Reklame:

Falimentimi i industrise se duhanit, Shqiptaret megjithate vijojne te konsumojne 4500 ton cigare ne vit

Për vite ky lloj konsumi vijoi të ecte “krah më krah” edhe me cigaret e prodhuara në vend që mbanin logon “Made in Albania”.  Në ditët sotme, duket se kjo shprehje thuaje ka dalë nga qarkullimi, pasi duhanpirësit kanë apo nuk kanë mjaftueshëm para, “dorëzohen” tek paketat e importit, (pasi nuk ka më vendase) që çdo ditë e më shumë po “kripen” nga çmimet.

Po ndërsa ky treg përballet me informalitet të lartë, kontrabandë, falsifikime, konsumi në vit jo zyrtarisht arrin rreth 4500 ton në vit, dhe zyrtarisht regjistrohet në nivelin deri në rreth 3500 ton. Sipas ISSH vetëm 26 për qind e popullsisë është konsumatore e duhanit. Por çfarë ndodhi me industrinë vendase të duhanit dhe kush e “dogji” atë?

Rënia e kultivimit

Vitit 2018 ka qenë më i keqi për kultivimin e duhanit, duke bërë që të quhet një aktivitet në rënie. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se që nga vitit 2005 e deri në 2018-ën, sasia e grumbullimit të duhanit të kultivuar në vend ka pasur luhatje të shumta, por asnjëherë nuk e ka arritur në mbi 2400 ton, një shifër kjo minimaliste për një vend bujqësor-industrial. Vitin që lamë pas janë grumbulluar vetëm 413 ton, çka bën që të jetë sasia më e ulët e kultivuar dhe grumbulluar në 14 vite.  Duke analizuar shifrat, referuar periudhës 2005-2015, vitet me problematike janë 2009-ta dhe 2013.

Ndërsa më pas duket sikur industria është “ringjallur”, duke arritur pikun në 2014-ën, për të pësuar një rënie drastike në dy vitet e fundit. Ku në 2017 janë grumbulluar 600 ton dhe në 2018, 413 ton. Përpos faktorëve politike, shkak për këto shifra, ka qenë fakti se  për shumë vite ne tregun e grumbullimit të duhanit ka qenë vetëm një kompani grumbulluese, “Mika Korca sha”  e cila,duke shfrytezuar statusin monopol  ka abuzuar me fermerët dhe për duhanin që ka grumbulluar për vitet 2015 dhe 2016, nuk iu ka likujduar të gjitha paratë fermerëve, duke akumuluar rreth 1 milion euro detyrime të prapambetura. Këtij subjekti  i është pezulluar aktiviteti për këtë shkak.

Ndërsa aktualisht, vetem ne sektorin e grumbullimit janë 3 kompani me kapacitete të konsiderueshme nga të cilat 2 janë ndërkombëtare, “SEKE,  “Albanian Herb and Tabaco në bashkëpunim me Sunel dhe Igla (më e madhja në Shqipëri), të cilat mbledhin të gjithë sasinë e prodhuar. Pavarësisht thyerjes së monopolist, humbja e besimit tek fermerët ka bërë që të ulet edhe prodhimi , Megjithatë,  duhani i grumbulluar në vite, gjithnjë ka qenë i destinuar për eksport, dhe asnjëhere për prodhim vendas, për shkak të mungesës së një industrie të mirëfilltë.

Më pak sipërfaqe, më pak fermerë

Statistikat në rënie të duhanit të grumbulluar në vend, janë reflektim i pastër i tkurrjes ndër vite të sipërfaqës së mbjellë. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, nga viti 2013 sipërfaqja në hektarë e kultivimit të duhanit është tkurrur gradualisht, nga 1596 ha  në 881 ha në vitin 2017 që është edhe viti më i keq në këtë drejtim, për tu “ringjallur” në vitin që lam pas. Por edhe pse në 2018, sipërfaqja e kultivuar është 1018 ha, kjo nuk është përkthyer në prodhim më të lartë, pasi sasi e grumbulluar rezulton më e ulëta në 14 vite, rreth 413 ton.

Kryesisht, Qarku i Elbasanit dhe Shkodrës kanë hapësirat më të mëdha të kultivuara, ndërsa Qarku Berat dhe Fier kultivojnë shumë pak.  Kjo varet edhe nga kushtet atmosferike, por edhe nga tradita që ka secila zonë në kultivimin e duhanit oriental. Ndërsa industria vendase e duhanit ka ardhur në “shkrirje” vit pas viti, edhe numri i fermerëve që kanë qenë të angazhuar është përgjysmuar në 6 vjet. Kështu, në vitin 2013 rezultonin që me kultivimin e duhanit merreshin rreth 4879 fermerë,  shifër kjo që ka ardhur gradualisht në rënie vit pas vitit dhe në vititn 2018 rezulton se janë 2653 bujq që kanë punuar tokat dhe kanë kultivuar duhan duke i qendruar besnik kësaj kulture.  Në këtë pikë, numrin më i lartë i femerëve regjistrohet në qarkun e Elbasanit dhe të Shkodrës, dhe më pak në  Fier e Berat.

Industria e humbur

Aktualisht, në Shqipëri nuk ekziston më asnjë fabrikë me proces të plotë prodhimi cigaresh. Ndërsa është vetëm një fabrikë e licencuar për konfeksionim të paketave te cigareve, që ndodhet në Librazhd, e cila nuk ka te drejtë të nxjerrë në treg një produkt te vetin apo të prodhojë një markë të vetën. Referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë Kombëtare së Duhan-Cigareve, prodhues të licencuar për duhan të grirë  janë 4 operatorë.

Dy jane relativisht të mëdhenj, ndërsa dy të tjerë janë punishte të vogla. Në total prodhimi i këtyre operatorëve mund të shkojë afërsisht 50 ton/vit. Në procesin e duhanit të grirë operojnë edhe shumë subjekte të padeklaruar, që grijnë duhan nepër bodrume dhe nuk paguajne detyrimet fiskale.  Informaliteti mesa duket është problem edhe në tregun vendas, ku, parashikohet që konsumi ose tregtimi i duhanit të grirë arrin mesatarisht 700-1000 t/vit, dhe nga këto vetëm rreth 50 t/vit është i deklaruar. Akciza që duhet të paguajë një operator që tregton duhan të grirë është 2500/kg(afërsisht 20 euro/kg), gjë që në kushtet ku është vendi, nxit edhe më tej informalitetin.

Në tregun e duhanit të përpunuar në Shqipëri funksiojnë vetëm dy marka vëndase që quhen “Igla” dhe “Sheldia”të cilat nxjerrin në treg produkt me kosto të ulët, ku mesatarisht rreth 30 gram duhan, kushton 250 lekë. Ndërsa, edhe në këtë segment janë dhjetra marka të huaja që sjellin duhan të të grirë, i cili tregtohet mesatarsht 50 gram për 1 mije lekë. “Agnea” dhe “Igla”, janë  brandet me të shitura të duhanit të grirë apo duhanit pa përpunim të mëtejshëm.

Nga “Agna”, rezulton më i shitur “ George Karellia”, ndersa nga “Igla”,  Grand, Gur i zi. Në kushtet kur çmimi i paketave është rritur ndjeshëm nga viti në vit, dhe vijon ketë trend për shkak të akcizës në rritje, një numër i vogël duhanpirësish qendrojnë ende me të “vjetrën” dhe konsumojnë duhanin e grirë. Megjithëse tregu është konfuz në këtë drejtim, pasi përballet me falsifikime të shumta, dhe pakot e pa përpunim të mëtejshëm nuk përmbajë informacion të detajuar lidhur me produktin, nivelin e nikotinës, etj.  Ndërsa paketat nga kompani importi variojnë me çmime mesatarisht nga 200 deri në 500 lekë.

Importojmë 7.4 mld lekë cigare

Ndërsa, industria e vendase e prodhimit të duhanit përballet me vështirësi të shumta, tregu shqiptar i konsumit mbizotërohet ndjeshëm nga duhani i përpunuar i kompanive të huaja. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, për vitin 2018 janë importuar janë importuar mbi 7.4 mld lekë cigare apo 3160 tonë. Ndërsa nga nga ana tjetër eksporti i duhanit të prodhuar në vend,  është rritur me trend minimalist dhe mbetet ende në shifra thuajse të pakonsiderueshme, të regjistruara në vititn 2018 në 431.2 milionë lekë apo 983 tonë.  Kompanitë e cigareve të importuara që dominojnë tregun janë “PMI”, “AGNA”, “JTI”, “MD”

“Mobilizohet” qeveria

Shifrat në rënie drastike të kultivimit dhe grumbullimit të duhanit në vend, mesa duket kanë vënë në lëvizje Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë  dhe atë të Bujqësisë, të cilat më 25 mars 2019, kanë urdhëruar ngritjen e një grupi pune me bazë të gjerë që do të analizojë, shqyrtojë dhe përgatisë rekomandime për rregullimin e kultivimit, grumbullimit, shitjes dhe politikave fiskale për mbështetjen e industrisë së duhanit.

Konkretisht, grupi i përbashkët i punës duhet të: analizojë situatën aktuale të kultivimit, grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të duhanit; shqyrtojë ligjet dhe aktet nënligjore që janë në fuqi; shqyrtojë praktikat më të mira rajonale; përgatisë rekomandimet përkatëse afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë për përmirësimin e situatës; përgatisë paketën me draft dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë të gjitha fazat e kultivimit, përpunimit dhe tregtimit të duhaneve, cigareve dhe produkteve alternative.

Për nevoja të punës dhe funksionimit të grupit, bashkëkryetarët mund të angazhojnë dhe konsultojnë punonjës të tjerë të institucioneve publike, organizatave, bizneseve dhe përfaqësues të industrisë, fermerë dhe grumbullues. Rekomandimet duhet të dorëzohen deri më datën 30 Qershor. Kultivimi dhe tregtimi i duhanit është i zhvilluar në disa zona të vendit, si në Shkodër apo dhe në  zonën e Dumresë në Elbasan. Por vështirësitë në kanë qenë të mëdha, pasi ka pasur mungesë të theksuar vëmendje nga qeveria edhe pse industria e duhanit krijon të ardhura për mijëra familje në këto zona.

Rënia në vite

Pas viteve ’90 kultivimi i duhanit është tkurrur ndjeshëm. Degradimi industrisë vendase për prodhim cigare, difektet e politikave agrobujqësore dhe konkurrenca nga importi ka shkatuar rënie të ndjeshme të prodhimit edhe eksportit të duhanit. Para viteve ’90, Shqipëria ka qënë dhe është e njohur në mbarë botën për cilësinë e mirë të të duhanit oriental. Industria e cigareve në Shqipëri lindi në vitin 1924 me themelimin e fabrikës së cigareve “S.T.A.M.L.E.S.” në Durrës.

Gjatë viteve 1920, ’30, ’40, u hapën gjithësej 16 fabrika të cilat prodhonin cigare për tregun e brendshëm. Në vitin 1947 të gjitha fabrikat ekzistuese në Shqipëri u shtetëzuan, shumica u mbyllën, ndërsa më të mëdhave (si S.T.A.M.L.E.S.), iu ndryshua emri dhe u modernizuan. Gjatë regjimit komunist kishte katër fabrika cigaresh që funksiononin në Shqipëri: Fabrika e Tiranës (njohur me emrin “Flora” e cila u mbyll në vitet 1960), Fabrika e Durrësit, Fabrika e Shkodrës dhe Fabrika e Gjirokastrës. Fabrika e Tiranës dhe e Gjirokastrës prodhonin cigare për tregun e brendshëm, ndërsa Fabrikat e Durrësit dhe Shkodrës prodhonin cigare edhe për tregun e brendshëm edhe për eksport.

Pas rënies se komunizmit, kjo industri që numëronte mijëra të punësuar “ra” dhe shumë prej tyre mbetën në rrugë. Dhe është shteti vetë, mungesa e politikave fiskale, e mbështetjes që e “dogji” këtë industri, duke e kthyer në një sektor pa peshë në sektorin e bujqësisë dhe ekonominë e vendit në tërësi.

(SCAN Magazine)