjike, paraqet specifika, në të gjitha rastet kur infeksioni prek pak individë. Prekja e pjelljeve nga sëmundjet e zakonshme si pestat, askosferoza etj., shkakton dobësimin shkallë-shkallë të familjes dhe e shpie atë drejt kolapsit.

Hojet me larva të sëmura ose të vdekura krijojnë rrethana të pazakonta, nga mungesa e hojeve të pazëna çrregullohen 250 pjelljet e mbretëreshës dhe kjo sjell një sërë rrjedhojash, p.sh. një pjesë e bletëve kujdestare merren me pastrimin e hojzave të zëna nga larvat e sëmura ose të vdekura, duke shtyrë për më tej ruajtjen e zgjoit, ruajtjen e temperaturës dhe lagështirës, ndërtimin etj.; së fundi, do të mbetet një familje e dobët, me pak pjellje, pak bletë, pak ushqim, pre e sëmundjeve dhe grabitjeve. Po kështu ndodh nëse sëmundjet, si p.sh. nozema, prekin bletët e rritura. Çekulibrohen proceset që kanë vlerë për të gjithë familjen, si sigurimi i ushqimit, ujit dhe punët brenda zgjoit etj. Për pasojë frenohen pjelljet, i krijohen vështirësi mbretëreshës, nuk bëhet ritmikisht zëvendësimi i nevojshëm i bletëve të rritura, përfundimisht familja vjen duke u dobësuar. Po marrim një shembull tjetër, sëmundjen askoferozë (ndodh dhe me sëmundje të tjera). Sëmundja nuk prek njëlloj të gjitha familjet e një bletoreje. Kjo lidhet me disa faktorë, ndër të cilët veçojmë mekanizmat mbrojtës të organizmit.

Mbulesa kitinore: kjo e mbron bletën nga depërtimi i shkaktarëve të sëmundjes. Dëmtimi i saj krijon shteg për kalimin e tyre në brendësi të organizmit. – Stomaku social (proventrikuli, saku i mjaltit). Është organ i bletës, i pari ku grumbullohen ushqimet normale, por dhe ato të përlyera me shkaktarë sëmundjesh, helme etj. Nëse mbushet mirë me nektarin që bart veti baktericide, nxitet flora bakteriale për shkatërrimin e një pjese të mirë të shkaktarëve të sëmundjeve.

Pastrimi

Gjatë dimrit, veçanërisht kur ai është i gjatë dhe bletët nuk kanë mundësi të dalin për të kryer fluturime pastrimi, masa jashtëqitjeje grumbullohen në zorrë. Në kushtet e vendit tonë kjo ndodh rrallë. Në të dalë të dimrit familja gjallërohet, del nga përgjumja dhe nga një dobësi relative. Fluturimet e pastrimit (kështu quhen fluturimet që bëjnë bletët për të jashtëqitur në natyrën e hapur), veç se si akt fiziologjik, i lehtësojnë bletët nga një barrë e rëndë, ndryshe mund të ndodhin vdekje masive. Por edhe përmes këtij akti normal, bashkë me jashtëqitjen e depozituar, përhapen dhe shkaktarë sëmundjesh. Ndarja e familjeve dhe roitja, janë faktorë të tjerë përtëritës. Familjet e reja janë më të gjalla, më energjike. Ato jo vetëm përpjesëtojnë numrin e shkaktarëve, duke i hequr nga familja mëmë, por dhe mundësojnë luftë më të plotë ndaj sëmundjeve. Sa më e fortë familja, aq më tepër u qëndron shkaktarëve të sëmundjeve.

Mekanizma mbrojtës

Janë në përbërje të mjaltit, polenit, propolisit dhe në tajitje e gjëndrave. Mekanizmat mbrojtës janë zhvilluar gradualisht gjatë evolucionit të bletës dhe mbijetesa në gjendje të lirë, ende pa ndërhyrjen e njeriut, lidhet pikërisht me këtë aftësi vetëmbrojtëse. Mjetet mbrojtëse, bleta i ka trashëguar deri në ditët e sotme. Sot, drejtimet e shkencës për luftimin e sëmundjeve mbështeten në “pastrimin higjienizues”, krijimin me metoda biologjike të familjeve pa pestë e askosferozë, si dhe gjetjen e shtimin e familjeve qëndrestare ndaj varroatozës. Shumica e faktorëve që përmendëm më sipër nuk varen nga dora e bletarit, sidomos ato klimatike. Koha e keqe me lagështirë ose thatësi, e cila vazhdon për një kohë të gjatë me uljen ose mungesën e sekretimit në natyrë, sjell ndryshime të rëndësishme me çrregullime që hera herës janë vdekjeprurëse për bletët. Sa më mirë t’i njohim faktorët stresues dhe lidhjen e tyre me sëmundjet, aq më mirë do t’i parandalojmë e do t’i luftojmë ato. Dihet se shkaktarë sëmundjesh gjenden pothuajse në çdo familje blete, pra mundësia për shfaqjen e sëmundjeve është në çdo kohë. Mosshfaqja lidhet me aftësitë mbrojtëse të familjes dhe shkallës se patogjenitetit të shkaktarëve. Nëse familja bletë është nën ndikimin e faktorëve negativë, prishet baraspesha dhe shpërthen sëmundja. Faktori stres dhe paraziti varroa, dy nga më të rëndësishmit që ndikojnë në shpërthimin e sëmundjeve dhe përhapjen e tyre.  Nga Dr. Agim Nelaj