Normat globale të obezitetit midis njerëzve që jetojnë në fshat janë në rritje më të shpejtë sesa ato mes banorëve të qytetit, pjesërisht për shkak të qasjes më të madhe në zonat urbane të ushqimeve të shëndetshme dhe vende për t’u stërvitur, thonë studiuesit.
Në një studim 33 vjeçar të trendeve në indeksin e masës trupore (BMI) në 200 vende dhe territore, shkencëtarët zbuluan se njerëzit në mbarë botën po shëndoshen gjithnjë e më shumë – me një peshë mesatare në rritje me 5 deri në 6 kg gjatë periudhës studimi – dhe se shumica e shtimit në peshë për shkak të shtimit të BMI-së në zonat rurale.
“Rezultatet e këtij studimi masiv botëror rrëzojnë perceptimet e zakonshme se fakti që nëpër qytete jetojnë më shumë njerëz është shkaku kryesor i rritjes globale të obezitetit,” tha Majid Ezzati, një profesor në Kolegjin Imperial në Londër, i cili bashkë-drejtoi studimin.
Ai tha se gjetjet treguan se “ne duhet të rishikojmë mënyrën sesi e trajtojmë këtë problem shëndetësor global”.
Studimi, i botuar në revistën Nature, analizoi të dhënat e gjatësisë dhe peshës të rreth 112 milionë të rriturve në zonat urbane dhe rurale të 200 vendeve dhe territoreve midis vitit 1985 dhe 2017.
BMI-ja është një shkallë e njohur ndërkombëtarisht që tregon nëse dikush ka një peshë e shëndetshme. BMI-ja llogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tij në metër katrorë dhe një BMI midis 19 dhe 25 konsiderohet e shëndetshme.
Studimi zbuloi se midis vitit 1985 dhe 2017, BMI-ja mesatare rurale u rrit me 2.1 te femrat dhe meshkujt. Në qytete, megjithatë, rritja ishte përkatësish 1.3 te femrat dhe 1.6 te meshkujt.
Studiuesit përshkruan “ndryshime të habitshme” në gjeografinë e BMI-së. Në vitin 1985, burrat dhe gratë urbane në më shumë se tre të katërtat e vendeve të studiuara kishin BMI më të larta sesa homologët e tyre në zonat rurale. Por 30 vjet më vonë, hendeku i BMI-së midis banorëve urbanë dhe ruralë në shumë vende u zvogëlua në mënyrë dramatike, apo edhe ndryshoi anasjelltas.
Kjo mund të jetë për shkak të disa disavantazheve për njerëzit që jetojnë në fshat, thanë studiuesit, duke përfshirë nivele më të ulëta të të ardhurave dhe arsimimit, disponueshmëri të kufizuar dhe kosto më të larta të ushqimeve të shëndetshme dhe më pak qendra sportive.
Ezzati tha se ndërsa diskutimet rreth shëndetit publik shpesh përqendrohen në aspekte negative të jetës në qytet, këto gjetje tregojnë se jetesa në këto të fundit i ka disa përfitime.
“Qytetet ofrojnë një sërë mundësish për ushqyerje më të mirë, më shumë aktivitet fizik dhe rekreacion, dhe shëndet të përmirësuar përgjithësisht,” tha ai. “Këto gjëra shpesh janë më të vështira për t’u gjetur në zonat rurale.” (reporter.al)