Presidenti Trump: “Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë të rënët. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borxhin që kemi ndaj tyre. Por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata”…
Nga Dalip Greca*
Shqipëria komuniste e njohur për ashpërsinë e diktaturës më të egër të ish vendeve komuniste, me numrin më të madh të pushkatuarëve-krahasuar me numrin e popullsisë (Në vitet 1944 – 1991, rreth 6.000 persona u ekzekutuan, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike, mijëra kaluan jetën nëpër kampet e internimit) – ka fatin që të ketë përjetuar dhe dy kryengritje antikomuniste, dy revolta të përgjakura, të vetmet në Perandorinë e Lindjes komuniste; revoltën e Spaçit të 21-22-23 Majit 1973 dhe të Qafë Barit-21 Maj 1984. Të dyja i bashkon muaji maj. Në kohën kur ndodhën revoltat u mbuluan me gjak, ndërsa pas rrëzimit të diktaturës, tranzicioni postkomunist 30 vjeçar shqiptar, institucionalisht, është përpjekë ti mbulojë me harresë. Edhe pse kanë kaluar 46 vjet nga revolta e Spaçit dhe 35 vjet nga ajo e Qafë Barit, institucionet e shtetit shqiptar, nuk kanë bërë asgjë për vlerësimin e tyre, për dënimin e fajtorëve, ndërsa ata që i mbuluan me gjak, ende nuk kanë kërkuar as falje.
Shqiptarët e Amerikës, falë këmbënguljes të ish burgosur politik Pëllumb Lamaj me bashkëpunëtorët e tij, nuk kanë heshtur, por e kanë ngritur zërin, kanë organizuar përkujtesa, dhe kanë sjellë në vëmendje të opinionit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve amerikane, jehonën e atyre revoltave dhe ashpërsinë e dhunës.
Edhe këtë vit, në përvjetorin e 35 të revoltës së Qafë Barit dhe 46 vjetorit të revoltës së Spaçit, Pëllumb Lamaj, duke pasë edhe ndihmën e Çezar Ndreut e Merita B. McCormack, në bashkëpunim me Fondacionin Memorial të Viktimave të Komunizmit në Washington dhe Federatën Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, organizuan me 20 Maj 2019, pranë Monumentit kushtuar viktimave të komunizmit, një veprimtari përkujtimore, nderuse për heronjtë e revoltave, ku përcollën mesazhe për shoqërinë shqiptare, institucionet e vendit dhe klasën politike.
Pas Hymneve Kombëtare, një minut heshtje për heronjtë e revoltave.
Organizatori Lamaj dhe ish të burgosurit politik që kishin përjetuar revoltat si: Lek Mirakaj, Naim Staravecka, shkrimtari Visar Zhiti (përmes përshëndetjes) ish i burgosur Marko Gjoni, risollën historinë, por dhe i përcollën mesazhe të forta institucioneve dhe politikës shqiptare, për vlerësim, mos harresë, dhe kërkuan dënimin e krimeve të komunizmit dhe autorëve.
Veprimtaria e 20 majit pranë viktimave të komunizmit në Washington, shërbeu edhe si kujtesë, por edhe si apel për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare ndaj krimeve të komunizmit dhe informimit të institucioneve amerikane. Dr. Murray Bessette, përfaqësuesi i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, drejtor i programeve akademike pranë këtij fondacioni, shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e aktivitetit.
Ai tha se ndjehej i nderuar që ishte bashkuar me shqiptarët në përkujtimin e viktimave të komunizmit të egër shqiptar. Dr. Bessette, tregoi shkurtazi historinë e fondacionit të përkujtimit të viktimave të komunizmit. Ai tha se projekti për krijimin e Fondacionit Memorial nisën që me 17 dhjetor 1993, ku presidenti Bill Klinton nënshkroi ligjin e aprovuar nga Kongresi në mënyrë unanime. Që në atë kohë janë dashtë përpjekje të mëdha për grumbullimin e fondeve nga donatorë vullnetarë, gjetjen e vendit për ngritjen e memorialit, zgjedhjen e projektit etj. Statuja memoriale iu besua skulptorit nga Kalifornia Thomas Marsh, i cili e dhuroi statujën në respekt të viktimave të komunizmit.
Për promovimin e tij u zgjodh data 12 qershor 2007, në simbolikë të 20 vjetorit të fjalimit proverbial të presidentit Regan në portën e Brandenburgut: Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur”! Muri që ishte ngritë me 13 gusht 1961, ku 10 mijë kilometra tela ishin shtrirë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor,- u shemb 2 vjet pas atij mesazhi të presidentit Regan. Pikërisht në përvjetorin e lëshimit të atij mesazhi, me 12 qershor 2007, në prani të Presidentit George W. Bush u promovua Memoriali kushtuar viktimave të komunizmit, në pjesën ballore të të cilit gjendet përkushtimi: “Për më shumë se 100 milion viktima të komunizmit dhe për ata që duan Lirinë!”
Dr. Bessette informoi se çdo vit këtu organizohet dita përkujtimore kushtuar viktimave të komunizmit, për këtë vit takimi mbahet me 14 qershor.
Pëllumb Lamaj, i mbijetuari i revoltës, drejtuesi i veprimtarisë përkujtimore, që e përjetoi vetë ferrin e burgjeve të tmerrshëm, përshkroi ngjarjet, që ndodhën në Spaç dhe Qafë Bari, respektivisht në 21-23 Maj 1973 dhe 21 Maj 1984 dhe përshkroi me detaje shpërthimin e vullkanit të zemrimit të të burgosurve politik, përleshjen me policinë dhe tronditën qeverinë komuniste.
Lamaj e përshkroi revoltën e Spaçit, që nisi me 21 Maj 1973, si kryengritjen e parë antikomuniste të perandorisë komuniste të Lindjes, ndërsa të burgosurit që ngritën krye nga puna e rëndë, kushtet ekstreme, nga torturat fizike dhe psikologjike, i përshkroi si heronj, që me kurajo iu kundërvunë policisë së regjimit, hoqën flamurin me yllin bolshevik, dhe ngritën flamurin pa yll, për tri ditë u bënë zotër të burgut.
Vijon neser